Nëna e një djali autik, letër kryeministrit Rama: O, si nuk kam një grusht të fortë t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë

Shtator 21, 2018 - 2:08 pm

Nëna e një fëmije me nevoja të veçanta letër kryeministrit : Deklaruat librat falas për fëmijët me nevoja të veçanta, unë ia bleva me lekët e mia!

“Më thanë nuk i takon!”

Letër e hapur

I nderuar zoti Kryeministër! Po të shkruaj një letër për të bërë publike me ju dhe gjithë shqiptarët kalvarin e madh të vuajtjeve dhe përpjekjeve të një nëne shqiptare, të një familjeje shqiptare, me fëmijë me nevoja të veçanta.

Unë jam nëna e një fëmije autik. Po të tregoj për CV-në time, ndoshta do të më duartrokasësh. Po të të tregoj për vështirësitë që kam hasur këtu në Tiranë me djalin tim me punën dhe jetën, ndoshta do të qash.

Kam punuar mësuese më pas pedagoge e jam autore e katër librave si dhe kam kryer një specializim për psikologji.

“Ndoshta nuk është koha e CV-ve! Kështu thuhet gjithandej. Është koha e ‘miqve’!

Gjithçka funksionon me mik, para dhe ‘përdorje’.

Kur më diagnostifikuan djalin me autizëm infantil, më duhej të vendosesha në Tiranë për të trajtuar me terapi tim bir. I lashë të gjitha.

Ika ,me dhimbjen mëmësore, por me shpresë në zemër.

Ama me dhimbje…Me dhimbjen që ndieja si do e rrisja fëmijën tim autik në mes të kësaj shoqërisë sonë të vrazhdë e të brishtë.

Ishte viti 2009, kur u vendosa në Tiranë. Një ditë të hëne trokita në zyrën arsimore të Tiranës. U takova me sekretaren, me shpresën e madhe se do më mundësonte një takim me drejtoreshën e asaj kohe. Me shpresën e madhe se funksionojnë ligje si bota e zhvilluar, por edhe me shpresë se njeriu në raste të tilla është edhe human. Fytyrën nuk ia mbaj mend, por pozicionin pompoz, thonjtë e gjatë dhe cigaren në duart e saj i kam fiksuar dhe sidomos frazën përmbyllëse të bisedës.

“-Për mendimin tim rri atje ku je!”

Iknin ditët dhe punoja me tim bir me shpresën se e nesërmja do të ishte më mirë. Shpresë njeriu në këtë Mëmëdheun tonë të përbashkët që s’u bë kurrë një vend i hairit .

Të paktën shpresa ishte ilaç!

Për çudi, as miqtë, as njerëzit, as shtetin në të tilla raste nuk i ke. Ikin …përveç familjes.

E kështu me ndërrimin e pushteteve më prezantuan një mik në politikë. Dhe mikut në fakt, nuk kisha se çfarë i jepja përveç CV-së dhe aftësisë sime. Po ai më tha: “Nuk pyet njeri për CV! Mbaj mend, teksa hipa valixhet në makinë, hipa edhe ca ëndrra që në ato momente trishtimi më mbushën shpirtin me dritë. Por duke u përballur me të vërtetën, po kuptoja që isha në një vend mes betonit, zhurmës dhe egërsisë. Më kaploi një dëshpërim i madh. Po krahët e mi ishin prej ajri. Metropoli më shfaqej si xhungël. Jepnin shfaqje dhelprat, ujqërit dhe gjarpërinjtë. Më pas i shoqëronin lepujt. Shumë lepuj. Po unë kisha mall për zogjtë … Ata nuk ishin askund. Ose i kishin ndryshuar, ose i kishin vrarë. Ishte dhe është panorama e shoqërisë sonë.

E kështu fillova të punoja në një firmë italiane. E bëja për djalin tim! Çdo nënë shqiptare do e bënte. Nuk ka asgjë të punosh për të jetuar. Puna është nder. Por e kisha aq eksperiencë 8 vjet si mësuese ku mund të punoja në profilin tim. Më pas me aftësitë e mia punova pedagoge në një universitet privat. E kështu pasuan botimet e librave të mi dhe im bir shkonte në shkollë. Kur iu shoh ju, që bëni udhëtime, foto dhe qeveritarët tuaj e të gjithë deputetët që kanë prona, pasuri marramendëse sikur ua ka sjellë llamba e Aladinit, më vjen ndër mend vargu i Migjenit:

” 0, si nuk kam një grusht të fortë

t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë”

Pak kohë më parë kam fituar një projekt në Top Channel për fëmijët me nevoja të veçanta që kanë talente, për t’i mbështetur dhe promovuar. Do e bëj me shumë dëshirë për të treguar mbështetjen dhe mirësinë time kundrejt kësaj kategorie. I nderuar kryeministër!

Je një artist i mirë, por si kryeministër mund të bësh më shumë për shtresat në nevojë. Dyfishoje pagesën e paaftësisë, se nuk del as për pije freskuese, veshje e jo më për t’i çuar në kurse. Punësoji nënat që kanë fëmijë me specifika të veçanta. Hap një qendër me dy tre disiplina (art e sport ) se nuk i lëmë dot fëmijët tanë rrugëve ku zien pasiguria dhe pisllëqet. Nuk i lëmë dot, as në lagje se i përbuzin. Nëna e një djali autik, letër kryeministrit Rama: 0, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë
Ju jeni artist! Unë di që artistët kanë shpirt të bukur. Bëj diçka të mirë të mbahesh mend, se librat ia bleva me lekët e mia. Edhe pse është me nevoja të veçanta më thanë: Nuk i takon!”

Të ngjajshme