Në Mitrovicë u hap Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018

20 Prill, 2018 - 1:00 pm

Në ambientet e qendrës se kulturës “Rexhep Mitrovica“ është hapur Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018

Ky panair tashmë është tradicional dhe organizohet nga nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi“ , ndërsa në panairin e organizuar për këtë vit marrin pjesë edhe nxënësit e shkollave tjera të mesme të Mitrovicës.

Anëtarët Këshillit organizativ Rexhep Avdiu dhe Endrit Haliti kanë thënë se në panair do të tregohen vlerat e nxënësve që kanë arritur në lëndët shkollore si Kimi, Fizikë, Biologji, Astronomi dhe sektori multimedial e teknologji, ato nga kultura e muzika dhe trashëgimia kulturore etj, si dhe do të ketë aktivitete nga fusha e bamirësisë.

Panairi është vizituar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci.

Kryetari Bahtiri e cilësoi këtë panair si ngjarje me rëndësi për qytetin për dëshmimin e punës së madhe që bëhet në këtë shkollë si burim i dritës dhe edukimit, raporton KALLXO.

“Puna juaj është tregues i mirë i aktiviteteve dhe angazhimit që bëhet në këtë shkollë, andaj ju do keni mbështetjen e vazhdueshme edhe në të ardhmen për organizime të këtilla, sepse në ju mbetet e ardhmja e vendit” tha Bahtiri.

Ndërsa drejtori i gjimnazit Ismet Ferizi shprehu kënaqësinë që nxënësit e kësaj shkolle, ashtu sikur edhe në të kaluarën, me këtë organizmin pasqyrojnë punën e madhe që bëhët në këtë tempull të dijes në drejtim të edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja.

Në panair, i cili është organizuar që nga dita e merkurë, ndërsa sot është dita e fundit, po marrin pjesë rreth 200 nxënës.

Sipas një komunikatë të Komunës se Mitrovicës nxënësit janë organizuar në 28 sektorë.

Kurse panairi qysh në ditën e parë zgjoi interesim të madh te të rinjtë dhe qytetarët tjerë të Mitrovicës, raporton KALLXO.

Organizatorët presin që panairin ta vizitojnë rreth 6.000 qytetarë./kallxo.com

Të ngjajshme