“Në moshën pesëdhjetëvjeçare, secili ka fytyrën që meriton”

21 Janar, 2020 - 4:30 pm

Në kohën e mashtrimeve universale, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar.

Xhorxh Oruell (George Orwell), me emrin e vërtetë Eric Arthur Blair, lindi në 25 qershor 1903. U arsimua në kolegjin Eton në Britaninë e Madhe. Në vitin 1922, zgjodhi karrierën ushtarake, me qëllim që të shkonte në Lindje, por përvoja si rreshter në Birmani e përballi me brutalitetin e imperializmit britanik, ndaj në 1927 dha dorëheqjen. Më pas, vendosi t’i kushtohet shkrimit. Jetoi duke kryer punëra të vogla, por për shkak të pneumonisë shëndeti filloi t’i përkeqësohej, gjithsesi arriti të botojë disa romane, shkruan Konica.al.

Në vitin 1936, Oruell u nis drejt Spanjës me idenë për të shkruar për luftën civile, por edhe për të marrë pjesë në luftimet kundër Frankos. I plagosur, u kthye në Londër dhe botoi “Homazh për Katalonjën”, dëshmi e angazhimit në radhët e PPBM (Partia e Punëtorëve të Bashkimit Marksist) të likuiduar nga stalinistët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë gazetar pranë BBC-së dhe filloi të shkruante “Ferma e kafshëve”, një përrallë satirike që denoncon stalinizmin. I sëmurë nga tuberkulozi, ai ndërmori shkrimin e romanit të fundit, që u bë më i famshmi: “1984”, botuar disa muaj para vdekjes. Xhorxh oruell vdiq më 21 janar 1950.

Oruell është padyshim një nga shkrimtarët më të rëndësishëm britanikë të të gjitha kohërave, jo vetëm për krijimtarinë artistike, por edhe për filozofinë e tij të jetës dhe për angazhimin perosnal dhe shoqëror. Duke marrë parasysh që shumicën e kohës e kaloi në varfëri dhe i persekutuar nga sëmundje të vazhdueshme, është mrekulli që Oruell arriti të botonte dhjetë libra dhe dy koleksione me ese në vetëm dyzet e gjashtë vjet.

Një filozof vizionar dhe thellësisht humanist, Xhorxh Oruell ende vijon të na tregojë për botën e sotme. Shpeshherë, puna e tij shpesh kufizohet në “1984” dhe “Ferma e kafshëve”, megjithatë esetë dhe artikujt e shumtë të shkrimtarit hedhin dritë në kohën tonë, nga totalitarizmi kinez deri në “fakte alternative”.

Novelist, poet, eseist dhe kritik, Xhorxh Oruell njihet botërisht për dy romanet “Ferma e kafshëve” dhe “1984”. Disonanca e thellë e Oruellit me shoqërinë dhe këndvështrimi pesimist për civilizimin modern janë thelbësore për interpretimin e punë së tij. Satira alegorike antisovjetike, që paraqet dy derra si personazhe kryesore: “Ferma e kafshëve” është romani i parë shumë i suksesshëm i autorit. Libri është përshtatur për disa shfaqje televizive dhe filma.

“Në moshën pesëdhjetëvjeçare, secili ka fytyrën që meriton”, – shkruan Xhorxh Oruell. Shtatëdhjetë vjet pas vdekjes, ai është shndërruar në ikonë. “Ferma e kafshëve” është një klasik që deshifron totalitarizmin dhe mekanikën e tij, “1984” është një bestseller universal që hedh dritë si në mbikëqyrjen dixhitale globale, ashtu edhe në epokën e “pas të vërtetës”. Nëse shekulli i 19-të ishte balzakian, i 20-ti kafkian, shekulli i 21-të u bë oruellian. Figura e tij si reporter antitotalitar dhe shkrimtar vizionar është bërë një standard i vërtetë. Për shumë njerëz, Oruell është një vështrim, një fanar. Për të mos përmendur trashëgiminë e tij pa një testament, i cili kundërshtohet nga populistët dhe anarkistët, konservatorët dhe përparimtarët. Në librin “Midis përbuzjes dhe pasionit” del një figurë eklektike dhe pasionante, një reporter tejet mendjelehtë dhe një aktivist politik provokues dhe i pabesë, një personalitet radikal i ngjashëm me romanet e tij.

Shprehja “Të shohësh se çfarë ndodh nën hundë kërkon shumë përpjekje” tregon për vështirësinë që ka gjithsecili prej nesh në përballjen me të vërtetën. Na ndodh rëndom të ndiejmë nevojën për t’u vetëmbrojtur, për ta hedhur vështrimin drejt një perspektive më pak tronditëse dhe të dhimbshme të realitetit që na rrethon, si dhe mënyrën e kufizuar të jetesës tonë. Në një botë të udhëhequr nga rrjetet sociale, ku vetëvlerësimi është rezultat i konkluzionit për famë, ajo çfarë ne jemi të gatshëm të ndajmë është gjithmonë një përpjekje për manipulim, një lloj promovimi vetjak, ku nuk përfshihen defektet dhe veset. Megjithatë, mënyra e vetme për ta kuptuar se kush jemi në të vërtetë dhe ta pranojmë plotësisht identitetin tonë, mund të kalojë vetëm përmes një analize medituese, e cila synon të zbulojë çfarë ofrojmë çdo ditë në botë në mënyrën më të keqe. Dhe këtu e vërteta bëhet një gjest revolucionar, një akt vetësabotimi që ndryshon formën dhe bëhet një manifestim i guximit dhe besnikërisë.

Sado e maskuar qoftë, lëmosha është gjithmonë e tmerrshme: ekziston një parehati, pothuajse një urrejtje sekrete, mes atij që jep dhe atij që merr. /KultPlus.com

Të ngjajshme