Ninullat e mistershme të nënës

28 Shtator, 2022 - 3:17 pm

Shkruan: Sabile Keçmezi- BASHA

-Kush je, më trego kush je ti, dhe nga të njohë unë… – këto fjalë i përsëriste nëna për të satën herë të cilat iu ishin ngulitur thellë në memorien e saj. Këto fjalë i përsëriste vazhdimisht, si refren të lodhur të ndonjë lipsi, duke më shikuar paturpësisht, ngultas në sy. Nganjëherë më merrte dorën e më përkëdhelte gjatë, duke e ndjerë nga afër hukamën e saj. E në të shpeshtë, i shihja shumë pika loti që i shkonin rrëke faqeve të zbehura. Kjo pamje ishte aq trishtuese sa fillova të ndjeja dhembje në gjoks, e koka më vlonte nga mërzia. Gruaja që qëndronte në shtrat, herë-herë më ngjante në një fëmijë të hajthëm, e herë-herë në një qenie të pa djallëzuar që posa kishte ardhur në këtë botë dhe që nuk e ngarkonin në asnjë mënyrë mëkatet e jetës. Kjo pyetje e saj, e njëjtë e e pa kuptimtë më bëhej brenda ditës me qindëra herë. Dhe vazhdonte në ditën tjetër, me të njëjtin avaz të shumë përsëritur, duke i zgurdulluar sytë tej mase:

-Kush je ti, kush je… që kujdesesh aq shumë për mua, -më ngulmë më pyeste, dhe vazhdonte me një zë çjerrës – e din ti se sa shumë i përngjan vajzës sime- Bardhës, që është diku larg… shumë larg… – dhe drejtonte duart kah tavani i dhomës si ndonjë fëmijë, dhe përsëri humbiste në labirintet e errëta të mendjes, pa ditur të kthehej nga andej…

Me net të tëra qëndroja pran shtratit të saj e shqetësuar dhe e pa gjumë. Ato ditë isha tejet e lodhur. Me net të tëra u rropatja më kot, duke u munduar që të zija fillin e kujtesës së saj të sëmurë, që u frikësoja tej mase se ishte i pa riparueshëm. Bile, në vendin që punoja, kërkova për të më vazhduar pushimin, që të qëndroja pran nënës, vetëm e vetëm që ti ndihmoja në freskimin e memories, që tani veç u shihte se ishte i dëmtuar seriozisht.

Një ditë, duke u munduar për ta larë, befas e vërejta se sa e brishtë e e dobësuar ishte nëna. Iu kishin tkurrur eshtrat dhe iu ishte rrudhur tej mase fytyra. Por, për çudi flokët kishin filluar ti mbulonin kokën tullace, që më herët e kishin qethur mjekët tërësisht në qytetin, nga vinte. Thjesht i ngjante një foshnje shtatëmuajshe që vetëm me një dorë mundja ta vendosja në vaskë dhe ta laja për njëmijë qejfe të saja. Se thënë ndryshe, ajo ujin gjatë tërë jetës e pati dobësi. Bile, më herët më tregonte, sa isha unë e pa martuar, dhe sa ishte mirë nëna me kujtesën, se pa asnjë fije përtese, gjatë një dite ndodhte që të bënte dush dy e tri herë. Na tregonte edhe këtë se, shpesh babai e gërgiste, duke i thënë se nga larja e tepërt e trupit, kishte filluar të zvogëlohej e të bëhej si bluza e bardhë e Mozës, (e Moza, ishte motra ime më e vogël që pa u vërejtur lëshoi shtat dhe rrobat e mëhershme nuk i vinin tamam. Ishte edhe e llastuar, por të gjithë ne e donim shumë e sidomos babai që i plotësonte çdo dëshirë të saj. Ishte kanakarja e familjes). Na tregonte nëna, se pastaj ajo u bënte se, gjëja u hidhëronte e po prekej tej mase, e me një fytyrë të bërë spec, kishte reaguar pa ditur se si të hidhërohej në të vërtet- na rrëfente duke qeshur. Edhe tani më tingëllon në vesh buzëqeshja e saja me plot zhurmë e jetë. Është për tu çuditur, se ne, fëmijët asnjëri nuk i kemi ngjarë asaj. Ajo ka pasur një qeshje karakteristike që i ngjante gurgullimës së burimeve, të zhurmshme dhe jehuese. Kur qeshte ajo, njerëzit kthenin kokën dhe e shikonin se sa ëmbël qeshte. I thosha shpesh , – O Ma, ke qeshje infektuese ti, se kushdo që të dëgjoj duke qeshur, ka për të qeshur edhe tjetri pa e ditur arsyen e saj. Ajo qeshte pastaj edhe më tepër, me gjasë i pëlqente që ti epnin komplimente. 

