займ на карту онлайн потребительский кредит

“Ne ngordhim për bukë o kapitalizëm, sepse shoqëria duhet të kursejë për t’i bërë ballë konkurrencës”

14 Mars, 2020 - 6:00 pm

Shkruan: Bujar Meholli

Recension për romanin “Anija fantazmë”

Ndër vite ka pasur shkrimtarë që nuk kanë dashur të ekspozohen në publik dhe t’i lënë krijimet e tyre të flasin. Bruno Traven është një nga ta. Emri dhe vendlindja e vërtetë nuk dihen. E gjithë biografia e tij është objekt diskutimi.

Romani “Anija fantazmë” është kryevepra e tij por kush ishte në të vërtetë Bruno Traven? Traven ishte vetëm njëri nga pseudonimet e shumta që përdorte ky autor misterioz, që ishte aventurier dhe revolucionar. Biografia e tij është shumë interesante. Ajo ka ngjallur dhe ngjallë vazhdimisht debate ndër historianë e studiues të cilët janë përpjekur ta zbulojnë sekretin që qëndron prapa identitetit të tij. Por, shumica pajtohen se Traven ishte Ret Marut, aktori dhe anarkisti i larguar nga Evropa.

Traven ishte tip që vazhdimisht ikte nga ekspozimi, preferonte ta linte punën e tij, gjegjësisht romanet që të flisnin dhe t’i shfaqnin idetë e tij. Dëshira e madhe që ai kishte për të ruajtur privatësinë dhe anonimitetin dëshmohet edhe nga pseudonimet e shumta që përdorte për ta maskuar identitetin. Disa nga to ishin: Ret Marut, Traven, Torsvan e Hal Croves. Ret Marut që mishërohet me Travenin, ishte aktor gjerman që më vonë do të përfshihet në politikat anarkiste, duke redaktuar po ashtu revistën anarkiste “Der Ziegelbrenner”.

Disa thonë se vendlindja e tij është në qytetin Schwiebus në Poloninë e sotme. Bruno Traven është autor i dymbëdhjetë romaneve dhe disa tregimeve të shkurtra me subjekte aventureske dhe gjithmonë me qëndrimin kritik ndaj kapitalizmit.

Maruti mori pjesë aktive në kryengritjen bavareze të vitit 1919 si censor i shtypit borgjez. Pas shkatërrimit të Lëvizjes së Këshillit, Marut do të rishfaqet më vonë në Meksikë në fillim të viteve ’20 ku me emrin Traven do të shkroi romanin “Anija fantazmë” i cili pa asnjë dyshim është një ndër romanet më të mira që është shkruar ndonjëherë. Libri u botua në vitin 1926 dhe u bë bestseller ndërkombëtar, kurse më 1934 i botua edhe në versionin anglisht. Romanet e tij u bënë të njohura edhe për shkak të biografisë së tij misterioze, dhe instinktit të tij për të mbetur anonim. Një anarkist që iku nga situata politike në Evropë dhe u vendos në Meksikë ku shkroi romanet e tij. Traven e konsideronte Marksin radikal dhe përçmonte izolimin e sindikatave të punës. Sikurse viti i lindjes, ashtu edhe ai i vdekjes nuk është i saktë. Disa thonë se Traven ka lindur më 23 shkurt të vitit 1882, disa të tjerë më 3 maj të vitit 1890, ndërsa vdekja e tij mendohet të ketë ndodhur në vitin 1969 kur ai ishte 87-vjeç në Meksiko Siti.

Te romani “Anija fantazmë”, marinarit amerikan i duhet të përballet me zyrtarët, policët e konsujt që nuk kujdesen për punëtorët pa dokumente. Ai dëbohet vazhdimisht pa u marrë parasysh, dhe flaket tej si i padëshiruar.

“Historia më e mirë moderne e detit që kam lexuar. Ishte e tmerrshme, fantastike dhe e vërtetë” shprehet shkrimtari James Hanley, kurse Lincoln Colcord nga “New York Herald Tribune” thotë se “ky libër nuk është vetëm histori deti, por është një sfidë në botën moderne”.

“Anijen fantazmë”, kritikët e vlerësojnë për fuqinë hipnotike, universalitetin dhe origjinalitetin e saj. Ata e krahasojnë letërsinë e Travenit edhe me Gorkin. Traven u botua dhe u lexua me entuziazëm e madje edhe u nominua për çmimin “Nobel” por anonimiteti i tij ishte gjithmonë problem, edhe pas vdekjes së tij. Si rrëfimtar, Traven është shumë i talentuar. Pikëpamjet e tij janë radikale, ai ishte anarkist, antikapitalist dhe antikomunist. Letërsia e tij hynë tek ato letërsi që nuk vdesin kurrë. Siç thotë historiani dhe gazetari Bruce Catton “romani i Travenit është befasues, paraqet tmerret që mund t’i ndodhin një burri në botën e pasluftës në Evropë… në një botë që është çmendur”.

