займ на карту онлайн потребительский кредит

Nga doktoratura e akademikut Zekeria Cana

17 Shtator, 2019 - 4:58 pm

* Materiali i mësipërm është shkëputur nga punimi i doktoraturës së akademikut Zekeria Cana, “Socialdemokracia Serbe dhe Çështja Shqiptare 1903-1914”, botim i vitit 1986.

Korrespondenti i “Rusko Slovo” nga Petërburgu, i cili në shumicën e rasteve është i informuar mirë, më 7 të këtij muaji, i dha gazetës së tij këtë informatë telefonike interesante:

Nga burimet diplomatike merret vesh se kongresi shqiptar që u mbajt në Stamboll tash shpejt, ka rëndësi shumë simptomatike. Siç doli, ky kongres ka karakter shumë konspirativ. Ndryshe nga kongresi austrofil i Triestes, kongresi Shqiptar i Stambollit ishte në kuptimin e plotë shqiptar. Në atë Kongres morën pjesë shqiptarët e vërtetë nga Shqipëria duke filluar nga çifligarët dhe përfunduar me klerikët dhe mësuesit.

Kongresi konstatoi se Shqipëria autonome e propozuar nga shtetet e mëdha do të jetë formalisht nën suzerenitetin e sulltanit, por në fakt do  të jetë arenë e smirës së fortë mes Austrisë dhe Italisë, të cilat popullit shqiptar ia nxijnë jetën me mjerim.

Kongresi pastaj vendosi: meqë Shqipërisë nuk mund t’i garantohet pavarësia e plotë dhe e mirëfilltë, ajo duhet të hyjë në unionin real me Serbinë. Rezoluta e këtillë u miratua në Kongres. Këto vendime do të përpunohen, motivohen dhe shtrohen në një memorandum të posaçëm, i cili do t’u dërgohet mandej Fuqive të Mëdha. Pjesëmarrësit e shquar të Kongresit ndërmorën hapat praktikë për realizimin e unionit serbo-shqiptar në frymën e rezolutës.

Kështu, për shembull, kryetari dhe iniciatori i Kongresit shqiptar, Aris Sikmeti(Arif Hiqmeti), i cili drejtoi të gjitha punimet, shkoi nga Stambolli në Beograd që të zhvillonte negociata me përfaqësuesit shtetërorë për realizimin e unionit serbo-shqiptar. Me një telegram tjetër nga Stambolli lajmërohet: krerët shqiptarë, ish-valiu Fejzi, avokati Çako dhe ish- shefi Halil Beu, u larguan dhe shkuan në Shqipëri. A thua dëbimi i tyre mos po lidhet me vendimin e Kongresit? Vallë shkuarja e tyre në Shqipëri nuk do të thotë se pjesëmarrësit e shquar të Kongresit, siç shkruan Rusko Slovo, bënë hapat praktikë për realizimin e unionit serbo-shqiptar? Kush mund ta dijë!

Por ideja e unionit serbo-shqiptar dhe e unionit të përgjithshëm ballkanik është krejtësisht e shëndoshë. Edhe kjo ide s’është e re te shqiptarët. Ata udhëhiqeshin nga kjo në kohën e kryengritjes së Karagjorgjit, së cilës i dhanë përkrahje, këshu që edhe Karagjorgji u drejtua kah ata që ta përhapte kryengritjen. Më 1829 Mustafa Pasha tok me gjithë shqiptarët ia mësyu Stambollit, duke dasur të sthinte në dorë edhe Plovdivin dhe kur arriti afër Kumanovës – e grishi princ Milloshin për bashkëpunim. Princ Milloshi, i cili deri atëherë me atë zhvillonte vite me radhë bisedat e marrëveshjes, e braktisi në momentin vendimtar dhe ai e pati. Më 1843 dhe 1847 shqiptarët bënë përsëri kryengritje dhe u përpoqën të bashkoheshin me Serbinë, por ajo në vend që të merrte parasysh këtë bashkësi, më 1848 i dërgoi trupat e saj për shtypjen  e revoluconit hungarez. Shqiptarët u përpoqën të bashkëpunonin edhe me princ Mihailin, por ai i braktisi për 5 qytete. Edhe pas kësaj ata donin të hynin në bashkësi me Serbinë, kështu që më 1878 i ndihmuan repartet e vogla të ushtrisë serbe të depërtonin në Kosovë, kurse Serbia pas kësaj i dëboi në mënyrë armiqësore. Edhe tani, në pragun e kësaj lufte, shqiptarët kërkuan bashkësinë me Serbinë, kurse politikanët e kufizuar serbë nuk i përfillën fare.