Deri sa qëndroja pran saj, në dhomën e gjumit, i mendoja të tëra këto. E këso momente kisha me bollëk. Herë-herë nuk dija se ku ndodhesha duke menduar për të. Pa dashur, humbsha në kohë e hapësirë, ngase edhe ashtu siç ishte realiteti, nëna dot nuk më kuptonte dhe assesi të gjeja rrugën e përshtatshme të komunikimit me të. Njëherë kisha mendua, epo tani në këtë gjendje siç ishte nëna, thënë të drejtën e kisha më të lehtë që ta laja, ngase nga një grua e shëndetshme, e plotë, e shumë kilogramësh që kishte qenë, ajo tani më, ishte shndërrua në një grua-skelet, dhe se banja, me ujë të ngrohët i bënte shumë mirë, se, pastaj flinte e qetë si qengji.

Në fillim, mjeket na kishin propozuar që ta vendosnim në një sanatorium, ku i kishin vendosur shumë të sëmurë  kësisoj, që kishin ardhur nga zonat e luftës. Por, unë nuk lejova. Besa, në këtë, më përkrahu edhe burri, se përndryshe në ditët në vijim do ta kisha shumë të vështir, pa ndihmën e tij.

Ishin ditët e para të korrikut, dhe në qytezën ku jetonim ne, bënte vapë e pa përballueshme. Në banesën ton, që ishte nën kulmin e një ndërtese shumëkatëshe, kishe përshtypjen se i kishin vu saçin. Në ato ditë, banesa nga brenda ziente. Nëna, si rëndom ishte shtrirë në shtrat dhe shikonte ventilatorin që rrotullohej me një shpejtësi marramendëse, dhe qetë-qetë e freskonte nënën. Në banesë, kishim të instaluar edhe klimën, por ajo nuk e duronte dot. Ndërsa, zhurma e shushuritja e rrotullimeve të ventilatorit, që i ngjante një zukame gjinkallash, disi… po…në një mënyrë të pa zakontë e qetësonte. Shpesh e vëreja, se si me ngadalë, i mbyllte qepallat, dhe… heshtte me orë të tëra, ose kotej në jastëkun ngjyrë bari. Derisa e shikoja se si pushonte e qetë, më brente kureshtja, athua se çfarë mendonte derisa qëndronte e nemitur.

Atë ditë të nxehtë, valë, kërkoi vetë që të bënte dush, ashtu spontanisht preku ujin dhe më tregonte se ishte shumë e djersitur. Ky reagim i saj më befasoi këndshëm. Shpresoja, se ndoshta nëna kishte filluar të bënte çapitjet e para për tu kthyer nga “udhëtim” i largët. Pas pak, hyri vetë në banjë dhe me një tas i hidhte kokës ujë. Mbeta e shtangur. Nëna bënte banjë turke, këndshëm u befasova. Flokët sapo kishin filluar ti mbulonin kokën e shogët, ngase, gjatë qëndrimit në kamp, mjekët ia kishin hequr tërësisht.  Dhe kur në mbrëmje erdhi Besi nga puna, i tregoja se çfarë kishte bërë vaki. Ai mbeti gojë hapur duke mos më besuar.

-Po si është e mundur…, kur ajo nuk donte as të lëvizte nga shtrati,- më pyeste mua dhe veten.

