Në Kolegjin AAB sot u hap Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018

4 Tetor, 2018 - 3:05 pm

Alberina Haxhijaj

Sot në ambientet e Kolegjit AAB kanë zënë vend dhjetëra shtëpi botuese për të sjellë për 4 ditë rresht pranë studentëve, mysafirëve por edhe vizitorëve të këtij kolegji, Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018, shkruan KultPlus.

Kati i parë i Kolegjit AAB për katër ditë do jetë strehë e shtëpive botuese nga Kosova por jo vetëm për të sjellë librin sa më afër studentëve të këtij kolegji. Por objektivi i këtij panairi nuk mbetet vetëm këtu, tregoi për KultPlus, Zija Rexhepi koordinatori i panairit.

“Ne kemi hartuar edhe një program në kuadër të panairit ku ka edhe promovime të librit, orë letrare dhe aktivitete të tjera. Çdo ditë do të kemi së paku nga tre promovime të librave. Po ashtu kemi arritur që të sjellim edhe aktivitete të tjera të cilat kryesisht do të zhvillohen me studentët e që në fokus e kanë ngritjen e vetëdijesimit të tyre për leximin”, tregoi ai.

Në anën tjetër rektori i Kolegjit AAB, Lulëzim Tafa u shpreh se në ambientet shqiptare ka pasur panair të ndryshme si ai i pranverës në Prishtinë, i nëntorit në Tiranë por ka munguar një panair përmes të cilit libri do i ofrohet studentit.
“Është një panair brenda një Universiteti me 7 mijë student kjo e bënë edhe të veçantë. Por edhe pse mbahet në hapësirë universitare ai është i hapur për të gjithë adhuruesit e librit të cilët dëshirojnë që të shijojnë atë që e ofron libri e që sot vjen përmes asaj që ne dhe ju ofrojmë për lexuesin”, u shpreh ai duke theksuar se panairi që është hapur sot është dëshmi se ky institucion beson në librin dhe në kulturën e leximit.

Në emër të Ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, fjalën e mori zëvendësministrja Leonora Morina- Bunjaku. Ajo u shpreh se sot më shumë se kurrë është bërë me e lehtë qasja në libra. “I ftoj të gjithë që të krijojnë një shprehi të të lexuarit pasi që leximi gjithmonë si në kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen konsiderohet si vlerë e çmuar”, theksoi ajo.

I pranishëm në këtë panair ishte edhe kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku i cili ju dha një përshëndetje të ngrohtë për të gjithë botuesit të cilët sipas tij marrin pjesë në krijimin e produktit më të mirë i cili quhet libër. “Në këtë Universitet po ndodhin manifestime kulturore të cilat kanë vlerë të jashtëzakonshme.”, theksoi ai duke përmendur edhe themelimin e çmimit me emrin Ali Podrimja.

Në mesin e shtëpive botuese ishte edhe shtëpi botuese “Buzuku”. Besjan Zeneli nga kjo shtëpi botuese u shpreh se çdo aktivitet i cili organizohet e që në fokus ka librin është i mirëpritur çdo herë nga shtëpitë botuese.

“Ky është një aktivitet i cili edhe mund të quhet panair por karakteri i tij është më shumë brenda fakultetit. Panairi i Prishtinës i cili ka një traditë tashmë brenda vetës është një panair i kryeqytetit por njëkohësisht edhe i gjithë Kosovës. Aktivitetet e tjera që bëhen në këtë rast si ky nga Kolegji AAB, mund të quhen panaire por karakteri i tij dhe pamasat e tij dallojnë shumë”, theksoi ai për KultPlus.

Mirëpo sipas Besjan Zenelit kjo përsëri mbetet një ide e mirë dhe një opsion i mirë për të promovuar punën e shtëpisë së tyre botuese.

“Çdo aktivitet që bëhet për librin për ne është i mirëseardhur. Panairi është i organizuar mjaftë mirë dhe kjo vërehet edhe nga kushtet që ka ky kolegj. Mbetet për të parë në ditët në vijim se si po ec, pasi që tashmë vetëm sa u hap panairi, për të parë se a ka rezultuar i suksesshëm, a ka pasur vizitorë e kështu me radhë”, u shpreh ai.

KultPlus do të vazhdojë që të ju mbajë të informuar për aktivitetet të cilat do të zhvillohen në kuadër të këtij panairi edhe në ditët në vazhdim./ KultPlus.com

Të ngjajshme