Në ditëlindjen e Muharrem Qenës, promovohet libri monografik ‘Ëndërrimtari’, Krasniqi: Endërrimtar i vazhdueshëm dhe i padorëzueshëm

22 Qershor, 2021 - 11:04 pm

Era Berisha

Promovimi i librit monografik “Muharrem Qena – Ëndërrimtari”, me autorë Arian Krasniqin dhe Arzana Krajën është një rrëfim origjinal i një udhëtimi të mrekullueshëm në jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarit, këngëtarit, aktorit, regjisorit, themeluesit të skenës teatrore e këngës argëtuese shqipe, producentit e skenaristit shqiptar, Muharrem Qenës, ku sot mblodhi dashamirët e veprës së tij artistike në Muzeun Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus. 

Muzeu Kombëtar i Kosovës sot kishte një pamje krejtësisht ndryshe ku dritat e ngrohta të vendosura në hapësirën e hapur, reflektimi i atyre me ngjyrë vjollcë, skena e mbushur me instrumentet diversive, gjelbërimi përrallor që kishte mbërthyer atmosferën me blirin e pranverës dhe prezenca e plotë dhe e ndjerë e hënës, pothuajse përqafuan mungesën e ikonës artistike, për të cilin sot u mblodhën familjarë të tij, miq, artistë të teatrit, filmit e muzikës si dhe artdashësit, duke uruar kështu edhe 91 vjetorin e lindjes së artistit gjigand që guxoi të ëndërronte. 

Muzika dhe hëna ishin shoqëruesit kryesorë që përcollën mesazhet e atyre që në skenë dolën për të thënë disa fjalë e shkëmbyer disa mesazhe, me ç’rast veprat si: ”Harmonika e vetmuar”, ”Lamtumirë”, ”Shokut”, ”Salepxhija” dhe ”Kaqurrelja”, të interpretuara nga muzikanti Genc Salihu, erdhën me një frymë tronditëse aq të bukur dhe me melodi e tinguj që përçuan emocione dhe ndjenja duke u zhytur kështu tërësisht brenda misteries së secilës qenies njerëzore të pranishme. 

Libri i ndarë në 15 kapituj, paraqet rrugëtimin e Qenës prej aktori, regjisori, dramaturgu, kantautori e këngëtari të shumë njohur dhe qëllimi kryesor është që para publikut të sjellë karrierën artistike të Qenës, e cila përfaqëson një pjesë vitale të trashëgimisë kulturore e shpirtërore të vendit tonë.

Nëpërmjet dokumentimit të rrëfimit të jetës dhe veprimtarisë së artistit Muharrem Qena, përmes materialeve të grumbulluara nga institucione të ndryshme, intervistave me familjarë e bashkëpunëtorë të tij, dhe i pasuruar me fotografi të shumta nga arkivi i familjes, libri nxjerrë në pah historinë krijuese të njërit prej artistëve më të famshëm dhe më kontribut dhënës të krijimtarisë artistike shqiptare por edhe shpalos më për së afërmi pasionin e tij dhe dashurinë për art, jetë dhe vet natyrën e njeriut. 

Dokumentimi i asaj që e ka karakterizuar një artist siç ka qenë Muharrem Qena, është paraqitur si histori e ndarë në kapituj, ku përfshihen aspektet e punës së tij krijuese, por është përshkruar edhe personaliteti i tij, i një njeriu të thjeshtë por njëkohësisht të jashtëzakonshëm, me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i tij. Libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe brezave të rinj.

Andaj, në skenë pas performimit të këngës së parë ‘Harmonika e vetmuar’, doli autori i monografisë, Arian Krasniqi. 

“Derisa qëndroj para jush, unë ndjehem i kapluar nga ndjenja e gëzimit sepse sot po shënojmë edhe ditën e lindjes të artistit tonë të madh dhe nga ndjenja e dhembjes sepse sot në mesin tonë nuk është ajo që ka nisur projektin për librin rreth Muharem Qenës, regjisorja Arzana Kraja”, thotë Krasniqi. 

Sipas tij, në jetën tonë fati na përcjell që nga lindja deri në vdekje e të rrallë janë ata që fatin e tyre të parathënë e kanë të shënuar me yll në ballë, yll që i ndriçon rrugën drejt pavdekësisë e përjetësisë, andaj, njëlloj është edhe Muharrem Qena, aktor, regjisor, dramaturg e këngëtar i njohur dhe me një gjuhë poetike; ëndërrimtar i vazhdueshëm dhe i padorëzueshëm. 

“Libri i ndarë në 15 kapituj, shpalos disa pamje të jetës, veprës dhe personalitetit të veçantë të Muharrem Qenës, prandaj lexuesi përmes këtij libri do ta kuptoj se cili ishte roli i tij i parë si 19 vjeçar në skenën e Teatrit apo roli i vogël në skenën e madhe, se si aktori i ri fillonte të bënte regji, për dramën e tij, punën në televizion, dashurinë e filmit, muzikën e rebelizmin e tij, dhe jo vetëm”, thotë Krasniqi. 