-Me gjasë kishte shumë të nxehtë, -i thash.

-Dhe ç’bëre pastaj, a e lave, -më pyeti me një zë kureshtar.

-Po, po… edhe ashtu e kisha ndërmend që ta pastroja, por sjellja e saj më befasoi… –iu përgjigja me një zë pakëz melankolik. Ai më shikonte dhe bluante diçka në brendinë e kokës. Njëherë mu duk se nuk më përfilli fare, dhe u nevrikosa pa masë. 

-Dëgjo or, këtu. Këto që po i tregojë, nuk po i tregojë vetëm sa për të thënë se si nëna e kishte vapë, se si e lava dhe se si e vura në gjumë, por qëllimi është diku tjetër. Ndoshta… kjo që të thashë, mendojë se do të jetë ndoshta edhe ndonjë shpresë…ndonjë fill i ri, apo, ndoshta, edhe e kot… por le ta marri lumi, se sot jam pakëz më e shqetësuar. Dhe… derisa flisja me një gjuhë-breshër, ai vëngër më shikonte, dhe thellë në vete e ndjeja se fare nuk më besonte në fjalët që u bëja kadi t’ia thosha. Për një moment u ndala, dhe në sytë e tij hetova se diçka nuk shkonte… diçka po e mundonte…

-Vazhdo…vazhdo…ç’ke… pse u ndale…- me pyeti.

-E pse të flasë, kur po e vërej se ti këtu në këtë muhabet po mungon, diçka po të mundon, e unë asgjë nuk dijë. Çka po ndodhë kështu. Nuk je fare këndej pari… Pse s’ma thua se çka ka ndodhur. O zot, pëshpërita, më tepër për vete. Në moment e vërejta dhe u brengosa për veten, se, kisha filluar të marri disa veti egoiste dhe kisha filluar të mos jepja pesë para për dhembjet e të tjerëve. Kisha harruar se edhe të tjerët kishin familjar dhe kishin shumë probleme që duhet kujdesur edhe për ta. Në moment mu kujtuan prindërit e Besit, që të dy ishin ulokë e të lodhur. E mos të flasim për të tjerët…- mendova ethshëm.

-Më trego, të lutem… më thuaj çfarë ka ndodhur…, – më pyeti Besi disi i zënë në faj.

-Asgjë s’ka ndodhur, -vrullshëm reagova.

-Fol… Ti, se të shoh, se je i shqetësuar…

-S’është e vërtet. Unë vetëm po pres që të marrë pjesë ashtu pahetueshëm në shpresat e gëzimet tua. Por, pse nuk më thua, pse nxiton aq shumë në kthimin e kujtesës së saj. Unë jam thellë i bindur se ajo, një ditë do të kthehet… kur do të kthehet, ajo do ta zgjedhë momentin më të mirë… dhe më të duhur. Por, mos u shqetëso kot për mua. Se… sot, në qendër sistemuam edhe disa familje tjera që kishin ardhur nga Kosova. Por, vërtet, nuk jam i qetë, se edhe kur jam i lodhur, ti e nëna, nuk më shqiteni nga mendja. Sa më dhembesh, tej mase më dhembesh, kur të shoh se sa shumë po vuan…- dhe heshti, për të vazhduar.

-Ti e di se çka ka përjetuar nëna. E di ti, se ajo e ka parë vdekjen me sy. Je e vetëdijshme se ajo ashtë kthyer nga ferri vet… E ti e nxit… vazhdimisht e nxitë… E provokon në njëmijë mënyra, vetëm e vetëm që ti, kujtohesh ti… fëmijët… Bllaca, kampi, vrasjet, rrahjet, fyerjet, sharjet, mundimet, lotët, nata e pa fund, lufta e çka jo tjetër… Të këshilloj, lere të qetë… ajo ka nevojë për pushim… shumë pushim… A nuk e vëren se ende nuk është e gatshme që të kthehet në reale… Të kam treguar se jam konsultuar me atë psikologen e re, Albinën, më dukej se kështu e thërrisnin, që ka ardhur nga Kosova. E di çfarë më ka thënë…- bezdisshëm shikoi në drejtim të hekurudhës, andej nga u digjua një ty-ty e mërzitshme e trenit, dhe shtoi

