Në Prizren u promovua libri “Monologu i Prijësit”

3 Maj, 2019 - 11:30 pm

Libri “Monologu i Prijësit” i autorit Rexhep Hoti, u promovua në Prizren.

Shkrimtarja Diana Çuli, e vlerësoi lartë veprën e Hotit. Ajo e quajti poezinë e Hotit, si postmoderne në mënyrën e të shkruarit.

“Monologu i Prijësit” që në vargun e parë, fillon me ndërthurje të pazakontë poetike, e cila si copa të një mozaiku të ngatërruar nga stuhitë e kohës e përmbyll kuptimin e vet në njësi të veçanta apo brenda tërësisë së saj”, tha Çuli, shkruan “PrizrenPress”.

“Megjithë njohjen për jetën politike të Kosovës, të luftës dhe të gjitha zhvillimeve të tjera që kanë ndodhur në të në këto dekada, nuk mund të pretendoja se mund ta kapja aq lehtë çdo hollësi, çdo metaforë apo simbolikë të përdorur nga autori, aq më tepër që atdheu u Monologut të Prijësit, herë -herë merr trajta cinike me kufij shqiptarë të ndarë nëpër epoka ku malet i mbesin atdheut luftëtaret më besnik për ta ruajtur zhbërjen autoktonë të një fare të fillimit të civilizimit, siç shprehet autori”.

Në këtë libër historia e Kosovës dhe Shqipërisë rrëfehet e trajtohet si një monolog nga prijësi nën përgjegjësinë e penës sa intelektuale aq edhe letrare të autorit.

Prorektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Kadri Kryeziu tha se libri “Monologu i Prijësit” ka karakter filozofik dhe psikologjik.

“Në këtë libër lexuesi e gjen edhe shpirtin e Ukshin Hotit”, tha Kryeziu.

Edhe profesori, Shaip Kabashi, e ka vlerësuar lartë librin “Monologu i Prijësit”. Sipas tij, ky libër do të shërbejë për gjeneratat e ardshme, si frymëzim për të ardhmën dhe prespetivën e vendit.

Gazetari Qazim Thaçi tha se “Monologu i Prijësit” i Rexhep Hotit paraqet ndërthurje të pazakontë poetike.

“Poezia e Rexhep Hotit në vete ka mesazhin ka dhembjen e Dukagjinit dhe ka dhembjen univerzale. Prandaj tashmë letërsiashqipe mund te themi se është pasuruar edhe më shumë”, tha Thaçi.

Ndërkaq, vetë autori tregoi për lexuesit se shkrimi i këtij libri ka nisur që në 2010, kur pushteti kishte nisur të merrte poshtë dhe e ka shkruar në disa kontinente./PrizrenPress.com/KultPlus.com

Të ngjajshme