Nerimane Kamberi nesër promovon librin “Qershitë” në KultPlus Caffe Gallery

11 Dhjetor, 2023 - 11:43 am

Shkrimtarja Nerimane Kamberi nesër do të promovojë librin e saj më të ri të titulluar “Qershitë” në qendrën kulturore, në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 19:00.

I botuar në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht, libri është ndërtuar nga tregime të shkurtra.

Tashmë kjo periudhë na duket aq e largët, dhe megjithatë aq e vockël është kjo kohë e cila na ndan nga pandemia vdekjeprurëse botërore dhe nga mbyllja e detyruar. Gjatë atyre orëve të pezulluara, profesoresha dhe shkrimtarja Nerimane Kamberi gjeti frymëzimin për këto tregime të shkurtra, të ndjeshme dhe poetike, të cilat bëjnë jetën e madhe të secilës dhe të secilit. Me mënyrën e saj personale së vëzhguari dhe së treguari, intimin si edhe universalen, autorja na rikujton se kjo periudhë, me gjithë tragjeditë që e shoqëruan, qe e përshtatshme gjithashtu për të vështruar Brenda dhe rreth vetes, një kohë pauze për të vëzhguar të kaluarën dhe të tanishmen, ndoshta për të (t’u) përgatitur (për) të ardhmen…

Nerimane Kamberi (1967, Preshevë) ka jetuar në Belgjikë deri në moshën 20 vjeçare. Ka kryer studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filologjik, ku edhe ka doktoruar. Ajo është e njohur si profesoreshë e letërsisë franceze, shkrimtare, poete, gazetare dhe përkthyese. Shumë e re ka botuar në frëngjisht romanet: Anjesa dhe doktor Simoni dhe Anjesa dhe shtatë pikturat.

Krijime të tjera të saj:  Hoteli Grand (reportazhe), Bluxhinset e grisura (poezi) dhe Një ditë ndoshta (tregime). Nerimanja është organizatore e shumë aktiviteteve frankofone dhe konferencave ndërkombëtare dhe aktualisht është kryetare e Shoqatës së Profesorëve të Frëngjishtes. Është dekoruar nga Shteti Francez me medaljen Urdhri I Palmave Akademike (2019).

Ky event vjen në kuadër të projektit të promovimeve në KultPlus i cili mbështetet nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Të ngjajshme