займ на карту онлайн потребительский кредит

Në rrethin ironik të Zija Çeles në romanin “Djalli komik”

Prill 24, 2019 - 9:48 pm

Recension nga Marigona Fazliu

Populli i Horketës e di se, kur jep besën, besa të lidh, – thirri Lumbardi.[1], kështu Zija Çela, prek thellë në rrënjët e shpirtit shqiptar. Besa, kanoni i palëvizshëm i shqiptarëve, përmbushjën e së cilës e ka ndalur vetëm vdekja, vazhdon të mbahet edhe sot. Po kjo tanimë nuk është individuale. Ajo duhet të mbahet nga populli i gjerë, për zgjidhjen e tyre të njëzëshme, tanimë të padurueshme, mbretin Lumbard!

Po kush na qenka ky Lumbardi? Njëri prej personazheve kryesor të romanit, pikëreferimi i Çelës për ironi të thellë, duke paraqitur kështu një medalje të parë në të dy anët, në njërën anë fytyrën e tij midis shoqërisë dhe në anën tjetër, fytyrën brenda familjare.

     Çela përmbys linjën e rrëfimit, duke bërë kështu që fillimi i romanit të jetë fundi i tij, ndërkaq tërë narracioni  paraqet rrjedhën e ngjarjes se si ka ardhur te ky fund dhe krejt në fund e përmbys edhe fillimin. Këtë e arrin nëpërmjet narratorit të gjithdijshëm, i cili e mban lexuesin të lidhur pas tekstit duke kapur çdo detaj, e shpesh duke i përdorur personazhet e tjera në formë të dëshmitarëve, duke bërë të mundshme kështu që nëpërmjet tyre ta bëjë të besueshme sëmundjen e ngrirjes, e cila në roman na del krejt papritur. Kjo mënyrë e ndërtimit të narracionit e bënë romanin të jetë alegorik.

     Forma e romanit duket të jetë ngjashëm me ditarin. Po këtu nuk kemi ditarin e një personazhi, por kemi ditarin e shumë personazheve. Të gjithë duke folur për një temë të vetme,paralizën që e kishte kapluar gjithë vendin, e të gjithë popullatën e atij vendi, edhe kur ata ishin zgjuar apo në gjumë, kur ishin duke punuar apo duke pushuar, kur ishin duke ngrënë apo duke vrapuar.

     Paraqitja e një ambienti konkret, i temave të kohës konkrete, siç është burgosja brenda vendit dhe moslejimi i daljes në shtetet e tjera, vetëm nëse ia arrijnë si azil kërkues, është temë e prekshme dhe vazhdon të jetë aktuale. E njejtë del të jetë dhe periudha e protestave. Pastaj, rrokja në kohë historike, në coptimin e tokave horketase, në ndarjen e tyre sidomos prej fqinjëve Likava, Vitistani e Hamivurgu. Tërë këtë e bënë të veçantë, hyrja në brendi të takimeve, të konferencave; duke arritur kështu që të ndaj idetë sa shpotitëse aq edhe realiste.

     Në romanin Djalli Komik, na del mjeshtëria e Çelës për ndërthurjen e shumë elementeve njëkohësisht. Në këtë prozë, qëllimi i së cilës është të ironizojë me pushtetin e kohës, përdoren edhe frazat popullore, të cilat i japin një ngjyrim të veçantë, ngase autori hyn në psiken shqiptare. Përveç kësaj, përdorimi i këtyre frazave shfaq dhe kohën, e cila lëviz shpesh në romanin e Çelës.

Në traditën zakonore të qytetit, dhunimi i varreve ishte më i pafalshëm se krimi i vrasjes.[2]

     Këtu, Çela arrin në ironinë kulmore, se përdorimi i heronjëve, eshtrat e të cilëve pushojnë në varre, për qëllime pushtetore, duket se shfaq sa dhimbjen aq edhe realitetin. Lidhur me këtë autori vazhdon ritmin duke ndërtar ironinë fundamentale:

Horketasit kanë një zakon të ngulitur. Kur duan me qa, kërkojnë që të tjerët duhet me i pa.[3]

     Por, Çela hyn edhe në kulturë, saktësisht në zemër të muzeut, duke bërë kështu përshkrimin më parodizues të mundshëm:

…Shtatoret ishin të Presidentit të Republikës, kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit dhe liderit të Opozitës. Ndërsa dy bustet, të ekspozuara krah më krah më tutje, i përkisnin kryebashkiakut dhe prefektit të qytetit.

Rregullorja për personalitetet që dylloseshin, ishte sanksionuar që në fillim dhe çdo ndryshim ishte po aq i vështirë, sa ndryshimi i Kushtetutës së Republikës. Sipas kodifikimit të saj, asnjë nga personalitetet nuk mund të ishte i përjetshëm në muze, përveçse gjatë periudhës kur ishte në detyrë. Me të ardhur në pushtet pasardhësi, dylli i mëparshëm shkrihej dhe përdorej për shtatoren apo bustin e të riut. Në gjuhën e intelektualëve ky proces quhej rimishërim.[4]

     Çela për ta shtuar dozën e ironisë, përdor edhe skenat e teatrale që kërkohet të luhen, siç është ajo e Hamletit apo e Jul Çezarit. Por nuk mungojnë as figurat biblike, siç janë: Juda, Pjetri, Marathonomaku e Kalija.

     Ndërsa titulli i romanit, ndërtohet nëpërmjet metonimisë duke paraqitur kështu pushtetasit të kohës, të cilët aq sa janë djallëzor, janë edhe komik në veprimet që bëjnë, në kërkesat që kanë dhe në vetë jetën që jetojnë. Një autoritar si Aranit Lumbardi, i cili shpeshherë na duket sa budalla aq edhe i menqur. Ai pranon fajet që bënë, por që si pranon si të tijat! Ai e di që gruaja e tradhëton, por do ta dëgjojë t’i thotë se e dashuron. Ai është personazhi më fatal i mundshëm, duke rënë vazhdimisht në kundërshti me vetveten, prandaj edhe çdo situatë ndërtohet në mënyrë alegorike, dhe bënë të duket komike.

     Vulën fundamentale të tërë prozës së Çelës, e cila është e menduar, e saktë dhe meditative ia jep koha e shkrimit të romanit, ku autori qëllimshëm vë mbishkrimin në fund të saj: Tiranë, maj-nëntor 2017. Por, interesante është edhe një element tjetër anësor- kopertina e librit, e cila paraqet dy pemë që këputën nga dega dhe u vë maska. Duket sikur thotë se kështu “këputen” edhe pushtetarët nga pushteti!


[1] Zija Çela, Djalli Komik, Botimet Toena, Prishtinë, 2018, f.61.

[2]Zija Çela, Djalli Komik, Botimet Toena, Prishtinë, 2018, f.18.

[3] Po aty, f.209.

[4] Po aty, f.50.

Të ngjajshme