займ на карту онлайн потребительский кредит

“Një kohë pa kohë”, dashuria e një ushtari italian për shqiptaren

16 Nëntor, 2019 - 10:30 am

Janë tri romane në një, “Eleonora”, “Nata e gjatë e Alberto Savianit” dhe “Burri që donte të vdiste” që vijnë në librin “Një kohë e pakohë”. Për autorin në njëfarë mënyre koha sot është e përcaktuar. Është një kohë e botës, e lëvizjes së yjeve, e sistemeve qiellore, një kohë e zhvillimit, e jetës, e ripërtëritjes. Lëvizje në kohë, ngjarje në kohë, e megjithatë në botën e shpirtrave duket se kjo kohë me një drejtim të caktuar jeton në një gjendje tjetër, jo fizike. Ajo herë zgjatet në kufijtë e së përjetshmes apo është konstante, herë-herë shkurtohet. Madje, edhe historia e një dite apo e një jave merr dimensionet e të gjithëkohëshmes, një vlerë të gjithëkohëshme apo absolute siç e gjejmë tek filmi “The Bridges of Madison county” me Meryl Streep dhe Clint Eastwood. Sipas Ramës, ndodh nganjëherë që njeriu të harrojë kohën në të cilën jeton, kohën që s’ka kohë edhe pse akrepat e kohës fizike ecin normalisht në të njëjtin drejtim. Tri pjesë romaneske të këtij libri, ku personazhet pikëtakojnë të kaluarën, rijetojnë me të dhe dalin nga skena me një shpirt tjetër që thua endet në ajër dhe me një dëshirë për të rijetuar kohën që ka mbetur… Më poshtë pjesë nga pasthënia.

Koha reale dhe ajo e shpirtit
Shumë pyetje vërtiten rreth konceptit të kohës. Cili është vallë koncepti i kohës në qelinë e një të dënuari me vdekje që pret ekzekutimin e tij, e një njeriu që humbet lirinë, ndryshe nga jeta e një qytetari të lirë në jetën e tij të zakonshme. Si përjetohet koha në udhëtimin e vetmuar në një shkretëtirë. A nuk përjetohet ndryshe koha e dashurisë? A nuk ndodh që koha të nderet në ajër në jetën e dy qenieve të përgjëruar, të ndarë dhe që pikëtakohen sërish? Ne asnjëherë nuk e dimë se sa kohë jetojmë, madje këtë nuk e kemi në dorë, ne jemi të pafuqishëm ndaj kohës.

Për personazhet e Mazit dhe Eleonorës tek “Eleonora”, 40 vjet të ndarjes së tyre shkurtohen aq shumë, sa ata ndjejnë se koha nuk ka lëvizur, është po ajo kohë e dashurisë, thua se papritur, pas një nate tepër të gjatë e të mjegullt, ku të gjitha hijet ishin shuar, ka ndodhur eklipsi. Vitet shkurtohen si me magji në kufirin e një dite. Po kështu dhe për Arturin dhe Adrianën te “Burri që donte të vdiste” koha çuditërisht u kthye mbrapa sikur akrepat të fillonin të lëviznin me shpejtësi në kah të kundërt për t’u rikthyer e rigjetur aty ku ishin ndarë, me të njëjtën ndjenjë dhe ku koha e kaluar, koha kur e kishin humbur njëri-tjetrin, harrohet, shuhet e kthehet në mister. Vallë ushtari italian Alberto Saviani, i harruar që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, përballë ish-të dashurës së tij Laura, tek “Nata e gjatë e Alberto Savianit”, a do ta gjejë nocionin e kohës dhe identitetin e vërtetë të tij…? Kështu, koha në dashuri, ashtu si dhe koha në pasionin e madh të punës, të krijimit, të ndërtimit të bukur të botës, gati harrohet dhe të ngjan se askush nuk mendon për kohën që shkon, sikur të jetojmë në një lloj mistike. Mikelanxhelo harrohej nën kubenë e Sikstinës dhe vetëm kur drita e bardhë e agut shfaqej nga jashtë, kjo e bënte të kujtohej se kishte kaluar gjithë natën në ethet e krijimit të figurave hyjnore.

KRITIKA
Kritikja Maria Dojçe është ndalur te profilet psikologjike, sociologjike dhe kulturore të romanit “Një kohë pa Kohë” të shkrimtarit Luan Rama. Sipas saj, ai ndërthur tredimensionalitetin e përvojës jetësore në kontekstin kohor. Personazhet e trajtuara në këto romane vishen me ngjyrime force, ankthi, emocioni, paranoje, besimi, heshtje, mënjanimi, keqardhjeje, nën konturet dhe vijëzimet e parimeve shoqërore të gërshetuara me represion kulturor.

Eleonora, një vajzë e ndrojtur, mjaft e bukur, e rritur nga një nënë indiferente dhe një baba i dhembshur, mendon se gjen ngushëllim shpirtëror tek koloneli Sharl (mik i babait të saj), ndërsa vetë koloneli Sharl përshkruhet në përmasat e heroit kombëtar, një njeri i dhembshur, me shpirt të madh, i cili ndjehej i realizuar përkrah gruas së tij të re dhe titullit ‘Kolonel’.
Sipas Dojçes, personazhet dashurojnë, pendohen, dëshirojnë njëri-tjetrin, por mishërojnë atë që shoqërorja ju përballte çdo moment, faktin, kushtin shoqëror.
Personazhet i ndan fizikisht, por jo shpirtërisht. Ata jetojnë për njëri-tjetrin dhe e dëshmojnë këtë kimi në nevojën e tyre për ritakim, një ritakim në një kohë pa kohë, mbas 45 vjetësh, kur gjithçka ishte harruar, ndjenjat ishin rizgjuar.
Ky mishërim kohor merr një trajtë më domethënëse te romani i dytë “Nata e gjatë e Alberto Savianit”, ku loja psikosociale rruan konturin kohor, por bëhet më intrigante, ajo ndjek intuitën, besimin te vetja, te dashuria dhe ndjenja e saj. Laura, personazhi kryesor lufton me sfidat e kohës, me ndjenjën rinore të cilën e trashëgoi gjatë viteve të jetës së saj. Kërkon me këmbëngulje të rigjejë dashurinë e parë, Alberton, një djalë të talentuar, muzikant me të cilin kishin kënduar sa e sa arie, kishin kaluar momente suksesi, kënaqësie derisa lufta, kjo murtajë e ndjenjave njerëzore ju kishte shkatërruar gjithçka. Nën rëndesën e viteve, ajo rizgjon pasionin e saj rinor dhe vihet në kërkim të dashurisë, udhëhequr nga pasioni, besimi dhe intuita.
“Një kohë pa kohë”, të gjitha kafshët përveç njerëzve jetojnë në një të tashme të vazhdueshme, pa asnjë kuptim të dallimeve kohore të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Vetëdija jonë për kohën është pra, një nga tiparet më të rëndësishme dalluese të njerëzimit dhe një nga gjërat që na ndan me të vërtetë nga kafshët e ulëta. Pra, nuk është për t’u habitur që nga kohërat e lashta, filozofët, mësuesit dhe teologët kanë spekuluar për natyrën e vërtetë të kohës. /KultPlus.com

Të ngjajshme