‘Në të vërtetë nuk ka femër të zakonshme pasi të gjitha janë të jashtëzakonshme’

4 Korrik, 2020 - 3:35 pm

Linda

Tregim nga Liridon Mulaj

Rruga e qumështit është çatia e udhëtimeve tona, – më tha dhe u ngrit me vrull duke hedhur përreth kokrrizat e vogla të rërës. Hoqi fundin e verdhë me pala nga ku poshtë tij zbuloi vithet e rrumbullakta në ngjyrë bronxi, nxirë nga dielli i lëbyrët i Qershorit dhe u nis drejt detit duke hequr reçipetat të cilat i hodhi në prag ku bashkohet toka me ujin, bash aty ku dallgët lëpijnë buzët e ngurta të bregut. E vështroja Lindë n që zhytej ngadalë në ujë,nga ku herë pas here kthente kokën nga unë, dhe me sytë e saj të zjarrtë si dy yje të shkëputura nga qielli më vështronte me një shikim ndjellës.

Lëvizte krahët lart e poshtë dhe më thërriste t’i bashkohesha, pa pyetur për shtangien time dhe ndiesitë e mia të turbullta kundrejt saj. Ishte natë e freskët, nga ato netë ku ende stinët nuk janë ndarë nga njëra tjetra dhe era e ngrohtë e verës mbështillet me freskinë e pranverës dhe bashkë, gënjejnë lëkurën që herë shtriqet e hap poret e saj e herë mbushet me morrnica. Nuk arrija ta kuptoja në fakt nëse shkaku i morrnicave ishte vetëm era e freskët apo diçka tjetër. Linda lahej në detin e errët të natës, dhe unë herë pas herë i buzëqeshja asaj, gjithmonë duke nënkuptuar se në atë largësi, ajo do e shquante mimikën time.

E kisha njohur prej pothuajse pesë vitesh Lindën, në një galeri arti ku të rinj nga fusha të ndryshme të artit mblidheshin dhe lexonin poezi nën dritat e ethshme të një projektori të vjetër. Atë natë që takova Lindën, nuk e mbaj mend se çfarë i thashë përveçse një lëmshi fjalësh të pashpjegueshme në formë komplimenti dhe përgjigjen e saj pothuajse identike me lëmshin tim. Të dehur, ne qeshëm njësoj dhe pas disa bisedave shkel e shko me belbëzime dhe klithma kënaqësie e gjetëm veten të shembur në një kolltuk me krahë prej druri dhe të përqafuar si dy dashnorë të moçëm. Linda ishte e gjatë, e imët me flokë te verdha si të lyera me një lloj lëngu shkëlqyes. Dhe në tërë shtatin e saj, këmbët kishte pikën më të fortë.

Fliste pak me droje por kjo mënyrë të foluri nuk ishte aspak një drojë e zakonshme prej një femre që kishte turp, por të flisje pak dhe me zë të ulët për Lindën ishte si të haje pa u mbllaçitur apo të urinoje brenda vrimës së bidesë pa lagur anash pllakat, pra ishte pjesa themelore e sjelljes së saj të cilën ajo e quante herë pas here etikë e domosdoshme e qenies njerëzore. Dhe ajo drojë kaq origjinale i jepte portretit saj prej bronxi të larë në shkëlqim, një pamje fisnike. Të ngjallte respekt teksa filste dhe më vështronte në sy dhe për çdo fjalë apo temë fare pa rëndësi ajo përtypej dhe nën gushë i shquhej një si një dallgë e fshehur që lundronte brenda gurmazit. Fliste ngadalë deri sa lodhej dhe më pas, mes gishtash mbërthente gotën e konjakut dhe e pinte me epsh burrëror. Mandej rehatohej, ndizte cigaren dhe m’i ngulte sytë e zjarrtë si egërsirë, këmbët e gjata i hidhte njëra mbi tjetrën, largonte paksa baluket si fije ari dhe teksa të gjitha këto i aktivizonte si pjesët e një ingranazhi, ia riniste bisedës me po atë qetësi dhe drojë të beftë, të sajën, vetëm të sajën.

Nuk e doja ose më saktë nuk e dashuroja Lindën ose saktë fare e doja shumë por jo siç mund të duhet një femër e zakonshme. Në të vërtetë nuk ka femër të zakonshme pasi të gjitha janë të jashtëzakonshme por Linda, përtej kësaj ishte një krijesë krejt e rrallë. Ose së paku kështu e shikoja unë. Ne kishim udhëtuar kaq herë bashkë. Në male, dete, me çadrën e kampingun mbi shpinë dhe me çantat tona të rrobave. Linda përherë merrte me vete dy bluza, ndërkohë unë merrja tre dhe sapo rehatoheshim në vendet tona të fushimit, ajo rrëmonte brenda çantës sime, dhe merrte një nga trikot e mija për ta veshur. E çuditshme vërtetë por unë përherë merrja një rrobë më shumë se ajo dhe ajo gjithmonë përfundonte duke veshur rrobën time, si në një marrëveshje të fshehtë, të pazakontë.

