O moj Shqypni… 125 vjetori i vdekjes së shkrimtarit të shquar shqiptar

4 Qershor, 2018 - 9:29 pm

Sot bota letrare shqiptare përkujton 125-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe një nga ideologët e parë të saj, poetit dhe publicistit Pashko Vasa, lindur në Shkodër më 17 shtator 1825 dhe vdekur në Bejrut më 29 qershor 1892.

Pasi lindi në Shkodër, kreu mësimet e para në vendlindje dhe shërbeu si sekretar në konsullatën britanike. Më 1847 shkoi në shtetin e Italisë dhe mori pjesë në luftën çlirimtare të popullit të këtij vendi kundër zgjedhës së huaj. Kur shkoi në Stamboll, zuri vende me rëndësi në administratën osmane. Në vitin 1878-1882 qe një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë.

Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja shqip”. Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Mes tyre vlen të dallohet “Bardha e Temalit”.

Thuajse njëkohësisht me të mëdhenjtë e letërsisë botërore si Flober apo Tolstoi, ai shkruan për figurën e gruas shqiptare duke e vënë atë në qendër të një rrëfimi tragjiko – realist. Nën petkun e Bardhës mbështillet fati i thuajse çdo vajze shqiptare të sapobërë grua, ndërsa nën atë të Bajraktarit të Temalit, i çdo djali që nuk do të bëhet burrë asnjëherë, pasi për të, duket sikur do të burrërrohet nëna dhe gjithë Bajraku që e mban nëpër gojë.

Ai shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (“L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise”, Konstandinopojë 1878, “Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (“Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître”, Londër 1887).

Pashko Vasa zuri një vend me rëndësi edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej, ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880).

Vdiq në Bejrut të Libanit dhe eshtrat u sollën në Atdhe më 1978 dhe prehen në Shkodër, pranë Varreve të Dëshmorëve.

Të ngjajshme