“Anija fantazmë” ka një ambient të mërzitshëm, ku servohet ushqim i varfër dhe ku Traven me humorin e tij të zymtë përshkruan në detaje shqetësimet e marinarit amerikan. Secili në anije u bindet rregullave të ashpra. Por, si u katandis marinari amerikan në këtë anije të frikshme me emrin “Jorik”, e cila kishte origjinë të dyshimtë dhe pronarët e vërtetë të saj mbeteshin të fshehur prapa certifikatave dhe provave false?

Marinari nga Orleansi i Ri që ka ardhur në Belgjikë me anijen “Tuskaluza” që bartte pambuk, ku punonte, mbetet në qytetin Anversë, pasi që kishte shëtitur qytetin dhe ishte futur në një pijetore ku e kishte zënë gjumi. Kalvari i tij fillon kur anija e tij niset pa të, dhe ai mbetet fillikat pa asnjë dokument. Megjithëse në fillim mendon se do t’ia dalë të futet në ndonjë anije tjetër dhe të kthehet në shtëpi, ai do të ndodhet para një xhandari belg i cili ia kërkon dokumentet. Këtu fillon rrugëtimi i vështirë i marinarit amerikan, i cili vërtitet sa në njërin shtet në tjetrin, duke u maltretuar e shfrytëzuar nga shoqëria kapitaliste, kundër së cilës ishte vendosmërisht Traveni. Përmes tragjedisë së këtij amerikani, në sfond shfaqet historia e mijëra punëtorëve që punonin në marinë dhe që shfrytëzoheshin egërsisht, midis asaj periudhe mes dy luftërave, duke u mashtruar dhe grabitur.

Nga Belgjika, marinari do të rropatet në Francë, Gjermani, Holandë e Spanjë me rrezikun për ta burgosur çdoherë afër, meqë ishte njeri pa dokumente, pa identitet. Për të shpëtuar ai do të marr emra dhe kombësi të ndryshme. Ndërkohë kërkon të gjejë një punë për të mbijetuar, dhe këtë e gjen te anija “Jorik”, kapiteni i së cilës i ofroi punë. Nga marinar, ai bëhet kaldajist. Dhe këtu fillon tmerri i vërtet për të.

“Joriku” është anije e padëshiruar. Ajo përbëhet nga makineritë e dështuara, nga ndryshku dhe ekuipazhi i saj është çdoherë në zvogëlim sepse punëtorët e hidhen në det kur nuk mund ta përballojnë më skllavërinë, ata nuk kanë dokumente, rrjedhimisht s’mund të gjejnë punë tjetër kund sepse s’mund të dalin më nga “Joriku”. Pronarët nuk investojnë pothuajse asgjë, megjithëse dikur kjo anije ishte krenare për produktet e rëndësishme që bartte, tashmë ajo lundron për në brigjet e Lindjes së Mesme duke shkarkuar dhe ngarkuar municione të paligjshme.

Vetëm penda e Travenit di t’i përshkruajë aq detajisht vuajtjet dhe shfrytëzimin që u bëhej punëtorëve aty, dhe mes tyre edhe marinarit i cili tashmë mban emrin e rremë Pipip. Pipipi do ta gjejë një mik me të cilin do t’i ndajë vuajtjet bashkë, ai është Stanislavi nga Polonia. Gjersa e shfletojmë librin dhe shohim apatinë e kapitenit të “Jorikut” i cili s’i sheh si njerëz punëtorët e tij, rritet urrejtja ndaj personave të tillë dhe shfrytëzimeve.

Fare lehtë vërehet edhe urrejtja e madhe e autorit ndaj kapitalizmit, të cilin e sheh si Qezarin modern. Përmes ironisë së tij të hollë ai shfaq haptas urrejtjen e tij kundër gjakpirësve kapitalistë.

“Gladiatorët e kohës së sotme po të përshëndesin, o Qezar, o kapitalizëm! Ne vdesim mu në mes të zhulit, aq të rraskapitur, sa nuk jemi në gjendje t’i hedhim as dhe një grusht ujë fytyrës. Ne ngordhim për bukë, sepse shoqëria duhet të kursejë për t’i bërë ballë konkurrencës. Vdesim në heshtje e në mjerim për ty, o Qezar. Ne s’jemi askush, po ama jemi më besnikët e tu, ata që ti s’ke nevojë t’u paguash pension”, shkruan Traven. /KultPlus.com

Të ngjajshme