Pra kjo ishte ajo çka e bënte Lindën mbi-femërore si një qenie metafizike ku mes saj dhe meje ekzistonte vetëm një lidhje e largët transhendentale përmes një filli të padukshëm që rrinte gjithnjë i tendosur dhe ruante saktësisht mes nesh distancën e nevojshme që shndërronte Lindën në një muzë, dhe mua në një jo-dashnor. Ishte ky fill i padukshëm që ngërthente në të si pas një trungu këtë lojë veprimesh të koordinuara saktësisht nga telepatia jonë, nga një parandjenjë e kthyer në zakon apo si një bashkëveprim i mirëkordinuar jo nga ne të dy, jo teknikisht por nga forca e mbinatyrshme e cila qëndronte pezull dhe e padukshme mbi Lindën dhe që efekti i saj mbërrinte der tek unë. Ajo forcë që nuk donte t’ia dinte për joshjet, për lidhjet dhe dashuritë e rralla dhe të lodhshme. Që më kthente mua në një krijesë mizore dhe stoike, që s’pyeste për lëkurën e saj të bronxtë, këmbët e gjata e të lëmuara dhe se përtej të qenit joshëse e egër dhe krejtësisht e rrallë, ajo ishte muza e përjetshme e lidhur me shpirtin dhe ekzistencën time dhe jo me epshet e mija të rëndomta.

Ajo po kridhej në detin e errët dhe hera herës kthehej dhe më thërriste t’i bashkohesha asaj duke përplasur duart mbi kokë. Nata ishte e thellë, me ca yje të zbehura tej e tej dhe vetëm në mesin e qiellit mbi kokën time, udha e qumështit ndrinte si një autostradë ajrore mbushur me automjete të cilat qëndronin në vënd. Toka më ngjante e kthyer së prapthi dhe mendoja se ishim ne që vështronim qiellin nga lart, si në një përmbysje të imagjinuar. Dhe vërtetë Linda nuk gënjente. Në të gjitha udhëtimet tona pothuajse, qielli kishte qënë i kthjellët dhe udha e qumështit e mbërthyer në qendër të tij si një harnë gjigande, ia shtonte hijeshinë atij qielli të zymtë . Edhe atë natë kur me Lindën përfunduam duke fjetur në stolat e lulishtes para shtëpisë muze të një shkrimtari të madh.

Ishte dita e ekzspozitës sime. Kisha këmbëngulur prej kohësh që ekspozita të mos mbahej në Galerinë e Arteve siç ndodhte rëndom por në një ambient më të ngrohtë dhe paksa kontemporan dhe në fund ramë dakord me kuratorin tim që ta mbanim në një shtëpi të vjetër dy katëshe të pabanuar prej kohësh. Po vishesha në studion time. Kur po tentoja të lidhja kravatën, hyri Linda. Në dorë mbante një shishe verë të kuqe. Flokët e kapura bisht i jepnin një pamje prej çupeline, pamje të cilën e përforconte herë pas here me çamçakizin që e frynte dhe e plaste duke shkaktuar një poterë aspak të këndshme. Më puthi në faqe dhe pasi u hodh në kolltuk si e rënë nga qielli, më tha se kishte ardhur të festonte me mua ekspozitën e parë. I thashë që s’kishte asnjë shans sepse për pak në vendin ku do mbahej ekspozita do ia behnin ministri i kulturës dhe drejtori i Galerisë, por ajo duke më parë vengër, shtrembëroi paksa buzët dhe pasi hoqi shikimin nga unë duke e ngulur në parketin e ngjyrosur me pikla boje, ia plasi të qarës si fëmijë. Më kot u mundova ta qetësoj.

E mora pranë vetes dhe e mbërtheva fort siç mbërthen një ushtar në luftë mikun e tij të plagosur dhe pasi ndenjëm ashtu për disa minuta, ajo u tërhoq mënjanë dhe duke fshirë lotët, me një zë të përvajshëm më kërkoi t’i bëja një pikture nudo, ashtu dhe aty ku ishte, në atë kolltuk të pistë dhe të shpëlare nga dielli i kushedi sa viteve që derdhej në studio nga dritaret e mëdha të tavanit. Linda u ngrit dhe me lëvizje të shkathëta prej maceje, hoqi rrobat duke zbuluar para meje gjinjtë e saj me majë në formë dardhe. Hoqi mbathjet dhe me njërën dorë mbuloi pubisin ndërkohë me tjetrën përdridhte ca fije flokësh të bëra shtëllungë anë faqes. Zuri vend në kolltuk në një pozicion si e vdekur, duke zbuluar para meje gjithë trupin e saj të mrekullueshëm.