Përkundër të gjitha këtyre, s’është e pamundur që shqiptarët prapëseprapë të kërkojnë bashkësinë me Serbinë. Këtë mundësi e kemi theksuar para 15 ditësh. Vetëdija e shëndoshë e shqiptarëve di të nxjerrë përfundim të drejtë: se Austria dhe Italia përkujdesen rreth “autonomisë” kinse të Shqipërisë, jo për të mirën e shqiptarëve, veçse nga shkaku i planeve të tyre të mëtejshme koloniale dhe imperialiste. Që të mos jenë arenë e lojës së pashpirt të bishave kapitaliste, shqiptatrët arrijnë në përfundim krejtësisht të drejtë: se shpëtimi i tyre qëndron në unionin me Serbinë, sikundër që edhe për të gjithë ballkanasit i vetmi shpëtim qëndron në unionin e përgjithshëm ballkanik, në Federatën Ballkanike, në bashkimin e të gjitha forcave ekonomike, politike dhe kulturore.

Ne ia kemi drojën politikës prej kabineti të qeverisë sonë, politikë kjo e kufizuar dhe e egër, që nuk është në shërbim të popullit serb dhe të popujve ballkanikë, veçse të Rusisë dhe të disa Fuqive të Mëdha, politikë kjo që do ta rrënojë disponimin e shqiptarëve për union. Dhe ky disponim ekziston sot e gjithë ditën, anise Serbia u përpoq ta shkatërronte. Lypset pritur që ky disponim, të cilin sundimtarët tanë dhe qeveritë tona e tradhëtuan rrafsh njëqind vjet, të përqafohet nga masat popullore, kështu që ato ta detyrojnë qeverinë që të krijohet kjo bashkësi me shqiptarët, të cilët kërkojnë bashkësinë. Kjo bashkësi jo vetëm që do të ishte vetvetiu e mirë, një gjë e mirë edhe për sërbë, edhe për shqiptarët, por në anën tjetër do të lehtësojë ngritjen e bashkësisë së përgjithshme ballkanike, ku popujt ballkanikë do të orientoheshin lehtë pas unionit të Serbisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

*

Shkrimi në fjalë është pjesë e kapitullit “Shtojca materialesh” dhe është publikuar në mars të vitit 1913 në gazetën “Radničke Novine”(Nr. 37, 13, III. 1913), organ i Partisë Socialdemokrate serbe dhe Unionit të Punëtorëve. Më vonë ky organ kaloi në varësi të Partisë Komuniste Jugosllave.

Shkrimi hedh dritë jo vetëm mbi një fakt si ky i kërkesës për një bashkim serbo-shqiptar, por edhe mbi mendimin e kohës në qarqet e majta për dobinë e tij, duke i njohur shqiptarëve avantazhin e të qenit në krye të kësaj ideje. Sigurisht që kjo është sipërfaqësore – mjafton të kujtohet se për historinë e Shqipërisë Arif Hiqmeti nuk thotë gjë, përveç faktit se ai është vrarë në vitin 1916 dhe dyshohej si agjent i osmanëve.

Por mënyra sesi e majta serbe e sheh çështjen i jep tjetër kontekst asaj që ndodhi në vitin 1941 – 1948 mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Bashkimi i dy partive dhe më tej prirja për Federatën Ballkanike nuk ishte thjesht një një aksident historik që i duhet faturuar Enver Hoxhës vetëm, por shprehje e një mendimi historik të një grupimi që e gjente në historinë e afërt tendencën e afrimit mes dy popujve. Në çdo rast materiali ka një farë interesi dhe bart në farë aktualiteti tani që diskutohet mes Serbisë dhe Kosovës, por në një tjetër qasje dhe të tjera premise.

Të ngjajshme