– Po normal, se nuk e di… Me qëllim nuk kam dashur me të tregua. Ajo më tha “Lëne të qetë nanushin… besoni se ajo do ta zgjedhë momentin e duhur, kur do të kthehet… Ajo vetë do të vendos kur do të jetë e gatshme për ballafaqimin me ju… me realitetin…”. Andaj, e dashura ime,(mu bë se me qëllim e theksoi këtë fjalë ngase kishte shumë kohë që fjalë përkëdhelëse nuk i kishim thënë njëri tjetrit), të kisha preferuar, mos e mundo shumë atë, dhe veten. Mos e bezdisë kot së koti, jepi hapësirë për riparimin e kujtesës…- më tha një tog fjalësh në sekondë, duke mos më lënë shteg tjetër për të vazhduar bisedën e nisur.

-E di…E di… – belbëzoja dhe humba fillin e mendimeve që doja ti tregoja se çfarë kishte ndodhur, derisa e laja nënën…

Besi mori një qëndrim më superior se zakonisht. Pastroi gurmazin duke u kollitur, piu një gllënjkë ujë dhe më shikoi drejtë në sy.

-Çfarë ka ndodhur…pastaj? – më tha shkurtë.

Për një moment humba dëshirën për të folur, për ti treguar dhe për tu arsyetuar në të njëjtën kohë.

-Nejse…- i thash, 

-Harroje këtë bisedë… -dhe bëra me dorë që të heshtë, duke u ngritur nga tryeza.

– E di… e di ti, se të këqijat kur vijnë, vijnë me grumbull- më tha, – Nuk desha të të tregoja… por jam i shqetësuar… se dy vëllezërit e mijë policia paramilitare, mora lajmin se para disa dite i paska arrestuar. Dhe s’mund ta marrësh dot me mend se ku i kanë dërguar.

-Ku i kanë dërguar, – e pyeta e trishtuar.

-Merre me mend… me një grumbull të rinjsh i kanë mbyllur në Burgun e Vranjës…me siguri nuk do të kthehen të gjallë nga aty, -pëshpëriti me një zë që më futi datën.

Vetvetiu më doli një zë i pa artikuluar nga goja, që nuk i ngjante as vajit e as piskamës, por ishte një ulërimë dëshpërimi e frike që doli nga brendësi e shpirtit.

-Si është e mundur, ku i kanë nxënë…,- dhe njëmijë tablo të tmerrshme më dilnin para syve. O zot, nuk guxoja të flisja për frikën që ndjeja. Ata i doja si ti kisha vëllezër, e tani… e tani si ta ngushëlloja Besin për këtë që na kishte ndodhur. I harrova të gjitha. Në atë moment, më ishte më e rëndësishme si të gjenim zgjidhjen për Gurin e Shpatin, që nuk dinim asgjë për fatin e mëtejshëm të tyre. Çka tani… dilemat ishin tejet të mëdha, e mundësit për t’iu ndihmuar ishin fare- fare të vogla.  Kujt ti drejtohemi, nga kush të kërkonim ndihmë, si të biem në kontakt me ta. Jeta e tyre ishte në zgrip.

-Para një jave, një ditë, herët në mëngjes, deri sa fshataret u ndodhnin në gjumë, paramilitarët kishin hyrë derë më derë dhe i nxjerrin jashtë. I grumbullojnë që të gjithë para xhamisë së fshatit, bile me veti kishin marr edhe atë Colin e pa lëvizshëm, që e kishin hipur në një karrocë dore dhe e kishin sjellë në mes të fshatit. Në fillim fshatarëve iu kishin thënë se do iu kallnin shtëpitë, pastaj iu kishin thënë se do i pushkatojnë, e më vonë, nga turma i nxjerrin ata më të rinjtë dhe i qojnë në drejtim të panjohur. Pleqtë kishin reaguar, duke mos u pajtuar që ti marrin ata, por në vendin e tyre të shkonin ata vet, duke iu thënë se ata janë fëmijë, dhe nuk dinë asgjë për luftën që e keni nisur ju para pesëdhjetë viteve. Gratë kishin qarë me lot duke i lutur burrat e tyre që ti shpëtojnë fëmijët. E, ata… kriminelet, kishin kërkuar para… shumë para për këmbim me të arrestuarit… Gratë kishin ofruar stolitë e tyre prej ari, burrat kishin zbrazur kuletat e tyre, por ata kishin kërkuar ende… ende… derisa një fshatari durimi i kishte ardhur në grykë dhe me një shenjë të bërrylit iu kishte treguar se çfarë meritonin. Atëherë, ata ishin tërbuar si bishat dhe tre veta nga ata kishin shti me rafalë në drejtim të tij… dhe ai kishte mbetur i vdekur, në vend. Edhe sot gruaja e tij po e ruajtka këmishën e tij të gjakosur,- më tregoi burri me një frymë.

Kishim humbur në bisedë, nuk dinim si ta ngushëllonim njëri tjetrin. Në dhomë u futë vajza e vogël e shastisur, duke mu drejtuar mua,

-Ma, o ma… gjyshja i kërkon flokët e veta, dhe flet diçka që unë fare se kuptoi,- Vrapova në dhomën ku qëndronte nëna, iu ofrova me kujdes që të mos e trembi. I ledhatova kokën që kishte filluar ti mbushej me flokë të thinjura

-Motër… – mu drejtua me një zë autoritativë, -ku i kam flokët, pse mi keni prerë, dhe filloi ti kërkonte me dorë nëpër kokë. Çka të bëjë tani… kur të vijnë fëmijët e mi për të më marrë me vete, si do të shkojë, unë… tullace, -dhe filloi të qante me zë. Lotët e saj më këputnin shpirtin dhe gjendja e saj hallucinative më trembte tej mase. U përkula që ti puthja faqet e zbehura, t’ia ledhatoja kokën prej fëmije. Ta ndjeja pranin e saj si dikur… kur isha e vogël, shumë e vogël, dhe shtrëngimi i saj në gjirin e ngrohtë, më jepte siguri për të vazhduar më tej…

E përqafova dhe e shtrëngova fortë. Ajo më shikoi habitshëm, por e ndjeva se filloi të qetohet. Ngadalë, por butë më largoi nga vetja. Më shikoi drejtë në sy… me dorë më largoi flokët nga balli, dhe mi fshiu djersët që më kishin mbulua fytyrën…

– Uha… sa erë të mirë që mbanë…- më tha,

– Edhe unë e kam një vajzë… kështu… në moshën tënde…por…- heshti një copë herë, dhe shtoi – nuk e di ku është, por e di se një ditë do të vijë të më merr me vete…

E shikoja… dhe për të parën herë nuk dita çfarë ti them nënës sime, që errësira e kishte përpirë të tërën. Sa mistere ka bota njerëzore, mendova. Ti thosha se unë isha bija e saj, ishte e kot. Ti thosha se ti je nëna e ime, edhe kjo nuk bënte, se, sa herë që i thosha, ajo u fyente. Megjithatë, për të miliontën herë vendosa, ta dua, ashtu, në heshtje, edhe pse ajo nuk e kishte të qartë. Pas një momenti, derisa e mbaja në kraharor, frymëmarrja iu rregullua, tik-taku i zemrës i rrihte me ngadalë dhe ashtu në heshtje filloi të këndoi me një zë të nxjerr si prej dheu “Nina- nana, bija ime, u bëfsh nënë e u bëfsh trime”, dhe e zuri një gjumë i qetë sikur të ishte  fëmijë.

Në dhomën ku flinte nëna, kujdestaronimë me rend, unë, fëmijët dhe pak më rrallë Besi, edhe pse ai kishte kërkua shumë herë, ne nuk e lejuam ngase ai punonte me ndërrime, dhe ishte tepër i lodhur. Atë natë, në dhomën e nënës isha unë. Ishte një natë e nxehtë- valë. Kisha përshtypjen se nuk bënte punë as rrymimi i ajrit që kisha krijuar në dhomë, e as kaloriferi që u rrotullonte me një shpejtësi marramendëse. Çdo gjë ishte e nxehtë… Lexoja një libër… sa për të lexuar… për të kaluar kohën. Megjithëse më pëlqente Niqea, kisha marrë librin ”Kështu fliste Zarathustra”, por, ama asgjë nuk kuptoja. Fillova fletëve ti kthehem nga dy e tri herë, për të kuptuar gjë…por e kot… Njëherë mendova se fajtore ishte gjuha e shkruar angleze, por shpejt hoqa dorë nga kjo dilemë… dhe përsëri lexoja… lexoja…

Nuk e dija sa ishte ora, por mendojë, se diku afër mëngjesit ishim, kur dora e lodhur e nënës më tërhoqi nga krahu. Mendova se donte gjësend, dhe brofa në këmbë për ti sjellë gjërat që i kërkonte.

-Nuk dua gjë…- më tha, – vetëm më sjellë atë setrën e zezë … atje… nga dollapi… – dhe drejtoi dorën në drejtim ku i kishim vendosur gjërat e saja.

I solla setrën që e kërkonte. Ia dhashë duke e lutur që të vazhdonte gjumin, se ishte akoma herët për tu zgjuar.

-Po, po… unë do të flejë, por para se të flija desha të të pyes diçka…- dhe me rrëmbim më mori setrën e vet nga dora, ethshëm, duke kërkuar diçka në gjepat e saja.

Mendova, se çfarë kërkonte… Athua do të jetë diç shumë e rëndësishme për te, që aq me ngulmë e kërkonte  në këtë kohë. Hulumtonte si fëmija çdo cep të saj. Pastaj futi doçkën e saj të vockël në xhepin e brendshëm të setrës. Thënë të drejtën, as që e kisha vërejtur se ka aty ndonjë xhep. E futi dorën, mori diçka të mbështjell me kujdes, dhe për një çast u ndal, e vëreja se hezitonte për të më treguar se çka fshihte aty. Pa menduar fare, i shtriva dorën, e hapa shuplakën dhe pritja të më lëshonte në dorë gjënë e fshehur që e kishte ruajtur me aq xhelozi. Edhe njëherë më shikoi dhe si në besim, zakonisht siç shikojnë fëmijët e pa djallëzuar, më tha:

– E shef këtë… -dhe me ngadalë shpaloste letrën e zhubravitur, duke nxjerrë një fotografi dhe më lëshoi në dorë.

– Kjo… e shef… është bija ime…- më shikonte pa mi shqitur sytë. Mbeta e shtangur. E ç’të shihja… në fotografi isha unë… unë… që me ditë e muaj u mundoja ta ktheja nënën time nga ai labirint i tmerrshëm.

– Nënë… e thirra nëpër mes të vajit, e shtrëngova sa munda, me gjasë i shkaktova edhe dhembje. Se pas saj, nxori një zë të çirrmë.

– Nënë… unë jam… unë jam kjo… që e shef në fotografi,- Zgurdulloi sytë habitshëm, filloi të më prekte me butësi që kurrë nuk e kisha përjetuar më herët…Me letrën e zhubravitur që e mbante në dorë, filloi të mi fshinte lotët. Më ngadalë më afroi pran vetes. Më përqafoi fort duke më puthur në të dy sytë.

– Oh….- rënkoi me dënesë, duke thënë edhe ajo në mes lotëve,

– Mos qajë… mos qajë tani… vogëlushja ime e mirë,

– Nënë…o nënë… të kujtohem tani… – thash duke belbëzuar,

– Më njeh… se unë jam Bardha…

Ngadalë, lëvizi kokën në shenjë pohimi dhe lotët i rrëshqitën faqeve. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme