Nominohen autorët për konkursin e veprës më të mirë dedikuar Skënderbeut

10 Korrik, 2018 - 6:30 pm

Akademia e Shkencave ka shpallur këtë të martë veprat dhe autorët e nominuar për botimin më të suksesshëm, dedikuar figurës së heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kjo nismë vjen në kuadër të vitit mbarëkombëtar “Skënderbeu”, gjatë të cilit Akademia do të organizojë një sërë aktivitetesh.

“Akademia e Shkencave, që në dhjetor të vitit të shkuar, shpalli programin e aktiviteteve që ajo mendonte të organizonte përgjatë vitit 2018: një konferencë shkencore, një konkurs ndërkombëtar për studimin më të mirë kushtuar Skënderbeut dhe epokës së tij, botimin e një vëllimi të posaçëm kushtuar Skënderbeut dhe botimin e plotë të veprës së Kristo Frashërit”, u shpreh akademikja Floresha Dado.

Pasi përzgjodhi 30 botime dedikuar kësaj figure, të botuara nga viti 2000-2018, akademia përzgjodhi 3 botimet më cilësore ndër autorët shqiptarë.

“Për veprën më të mirë shkencore të realizuar nga autorë shqiptarë, u përzgjodh Aurel Plasari me veprën “Skënderbeu-një histori politike”. Autori tjetër është Kasem Biçoku për veprën e tij “Toponimet Mesjetare në studimin e historisë së Skënderbeut” dhe autori i tretë Petrika Thëngjilli për veprën “Skënderbeu-arritje, mangësi e pikëpamje të ndryshme”, u shpreh Pëllumb Xhufi.

Jose-Manuel Floristan nga Universiteti i Madridit, Lucia Nadin nga Italia dhe Oliver Jens Schmitt nga Gjermania janë tre autorët e huaj të nominuar, nga të cilët do të shpallet mes tyre vetëm një fitues. Dy fituesit do të bëhen publik në një ceremoni të veçantë dhe do të shpërblehen me nga 5 milionë lekë të vjetra secili.

Të ngjajshme