Në kujtim të 172-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit

25 Maj, 2018 - 4:30 pm

Si sot, më 25 maj të vitit 1846, lindi poeti i madh i Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri, shkruan KultPlus.

Sot mbushen plotë 172 vite nga lindja e tij dhe e kujtojmë përmes këtij shkrimi që flet për të.

Naimi lindi në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës fisnikësh e timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit.
Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten, osmane, Arabishten dhe Persishten në Teqenë e Frashërit. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.

Më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehej në Janinë. Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e kraharorit dhe dhembjet në gjunjët nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë muaj në banjat e Badenitnë Perandorinë Austro-Hungareze. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Më 1882 rishkoi në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit të Arsimit. Më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e Gramatikës së Kristoforidhit. Pas arrestimit të vëllait Abdyl në Janinë në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip.

Eshtrat e Naim Frashërit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit. Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishtës. I përcjellë nga autoritetet, populli dhe Eshref Frashëri nga trungu i Dulellarëve, arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës./ KultPlus.com

Të ngjajshme