“Njihej Rugova ma shumë se Kosova”

12 Dhjetor, 2020 - 12:45 pm

Shkruan Çun Lajçi

“Kokë për Kokë”

Për neve. Për mua. Për Rugovën. N’filmin e “Llovçen Filmit” t’Nikolla Jovanoviqit. Artistët janë autokton. Ramë Elezi, Ramë Nikçi, Kapllani, Lakja deri edhe të Adem Salihi i katundit tim!

Skenografi autoktone.Shtëpiat me dërrasa n’Breg t’Kuçishtës! Delet n’vathë e dy qen bardhosh n’vargoj. Edhe viçi tue thithë, edhe nusja tue përkund djepin e tjetra tue ba krrabëza.

Rexho Mulliqi me muzikën që mishin ta ban kokërr.

Nexhmia me vajin për Rexhën e vdekun n’grazhdin e kalit!

Film për vallën e vjetër sa bjeshkët e rugovasëve me kobure e shpata.

Për luftën e dy burrave për nji çikë, me ba nuse!

Njeni do t’vdes e tjetri n’kalë shale do t’shkoi me nusën të shtëpia me ba dasmën!

Valle e vjetër.

E gurit apo pagane, s’mund t’them. Jam artist, nuk di!

Por krejtësisht e malësorëve t’mi rugovas. Atyne t’besës, t’fjalës, t’sofrës me bukë e zemër e t’pushkës për trojet e arbnisë!

Krejt kjo në nji film t’shkurt. Dokumentar për rugovasët me dy duer,(për xhamadanat e bardhë) me viat e zeza trupit deri të zogu i kamës si drangojt (për spikun e zi n’tirq, n’xhamadana)!Për borën e bardhë mbi koka (për shallat,qefinin mbi krye).

Tash e 80 vjet përpara malazezët bajnë film për ket lojë pagane dhe mirë që s’e futën me ruejtë si te tynën n’UNESKO si sërbët lahutën!

Kur ditëm me shkrua e me ba, s’lanë zaptuesit. Tash që mundemi, s’dimë! Mendet na fluturojnë cullakinave!

E shikoj dy herë. Vazhdoj të tretën. Pak asht. T’katërtën, t’pestën e mbetëm i uritun.

N’Beograd krenohesha me Bekimin. N’Zagreb e Lublanë. E kur me pysnin nga je? Përgjigjesha: Rugovac!

Aha, m’thojshin. E dimë. Rugovska Klisura ! Besa-besa! Igra sa jataganima!

Njihej Rugova ma shumë se Kosova!

Unë rritësha. Bahesha pishë me Bekimin e Rugovën mes Beogradit!

Rugova ime n’filmin e huej! Njerëzit e mi. Katundet e mia. Edhe zakonet edhe veshjet, edhe dasmat edhe vdekjet.

Të gjitha t’mirat e mia n’filmin e malazezve “Kokë për Kokë”! Veç unë jo i vetës as i kohës së bardhë! N’Kosovën e lirë po,

por laraman me ngjyrat e pushteteve, t’pushtetarve, t’milionerve, t’xhipave, t’autostradave, t’kontratave, diplomave t’bleme, rrencave e rrjepcëve t’atdheut!

S’di a jam plakë shumë apo shumë m’asht zbutë zemra, por lot e kangë bahem çdo ditë për Haxhajt, Stankajt, Bogët, Shkrelin e Koshutanin e tëposhtë deri n’Qafën e Qyqës të Shtupeqi i vogël. Kurrë ma ata burra. Kurrë ma ato shtëpia me dërrasa. Kurrë ma ato deka e dasma!

Rugovën e dua ashtu, siç ishte, me robni e bagëti, me besën e fjalën e bardhë si t’plist borë n’krye.

Eh, tash kur mundemi të tjerëve me iu tregua përmes filmit se çfar fare e bardhë ishim, na dhimbsën paret. Jo s’na dhimbsen, por i duem për vete.

Sa e dhimbshme kur të tjerët na tregojnë si ishim e kush ishim!

Valle guri pagane kjo e rugovasëve

Rritu sa ahu jeto sa bjeshka

vdekjën kokë për kokë

bekim malësorçe

Kapllani kurrë ma mirë si ra kavallit

as Ramë Elezi s’u vra ma idhët me kobure

me Ramën tjetër për nusën e t’birit

qen-bir-qeni je tha kur e humbi lojën me tagana

e ra mortja marrën e lante veç gjaku

gishtat u lidhën

koburët u kryqëzuen n’gjoksat e malësorëve

zekani që priste me çua nusën të shtëpia

ladroi sokakut tue hingëllua

nana Lake e përmbysi tepsinë n’sini

dy shalla t’bardhë mbetën me pikat e gjakut

mes katundit të ahu qindvjeç

dy vorre si t’kreshnikve n’kangë lahute

n’dy oborre

dikund n’katundin Haxhaj thonë

vdekjën e banë dy burra kokë për kokë

për nji nuse

dhe u sos kjo vllavrasje

valle guri kjo e rugovasve me shpata

pagane e vjetër sa gryka që vjell ujët e shekujve

Dardani, 12.12.2020/ KultPlus.com

Të ngjajshme