Një libër në gjuhën suedeze për ushqimet tradicionale shqiptare

11 Shkurt, 2021 - 3:05 pm

Dy nxënëse shqiptare në Suedi, Teuta Zeneli dhe Albina Ibrahimi patën rastin dhe kohën gjatë vitit të kaluar (vit i kaluar më së shumti në karantinë për shkak të pandemisë) t’i jepnin jetë një projekti të përbashkët. Realizimin e një libri me receta tradicionale vegjetariane shqiptare për ti prezantuar shoqërisë suedeze një anë jo shumë të njohur shqiptare por gjithsesi të rëndësishme.

Libri është botuar në gjuhën suedeze me përkthimin e emërtimeve të ushqimeve tradicionale shqiptare nga autoret e librit. “Balkans Vegetariska Matbord” (Tavolina ushqimore vegjetariane Ballkanit) i realizuar me mbështetjen e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, në Suedi (SHSHASHS) ka dalë nga botimi ditën e sotme.

Dy vajzat shqiptare janë të lindura dhe rritura në Suedi, nxënëse të shkollës së mesme në Ängelholm të Suedisë dhe anëtare të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Libri përmban një pjesë të madhe të specialiteteve që Albina dhe Teuta i kanë përgatitur fillimisht vetë dhe pastaj i kanë shpjeguar në gjuhën suedeze, duke shkruar recetën për secilin ushqim në gjuhën suedeze. Këto specialitete, kryesisht janë ushqime vegjetariane. Autoret i kanë qëndruar besnik ushqimeve tradicionale të cilat disa i kanë përgatitur vetë veçanërisht duke u ballafaquar drejtpërdrejtë në praktikë me përgatitjen e tyre.

Libri do të përurohet fillimisht në Suedi dhe në Kosovë gjatë sezonit të verës, në kuadër të aktiviteteve të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme