Në Malishevë u vlerësua puna e studiuesit Tafil Kelmendi, vitin e ardhshëm do i botohen edhe dorëshkrimet

4 Dhjetor, 2018 - 12:00 pm

Dje, në Malishevë u mbajt sesion shkencor, kushtuar 70 – vjetorit të lindjes së Prof.dr. Tafil Kelmendit, shkruan KultPlus.

Sesioni shkencor, kushtuar 70 – vjetorit të lindjes së Prof.dr. Tafil Kelmendit, jetës dhe veprimtarisë krijuese, u organizua nga Shoqata për Kulturë dhe Letërsi “Tafil Kelmendi”, e mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë , Rini dhe Sport e Komunës së Malishevës.

Nga MKRS-ja një Fjalë rasti drejtuar sesionit shkencor e mbajti, zëvendësministri i kësaj ministrie Rexhep Mazreku.

“Kjo ditë është më shumë peshë për Malishevën, Kosovën, dijetarët e gjuhësisë, mësimdhënësit, studentët, kolegët e Tafilit dhe familjen, në veçanti për hulumtuesit e rinj të fushës së gjuhësisë, veprës ende në dorëshkrim të Tafil Kelmendit, që t’i qasen për studim dhe botime t’u shërbej studentëve në të ardhmen”, tha ai.

Edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj vlerësoi lartë punën që ka lënën studiuesi Tafil Kelmendi.

”Vepra e Tafil Kelmendit, na bëri që sot të jemi së bashku dijetarë nga Tirana e Prishtina dhe dija t’i prijë këtij vendi, pasi bashkimi i dijes dhe pushkëve të lirisë si rezultat, solli dy shtete dhe një komb shqiptar”, theksoi ai.

Në kuadër të këtij sesioni shkencor u lexuan kumtesa nga: Akademik Emil Lafe, Prof.dr. Rami Memushaj, Prof.dr. Kujtim Kaplani, Prof.dr. Qemal Murati, Prof.dr. Ragip Mulaku, Prof.dr. Emin Kabashi, prof. Qëndrim Morina.

Në këtë sesion, studiuesit e vlerësuan lart veprimtarinë shkencore të Prof.dr. Tafil Kelmendit. Po ashtu u tha se dorëshkrimet shkencore të Prof.dr. Tafil Kelmendit do të botohen, brenda këtij vit si dhe gjatë vitit të ardhshëm.

Në fund me çmimin ” Dr. Tafil Kelmendi” u nderua Prof.dr. Emin Kabashi. Me motivacionin: Për kontributin e çmueshëm në fushën e letërsisë, dhe ndihmesën e dhënë në botimin e veprave shkencore të Pro.dr. Tafil Kelmendit.

Çmimin ”Dr. Tafil Kelmendi” ia dorëzoi Prof.dr. Emin Kabashit, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu- Ramaj./ KultPlus.com

Të ngjajshme