Për Krasniqin, ky libër përshkruan se si pa asnjë respekt e mirënjohje, Qena kishte hyrë në shekullin e fundit si i dëshpëruar, i lodhur, mërzitur e zhgënjyer, duke u mënjanuar kështu si një hero i heshtur deri në fund të jetës së tij. 

“Qena përjetoi dy ekstreme, ndjenjën e adhurimit dhe urrejtjes”, thekson Krasniqi.

Tutje, fjalën e morri kompozitori dhe dirigjenti, Rafet Rudi, i cili foli rreth krijimtarisë muzikore të Qenës. 

“Qena, njëra nga figurat më unike në botën e artit dhe kulturës. Paraqitja e Qenës në fushën e këngës bëhet në mënyrë krejtësisht origjinale ku ai nuk këndon për të zhvilluar një karrierë muzikore. Rexho Mulliqi dhe Muharrem Qena, janë dy figura me të cilat identifikohej bota e muzikës dhe ajo e teatrit. Ai shfaqej në muzikë vetëm atëherë kur kishte për të thënë diçka sepse muzika për të nuk ishte kapërcim i një pengese por ishte qëllim në vete”, thotë Rudi. 

Sipas tij, muzika e tij është vizuale meqë këngët e tij duken si një storje e shkurtër filmike apo si një fotografi e vetme e kaluar e e planifikuar më parë ku në dëgjim të parë para dëgjuesit, shfaqet një pamje e qartë deri në detaje të forta. 

“Qena i jep rëndësi të madhe fjalës, ku së bashku me Jusufun Gërvallën, ishin të vetmit që kishin kujdes maksimal ndaj komponentës tekstuale dhe përmbajtësore të këngës duke i dhënë një vërtetësi të duhur tektstit dhe duke e bërë Qenën të afërt me thelbin e këngës”, përfundon Rudi. 

Në ndërkohë, Igballe Qena, ishte ajo që në këtë ditë që përkon me 91 vjetorin e lindjes së Qenës dhe me promovimin e monografisë së tij, shpalosi edhe fillet për nisjen e këtij libri. 

“Me këtë rrugëtim ëndërrimtar, plot sfidë, Qena me mund e talent arriti ta prek e ta zë ëndrrën. Jam falënderuese që fati ma ofroj që të jemi bashkudhëtar jetësor përreth katër dekada dhe që atëherë kur Muharremi kishte mbërri majat e suksesit me krijimtarinë artistike, dashuria jonë u kurorëzua me tre kryevepra, me tre fëmijët tonë”, thotë Qena. 

Sipas saj, ajo se çka vlen të veçohet është koha e bombardimeve të NATO-s dhe me ta ishte një ‘Ana Frank’ që në atë kohë qëndronte pranë Muharremit, i cili ia shpaloste kujtimet si rrallëkujt më parë, pikërisht ndaj vajzës plot ndjesi që u shndërrua në sy e vesh; Arzana Krajës.

“Në vitin 2006, Muharremi vdiq dhe Arzanës i mbeti një peng që të realizoj një shkrim të inspiruar nga rrëfimet e Muharremit, e më pas Zana filloi ti realizoj intervistat me kolegë, familjar, e miq. Ishte e vështirë përmbledhja e kritikave të kohës, intervistat e pakta dhe fotografitë e zbehta ku koha pa mëshirë, shumë gjëra i mbuloj në harresë”, përfundon Qena. 

Ndërsa, drejtori nga Drejtoria e Kulturës, Adrian Berisha përmbylli natën me disa fjalë rreth Qenës dhe krijimtarisë së tij artistike. 

“Sa herë që flas për artin dhe artistët, në mendje e kam një gjë, faktin se si përherë arti qoftë përmes muzikës, filmit, shfaqjeve teatrale, pikturës apo fotografisë, arrin të na bëj bashkë. E kur flas për të përhershmin Qenën, nuk mundem të mos mendoj edhe për kohërat e mira e të vështira që sot na mblodhën së bashku”, thotë Berisha. 

Sipas tij, Qena ka bashkuar sonte të pranishmit në ditëlindjen e tij dhe për të konsiderohet si një nder i veçantë që të marrë pjesë në punën e një shkrimtari, aktori, regjisori, këngëtari dhe një krijuesi që do të jetoj përherë përmes veprave të tij e që ka lënë pas një trashëgimi krijuese për brezat e ardhshëm. 

“Muharrem Qena krijoi në një kohë, për shumë kohë”, thekson ai. 

Kështu, krejt në fund, kjo ngjarje gjeti fundin me veprën ”Oj hanë”, që u preformua nga aktorja Edona Reshitaj, ku nën dritën e hënës, ajo dhuroi një interpretim që vështirë se harrohet dot. 

Monografia “Muharrem Qena – Ëndërrimtari”, me autorë Arian Krasniqin dhe Arzana Krajën, është realizuar nga Integra me mbështetjen e Komunës së Prishtinës dhe nga Programi Kultura për Ndryshim që financohet nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut./ KultPlus.com 

Të ngjajshme