Nezir Kraki: Mos me t’dashtë ty është krim (VIDEO)  

16 Qershor, 2022 - 1:40 pm

KultPlus ju sjell këtë letër dashurie të shkruar nga Nezir Kraki, ku e njëjta letër është lexuar nga aktori Leka Sefla.

…ti je krejt çka ëndërron një mashkull me pasë. Je krejt çka kam ëndërru gjithë jetën të kem. E tash që t’kam, më duket se ende jam në ëndërr.

Je e përkryera e shëndrruar në femër.

Ti nuk e di çfarë force ke. Buzëqeshja jote, bukuria jote, freskia e syve tu, sharmi yt hyjnor, pafajësia jote, butësia jote, droja jote, janë të gjitha burime të pashterrshme lumturie. Janë burim i lumturisë sime sa herë gjendem pranë teje.

Nuk ka germa, fjalë e fjali që mund ta tregojnë atë që je ti, atë që unë shoh tek ti. Je thjesht më e bukur se çdo gjë që gjuhët mund ta përshkruajnë. Je heshtje që flet, je frymë që gjallëron trup e shpirt. Je më e thjeshta që njihet, më e veçanta që takohet, më e ëmbla që shijohet. Prandaj jam i paaftë ta sqaroj besnikërisht atë që je se, siç do thoshte poeti i madh francez René Char, si mund të tregohen gjërat e thjeshta pa u tradhëtuar? Nuk dua ta tradhëtoj atë që je.

***
S’kam shumë sqarime për këtë veç e di që ndjesitë e mia më të thella, më sekrete, më fisnike dhe më të rralla, kanë ardhë drejt teje dhe veç po rriten. Jam dorëzuar tashmë, s’mund t’i ndaloj më dhe as që turpërohem nga ky dorëzim. Në fakt, çuditem me veten time sepse kurrë s’kam besuar që mund t’ekzistojë një person aq i denjë, aq i thjeshtë e aq i plotë në këtë botë të vrazhdë dhe hipokrite.

Ti je ai person.

Ti nuk e di sa e rrallë je në këtë planet. Ti je sinonim i vlerave më të shtrenjta që njeriu duhet t’i ketë. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, je edhe sinonim i sharmit absolut që një femër mund ta rrezatojë me krejt pafajësinë e saj. Je kombinimi më i rrezikshëm i mundshëm por unë e dua rrezikun. E urrej jetën që shikohet. Vdes për momentin që jetohet.

Shpesh mendoj të të nervozoj me kast veç me e zbutë pak atë dozë të pamatshme sharmi me të cilin më pushton. Kam frikë nga vdekja e parakohshme edhe pse s’do kishte vdekje më të bukur se vdekja nga sharmi yt.
Por s’e bëj dot. Nuk dua ta lëndoj atë buzëqeshje, ta trishtoj atë pafajësi. Dua të jem edhe unë burim lumturie për ty, ditë e natë. Atëherë, më lejo të jem regjisor i ëndrrave tua që të sigurohem se edhe mengjesin e nis me buzeqeshje.

M’lejo me t’dashtë dhe dije që…
T’du se je Ti./ KultPlus.com

Të ngjajshme