Pikturova tërë pasditen ndërkohë të dy pinim verën e kuqe që kishte sjellë me vete nën tingujt cingërues të ziles së telefonit që binte pa ndërprerë. Në djall ekspozita thashë me vete. Linda është muza ime dhe vetëm në sajë të Lindës unë mund të pikturoj sërish, dhe në të vërtetë ajo ishte ekspozita dhe piktura ime më e shtrenjtë e cila nuk mbërthehej në asnjë telajo dhe kornizë. Ishte shpirti i gjallë i artit të cilin kërkoja të zbuloja dhe të aplikoja pa reshtur përgjatë gjithë jetës sime. Vetëm unë dhe qënia e saj, të veçuar nga bota. Të dehur në atë marrëdhënie aq sublime dhe të paqartë. Të mbetur përjetësisht peng të njëri tjetrit, pa njëri tjetrin plotësisht. Ajo më shërbente mua dhe muzës sime ndërkohë unë, isha rishtar i shpirtit të saj të cilin ditë pas dite, si në një jetë që rifillonte çdo ditë nga e para, rrekesha ta zbuloja dhe ta dashuroja pa e përvetësuar, pa e lënduar. Të dy si Lysieni dhe Esteri të Balzakut të cilët krejt pa dëshirë zgjodhën të mos ishin bashkë po dhe të mos ndaheshin kurrë, duke i shërbyer dashurisë dhe asaj ndjenje të zjarrtë që i tundonte e njëkohësisht i ndante. Pimë shishen e verës dhe pas saj një gjysëm shishe raki të mbetur prej kohësh në raftin e studios. Qeshëm atë ditë si të marrë, me atë që bëmë, me mesazhet dhe sharjet që pareshtur e tërbonin telefonin tim.

Qeshëm me lotët e saj dhe me gjithçka atje përjashtë që kërkonte të gjymtonte qenien dhe ta shkatërronte pa reshtur magjinë që krijonte filli i padukshëm mes një muze si Linda dhe një piktori si unë. Në djall ekspzozita, dhe drejtori, madje dhe ministri. Dolëm në ajrin e fresëkt të natës të dy , duke u mbajtur pas njëri tjetrit dhe përfunduam të shtrirë në stolat pranë shtëpisë së shkrimtarit. Dhe atë natë udha e qumështit rrinte varur mbi kokat tona dhe vishte me magji shtresat e bardha të atmosferës që shtriheshin si kuvertë mbi botë.

Gjatë kohës që Linda po lahej, ndeza një zjarr pranë çadrës, dhe pasi ndjeva zjarrin tek brambullinte, u shtriva sërish në rërë dhe hodha shikimin atje në pikën e errët të detit ku lahej Linda. S’kishim pak që kishim mbërritur në këtë skaj të humbur të botës dhe Linda nuk kishte duruar pa u zhytur në det. Nxora një peshqir nga çanta ime dhe i vara në një litar të shkurtër brenda çadrës të dyja çantat. Peshqirin e vendosa ndanë zjarrit dhe po e ngrohja. S’doja që Linda te ftohej. Pashë që po vinte drejt bregut dhe teksa trupi i zbulohej ngadalë, pas ajo linte si kufomë gjigante atë det të errët dhe të paanë që kutërbonte aromë kripe.

E kundrova trupin e saj që kullonte ujë dhe befas m’u zgjua dëshira ta shtrëngoja në gji deri sa të humbiste brenda meje dhe ashtu e tretur brënda organeve të mija, të mos dilte më prej aty. Të mbetej përjetësisht brënda shpirtit tim, siç mbeten ngjarjet e pakta dhe të rralla që i japin kuptim jetës sonë dhe që të fshehura nga bota me dhimbje dhe xhelozi, i marrim me vete në botën e përtejme. Ashtu i kredhur në mendime, më zgjoi nga kllapia zëri i Lindës, e cila po dilte nga çadra me trikon time mbi supe. Si dhjetëra herë të tjera, me zërin e saj druajtës, më tha: – Hej, ta mora pak këtë trikon, – dhe unë si dhjetëra herë sërish i buzëqesha asaj, muzës sime me lumturinë e përkohshme të njeriut jo-dashnor.

 Qershor 2020. / KultPlus.com

(Foto nga profili i Liridon Mulajt)

Të ngjajshme