Ogurët e liga në kohë murtaje

7 Maj, 2020 - 2:58 pm

Nga Jusuf Buxhovi

Ato që na i tha Shefqet Aga rreth barrës që na binte “me i ba zap të çmendunit për me i shpëtue nga spitali i Shkukzës” prej nga nuk kishte kthim, kishin filluar të jetësoheshin. Mora vesh se gjatë natës, bashibozukët e shumtë kishin hyrë në disa mëhallë dhe kishin bastisur familjet e njohura, me ç’rast nga çdo shtëpi kishin marrë të parët e tyre.

“Po i mbledhim të çmendurit… Ketë e keni peshqesh nga grithja”, çirreshin.
Edhe ma të rënda më erdhën ato që m’i tha Lami rreth dyshimeve se oficeri Harun Xhaferi mund të ishte dërguar nga Zyrat e Errëta si hetues i posaçëm për t’u marrë vesh e verteta rreth atyre që tashmë lidheshin me frenimin e murtajës me anën e grrithjeve.

“Mendja ma thotë se Haruni po ua matë kokat Kajmekamit dhe Shefki Agës, cila prej tyre të përfundojë në Kamarën e Turpit… Kjo mund të jetë me rreziqe të tjera për ne…”

Atë mendim kishte edhe Sheh Alia, i cili njihej për tëhollimin e gjanave. Tha se Haruni i sertë është këtu për me e tjerrë përgjegjësinë e tyre për dështimin, sidomos kur kjo lidhet me grithjen.

“Ndaj, Kajmekami në njërën anë dhe mjeku Shefki Aga në tjetrën anë, mund të dalin me hesape të tjera për t’i dhënë punës kapak… Të tillët, për me ruejt pushtetin dhe për me shpëtue kokën, me murtajë apo pa murtajë, janë në gjendje me kallë edhe dynjanë..”

Shtoi se nga ato që kishte marrë vesh tërthorazi nga disa myhibë që i shërbenin Kajmekamit, ai po mundohej që me anën e hafijeve për me nxitë ndonjë kryeneçësi në mënyrë që, në rrethanat e Fermanit për shtetërrethimin të shfrytëzohej asqeri për qërim hesapesh me të madh e të vogël. Ndërsa Shefki Aga ka zgjedhur marifetin e çmendjes për të mbushur spitalin e Shkuzës. Me një të rame, këkon dy të vrame…
“Harun Xhaferi i sertë nuk ashtë kot këtu…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com

Të ngjajshme