Nesër në Prishtinë, promovohet libri për aktorin e madh Aleksandër Moisiu

5 Prill, 2018 - 10:30 am

Qendra Multimedia ka njoftuar se nesër më 6 prill do të bëhet promovimi i librit biografik në gjuhën shqipe, të shkrimtarit të madh shqiptar “Aleksandër Moisiu. Trieshtë – Berlin – Nju Jork. Një legjendë aktrimi”, nga autori gjerman Rüdiger Schaper, në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Aktori shqiptar i cili karrierën e tij e filloi në Austri, e zhvilloi në Berlin e në tërë botën, ndërsa e përfundoi ne Itali, Aleksandër Moisiu, mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Moisiu, i cili vdiq në viti 1935 në Vjenë, ishte një ndër aktorët që përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne.
Ky libër erdhi si projekt i përbashkët i Qendrës Multimedia në Prishtinë, Shtëpisë Botuese PA dhe Traduki dhe u botua në nëntor të vitit të kaluar.

Autori i librit, Rüdiger Schaper u lind në vitin 1959 në Worms (Rheinland-Pfalz). Autori gjerman, gazetar dhe kritik teatri, jeton dhe punon në Berlin dhe, që nga viti 1999, punon për gazetën „Tagesspiegel“, ku drejton rubrikën e fejtonit. Libri u përkthye nga Feride Xh. Berisha si dhe është promovuar në Berlin në fillim të muajit mars, dhe tani do të promovohet në Prishtinë dhe në Pejë.

Në Prishtinë me 6 prill 2018, në Skenën e Vogël të Vogël të Teatrit Kombëtar, në orën 11:00. Kurse në Pejë me 7 prill 2018, në Bibliotekën e qytetit “Azem Shkreli”, në orën 11:00./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme