Një shqiptare në letërsinë ndërkombëtare, Lea Ypi dhe libri i saj më i ri ‘Indignity’

24 Korrik, 2025 - 4:55 pm

Lea Ypi sjell për lexuesit librin e saj më të ri, “Indignity”, një rrëfim i fuqishëm mbi kujtesën dhe historinë personale.

Lea, e lindur në Durrës, është pedagoge e Teorisë Politike në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Londër dhe Profesore e Filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian. Ajo është diplomuar për Filozofi dhe Letërsi nga Universitetin La Sapienza dhe ka përfunduar doktoraturën në Institutin Universitar Europian.

Ypi ka bashkëpunuar me Universitetin e Stanfordit (2017), Institutin për Studime të Avancuara në Berlin, Universitetin e Frankfurtit (2010, 2016), Universitetin e Tokios dhe Universitetin Federal të Santa Caterina në Brazil.

Ndër botimet e saj të shumta janë “Global Justice and Avant-Garde Political Agency”, “The Meaning of Partisanship” (me Jonathan White), etj.. Vepra e saj është përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht dhe kinezisht (mandarinisht). Me studimet e saj ka marrë disa çmime ndërkombëtare.

Libri i saj me i ri është “Indignity”, që sipas saj është përmbajtja e mendimeve të saj si objekt në botë, transmeton KultPlus.

Vepra ndjek rrjedhën e ngjarjeve të vetë autores kur zbulon një fotografi të gjyshes së saj, Lemanit, gjatë muajit të mjaltit në Alpe në vitin 1941, e postuar nga një i huaj në rrjetet sociale, dhe përballet me pyetje shqetësuese. Gjatë fëmijërisë, asaj i ishte thënë se të gjitha dëshmitë për rininë e gjyshes ishin shkatërruar në ditët e para të komunizmit në Shqipëri. Por ja ku ishte Leman me bashkëshortin e saj, Asllan Ypin: një çift i ri plot shkëlqim ndërsa Lufta e Dytë Botërore zhvillohej përreth tyre.

Çfarë pason është një rrëfim emocionues dhe i rimenduar i së kaluarës, ku transportohemi në botën e zhdukur të aristokracisë osmane, në formësimin e Greqisë dhe Shqipërisë moderne, një krizë globale financiare, tmerret e luftës dhe agimin e komunizmit në Ballkan. Ndërsa heton të vërtetën për familjen e saj, Ypi përballet me pasiguri. Kush ishte në të vërtetë Leman Ypi? Çfarë e bëri atë të shpërngulej në Tiranë si e re dhe të martohej me një socialist që simpatizonte me Frontin Popullor, ndërsa babai i tij drejtonte një qeveri kolaboracioniste? Dhe pse ajo po buzëqeshte në dimrin e vitit 1941?

Herë epik e herë intim, thellë i ndjerë dhe i rrëmbyeshëm, “Indignity” eksploron çfarë do të thotë të mbijetosh në një epokë ekstreme. Ai zbulon brishtësinë e së vërtetës, qoftë personale apo politike, dhe koston e vendimeve të marra kundër rrymës së historisë.

Autorja në rrjetet e saj sociale shpreh falënderimet e saj të përzemërta për ata që e përkrahën duke bërë të ditur edhe datën e publikimit të librit:

“Përmbajtja e mendimeve të mia tani është një objekt në botë!! Faleminderit, faleminderit të gjithëve që mbështetën kërkimin, që mbështetën shkrimin, apo që mbështetën mua dhe kërkimin dhe shkrimin, jam jashtëzakonisht mirënjohëse dhe e lumtur dhe mezi pres ta festojmë së bashku publikimin më 4 Shtator!” – u shprej Ypi./KultPlus.com

Të ngjajshme