Objekti i braktisur i Kryqit të Kuq merr trajtë dhe lexim të ri, kërkohet ringjallja e këtij monumenti

27 Prill, 2021 - 12:50 pm

Era Berisha

Dokumentimi, dimensionet, shqyrtimet, hulumtimet dhe perspektivat e zgjeruara të historikut të Prishtinës, por kryesisht me fokus në lagjen ku ndodhet objekti i Kryqit të Kuq, u jetësuan në formën e një libri të titulluar ‘’but first, check the water’’, në kaudër të edicionit të tretë të ‘Metamorphosis’, ku së bashku me ndërhyrjen artistike specifike për lokacionin nga artistja Nurhan Qehaja, projekti ka zënë vend me datën 30 shtator 2020, me ç’rast mbrëmë erdhi edhe promovimi i tij në Kino Armata, shkruan KultPlus.

Libri ‘but first, check the water’, sjell një qasje me dimensione historike, kulturore dhe arkitektonike duke trajtuar kështu pyetjet e shumta rreth objektit të Kryqit të Kuq dhe jo vetëm. Ky libër përfshin hulumtime në terren, mbledhjen e rrëfimeve të banorëve dhe intervenime artistike.

Gjithçka nisi me shfaqjen e një video të shkurtër e realizuar nga regjisori Leart Rama ku nëpërmjet muzikës u shpalosen pjesë të shkëputura nga ndërhyrja artistike dhe performanca e artistes Nurhan Qehaja. Vepra muzikore nën kompozimin e Liburn Jupollit, tërhoqi vëmendjen e publikut me meloditë dhe tingujt mahnitës të interpretuar nga Rron Bakalli në instrumentin e violinës, Ylli Zhaveli në instrumentin e klarinetës dhe Kaltrina Berisha në instrumentin e Çellos.

Kjo video e xhiruar brenda objektit të Kryqit të Kuq, portretizoi ambientin e një objekti të braktisur i cili po shkon drejt shkatërrimit për shkak të rrjedhës së ujit e cila është lënë e harruar. Prandaj, gërshetimi i veçantë i instrumenteve të cilat jehonin në objektin bosh dhe imazhet e zymta që përngjanin pothuajse me lule të vyshkura, sollën një ndjenjë ndaj gjithsecilit që ndoshta ky objekt do të duhej të ringjallej përsëri dhe në vend të shkatërrimit tutje të tij nëpërmjet rrjedhës së ujit, objekti të ringjallet përsëri me një ‘ujitje’ që e pasuron dhe ngritë atë në këmbë përsëri për të bashkëjetuar së bashku me gjelbërimin që e rrethon këtë objekt.

Ndërsa për të folur më shumë rreth këtij procesi në kuadër të realizimit së edicionit të tretë të ‘Metamorphosis’, që ka nisur planifikimin një vit më përpara, së pari me hulumtimin pastaj me intervenimin akustik e duke përfunduar me botimin e librit, e pranishme ishte edhe Sihana Klisurica, përfaqësuese nga organizata ‘Shtatëmbëdhjetë’.

“Ne kemi trajtuar disa aspekte të rëndësishme që kanë ndihmuar në realizmin e tretë të metamorfozës në rrethana të jashtëzakonshme. Ideja kryesore dhe fillestare ka qenë të fokusohemi në objektet e braktisura dhe që në një formë apo tjetër të kontribuojmë në mbledhjen e kujtesës kolektive dhe përmes hulumtimit dhe bisedave me persona që kanë kujtime rreth objektit, kemi parë se sa shumë ka mungesë të informacioneve dhe arkivave dokumentuese të shumë pjesëve të vendit tonë”, shprehet Sihana.

Sipas saj, me anë të këtyre objekteve janë munduar të hedhin dritë në disa pjesë historike të rëndësishme që sot duhet të ruhen. Prandaj, arsyeja për përcaktimin e vendit është bazuar në fokusimin e hapësirës në lagjen e vjetër të Prishtinës, ku stafi gjithmonë ka parë se në çfarë gjendje është objekti dhe si po trajtohen nga institucionet.

Ajo tutje ka folur se pse është vendosur që artistja Qerhaja, të jetë pjesë e projektit e cila ka hasur në problemin ku iu është ndaluar hyrja në objekt me arsyetimin se objekti nuk është i sigurtë pavarësisht se raporti ekzistues tregon që shkallët e objektit mund të përdoren.

“Qasja e saj artistike së bashku me punën shtatë mujore ka ndikuar edhe në reagimin e institucioneve dhe shumë njerëzve që janë interesuar mbi këtë objekt që i takon shekullit XX. Prandaj, për neve ka qenë e rëndësishme që të mbledhim copëza të historikut të këtij objekti në aspektin e trashëgimisë kulturore”, përfundon ajo.

Libri që mbrëmë u promovua është cilësuar si një përmbledhje e hulumtimeve në terren dhe autorët që kanë kontribuar me shkrimet e tyre si: Haxhi Mehmetaj, Sali Shushi, Artan Krasniqi, Merita Gorani-Balaj dhe Linda Gusia së bashku me studentët që kanë qenë pjesë e punëtorisë që kanë kontribuar në pjesën e hulumtimit duke u ndarë në dy grupe: grupi i arkitektëve dhe grupi i hulumtuesve, që kanë bërë një punë të mrekullueshme.

Po ashtu, për të folur më shumë rreth angazhimit dhe sfidave përgjatë procesit të këtij projekti, ku në hyrje të objektit shprehet qasja artistike, e pranishme ishte edhe artistja Nurhan Qehaja.

“Çka ka qenë shokuese është se nuk e kam parë më herët këtë objekt edhe pse kam kaluar tërë kohën aty. Në të njëjtën kohë më kujtohet që objekti ka qenë shumë e vështirë për tu parë sepse kishte një pamje dërrmuese. Prandaj, muzika ka qenë e vetmja përgjigje mbi këtë situatë”, shprehet Qehaja.

Sipas saj, është menduar të krijohet diçka e re dhe prandaj pas shtatë muajve punë, është thënë se nuk është e lejuar të përdoret objekti brenda, prandaj ajo është dashur që të marrë shiritin e kuq.

“Shiriti i kuq ka qenë si një mënyrë revolte sepse nuk ka qenë në rregull që pas shtatë muajve, ata të ndërrojnë mendje rreth përdorimit të objektit. Pikërisht aty më është dhënë ndjenja që objekti nuk është i mbrojtur dhe ajo në fakt është gjëja që ai objekt përfaqëson, prandaj edhe unë vetëm e mbylla me shiritin e kuq sepse aq kam pasur mundësi”, përfundon Qehaja.

Ndërsa, për finalizimin e këtij projekti dhe anën e një perspektive të re mbi këtë objekt, e pranishme ishte edhe Erëmirë Krasniqi.

“Unë jam kyçur në një moment kur veçse kanë përfunduar disa mendime dhe detyra ime ka qenë finalizimi i punës në një aspekt tjetër duke shkuar më tutje me hulumtime. E rëndësishme ka qenë mosfshirja e shtresave në pjesët e vjetra të qytetit të cilat kanë të bëjnë me komunitete tjera ku ka turq dhe mjaft kultura diversive, prandaj kur shkruan një libër të tillë nevojitet fokus i madh sepse reflektimi i njerëzve duhet të mos bazohet vetëm në përvojën shqiptare”, shprehet Krasniqi.

Sipas saj, libri fillon që nga Ilirët duke trajtuar aspektin e Prishtinës qysh nga antikiteti deri tek nënshkrimi i parë në vitin 1912 përmes Haxhi Mehmetaj. Pastaj Sali Shosha, i cili i afrohet zhvillimit urban në vitet e 70-ta, ku çmimin për këtë zhvillim e ka paguar pjesa e vjetër e qytetit që është shumë e neglizhuar si trashëgimi dhe shumë nga ajo zonë historike është e atakuar.

“Libri është munduar që pavarësisht informacioneve të pakta, mungesa e informacioneve të na shërbejë si dije për statusin dhe trashëgiminë e këtyre ndërtesave që ato të mos neglizhohen”, potencon ajo.

Objekti i “Kryqit të Kuq” në lagjen e vjetër të Prishtinës është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme dhe pavarësisht kësaj shumë pak dinë për këtë monument i cili prej vitit 2016 ka mbetur i braktisur. / KultPlus.com

Të ngjajshme