Në Vjenë promovohet libri “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”

13 Shkurt, 2020 - 4:34 pm

Të premten në Vjenë përurohet libri “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” i autorit Hazir Mehmeti.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, organizon nesër, më 14 shkurt promovimin e librit “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” të autorit dhe publicistit shqiptar në Austri, Hazir Mehmeti.

“Këtë vepër ia dedikoj vajzës sime Dr. Vlora Mehmeti Tërshani e cila u nda nga jeta padrejtësisht mu në hovin e marshimit shkencor të saj”, ka thënë publicisti i njohur shqiptar në Austri, Hazir Mehmeti.

Libri, ka brumin e tij nga hulumtimet disavjeçare të autorit rreth figurave shumë të respektuara të kombit pa të cilët nuk do ishim këtu ku jemi sot.

“Për disa nga këto figura shkrova në shtypin e kohës në vazhdimësi tani e disa vjet. Aty paraqiten 133 figura kombëtare që studiuan dhe kontribuuan në Austri, kryesisht në gjuhë, art e kulturë, shoqëritë studentore dhe gazetat e asaj kohe”, thotë ai, raporton albinfo.ch.

Shkrimtarja, Violetë Allmuça, nënkryetare e LSHKSH-së, do të lexojë vështrimin e saj rreth librit.
Programi do të shoqërohet me pika muzikore dhe recitime nga disa autorë/e ndërsa në fund do të ketë një koktej rasti nga organizatorët.

Hazir Mehmeti për këtë libër u shpërblye me çmimin “URA “për vitin 2019, të  ndarë nga Shtëpia Botuese “Lena GRAFIK”, në mesin e njëmijë titujve të botuar. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme