Në ditën botërore të librit, vjen në shqip “Të drejtët” e Jan Brokken

23 Prill, 2024 - 3:31 pm

Në ditën botërore të librit, sot, me 23 prill shtëpia botuese “Dituria” ka sjellë librin “Të drejtët” nga autori i mirënjohur Jan Brokken.

Libri flet për një ngjarje të vërtetë të Luftës së Dytë Botërore, për një akt heroik të një konsulli holandez, që shpëtoi shumë hebrenj nga kampet naziste.

1940. Europa tronditet nga Lufta e Dytë Botërore, qindra mijëra hebrenj kërkojnë strehim nga furia naziste në ato pak vende që janë ende neutrale. Kur Bashkimi Sovjetik pushton Lituaninë, refugjatët që kishin gjetur azil atje e që nuk kishin më asnjë mundësi shpëtimi, u mblodhën masivisht në portat e konsullatave të ndryshme, me shpresën për të marrë një vizë.

Në atë vit, holandezi Jan Zvartendajku, drejtor i degës së Philipsit në Lituani, emërohet konsull nderi në Kaunas, kryeqyteti i vendit. Po çfarë nënkuptonte saktësisht për një biznesmen të bëhej konsull nderi? “Pothuajse asgjë,” i thanë. “Ndoshta do t’ju duhet të nënshkruani disa copa letre.”

Por falë tij mijëra hebrenj gjetën shpëtimin. Ai nënshkroi vizat për largimin e tyre dhe garantoi hapjen e rrugës së fundit drejt lirisë: hekurudha transiberiane për në Japoni dhe më pas Curaçao, një ishull holandez në Karaibe. Duke gjurmuar në burime të përpikta, me përkushtim dhe dëshmi të drejtpërdrejta nga familjet e të mbijetuarve, Jan Brokkeni rrëfen me hollësi një nga operacionet më të jashtëzakonshme të shpëtimit në histori, duke rindërtuar me një prozë dinamike e magnetike dhjetë ditët që Jan Zvartendajku pati në dispozicion për të shpëtuar sa më shumë jetë.

Dhjetë ditë e dhjetë net aktiviteti të ethshëm për të përfunduar një mision që më vonë ra në harresë të çuditshme, por që u siguroi lirinë më shumë se tetë mijë hebrenjve.

Në vitin 1997, Jan Zvartendajkut iu dha, pas vdekjes, titulli i nderit “Të Drejtët mes Kombeve”. Jan Zvartendajku ishte njeri i rezervuar. Atij nuk i pëlqente roli i heroit. Si të gjithë, në ato ditë, edhe ai kishte frikë.

Por dhuna dhe urrejtja shtoheshin gjithnjë e më shumë dhe atëherë ai nuk bëri sikur nuk shihte, nuk kërkoi justifikime, por mori vendimet e duhura. Kështu veproi edhe Sugihara. 

Ky është një libër për shpresën. Në vitin 1940, konsulli Jan Zvartendajk u tha vajzës së tij trembëdhjetëvjeçare dhe djalit të tij njëmbëdhjetëvjeçar për refugjatët hebrenj: “Duhet të bëj diçka. Nëse nuk e bëj, këta njerëz do të shkojnë drejt vdekjes së sigurt”. Ai ishte i vendosur të bënte diçka. Kjo i preku dhe u bëri shumë përshtypje fëmijëve të tij, siç na prek edhe ne të rriturit e shekullit njëzet e një./tema/KultPlus.com

Të ngjajshme