14 Gusht, 2025 - 11:38 am
Përsa i përket kulturës në përgjithësi dhe letërsisë në veçanti, shtypja e regjimit diktatorial ndaj intelektualëve është ndjerë për gati gjysmë shekulli. Një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore është Kasëm Trebeshina, i cili jo vetëm solli disa lloje të reja, por në të njëjtën kohë krijoi një dimension të ri në letërsinë shqiptare.
Ndër kryeveprat e tij është edhe vepra “Odin Mondvalsen”, e shkruar në vitet 1955-1956 dhe e botuar në Prishtinë.
Një numër i madh paradoksesh krijohen në këtë vepër: paradoksi i vijimësisë së ngjarjeve, i ligjërimit, i kohës, i hapësirës dhe paradokset e situatave (ngjarjeve) me personazhin. Lloji i paradoksit të fundit krijohet nga përplasja/ndikimi i personazhit kryesor me vetveten, me personazhet e tjera, me kohën dhe me rrethinën. Këto përplasje/ndikime kanë krijuar situata të cilat në pamje të parë mund të duken komike, por në thelb janë tragjike. Këto ngjarje plotësohen nga lëvizjet fizike të personazhit, shprehja e mendimeve të tij, ose më saktë, mosshprehja e gjendjeve të tij statike dhe mënyra e ndërveprimit të tij me personazhet e tjerë. Duket sikur lexuesi është i pafuqishëm për të drejtuar vetveten, por ndjesitë, reflektimet, mënyrat e të folurit do ta çojnë atë drejt situatave të tilla paradoksale.
Personazhi tragjik i Trebeshinës, i dërrmuar, i lodhur, i gjendur në një dhomë spitali psikiatrik, e shpërfaq veprën si një ideologji antikomuniste në njërën anë, dhe si një distopi ekzistenciale në anën tjetër.
Në vijim KultPlus ua sjell një fragment nga vepra “Odin Mondvalsen” të Kasëm Trebeshinës:
“Megjithatë, më duket se sa më të mëdhaja që të jenë fjalët, aq më e vogël duhet që të jetë prishja. Se kur ndodhi përmbytja e madhe, njerëzit nuk dëgjuan ndonjë fjalë, por krismën e Oqeanit… Dhe ujërat i përpinë!… Kuptohet, më pas klithën të gjithë, me përjashtim të Noes që nuk klithi se, po të kishte klithur, nuk do të kishte pasur kohë të merrte varkën e mbushur plot me kafshë dhe shpendë. Ma ha mendja që ujërat duhet t’i kenë dhënë kohë të mjaftueshme për të bërë atë që bëri…
Ose duhet të pranojmë edhe ndërhyrjen e fuqive që nuk i njohim…
Ma ktheu ai: – Ashtu është. Po këtu ka ndodhur një e keqe tjetër…
I thashë: – Tashti për tashti nuk ma ha mendja që të ndodhë një përmbytje tjetër!… Po të kishte ndodhur, ne do ta kishim dëgjuar me ndonjëfarë mënyre. Ndofta ka rënë tërmet në Kaliforni… Kush e di?!…
Ai sikur po mendohej dhe unë pushova së foluri që të mos e shqetësoja.
Pa pritur më gjatë ai foli: – Puna është që ne, si kushërinj, duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin.
Ia prita: – Ashtu është. Por më parë duhet ditur si qëndron puna dhe pastaj të shihet nga ç’anë të dërgohet ndihma!… Se kur njeriu nuk di për çfarë bëhet fjalë, më mrë të heshtë se sa të shkelë aty ku bëhet zarar. Po!… Po qe se njeriu futet kuturu në diçka, diku do të shkelë dhe dikënd do të lëndojë!… Bie fjala, po qe se ti ke përdredhur këmbën, nuk do kesh asnjë përfitim për vendin ku të dhemb nga ilaçet që jepen për sëmundje të syve.
Një njeri njëherë Kishte shkuar tek mjeku për një sëmundje që kishte ndjerë. Për mjekun kishte dëgjuar se ishte shumë i zoti. I thotë i sëmuri: “Më shëro, doktor, se jam keq”. E pyeti ai mjeku: “Nga se ankohesh?” I përgjigjet i sëmuri: “Nuk e di! Ti duhet ta gjesh vetë!” Dhe mjeku: “Prandaj dhe po të pyes se çfarë të shqetëson dhe ku e ke dhimbjen?” Kështu filluan të shtyhen me fjalë. Njëri kërkonte që ta shëronte, kurse tjetri e pyeste se u i dhimbte. Më në fund i sëmuri e humbi durimin dhe i tha tjetrit: “Po sikur të isha unë kalë, si do ta merrje përgjigjen se ku mund të më dhimbte?!… Bërtiti ai mjeku: “Mjaft! Shko tek veterineri dhe shërohu si të duash!…”
Pasi thashë këto e vendosa të mos flisja më shumë.
Edhe ai heshti dhe dukej sikur po e zinte gjumi.
Kështu kaluan disa minuta.”/ResearchGate/KultPlus.com