30 Maj, 2025 - 1:30 pm
Johan Volfgang Gëte është përfaqësuesi më i shquar i racionalizmit dhe i romantizmit në letërsinë gjermane. Ka qenë poet, romancier, dramaturg, eseist dhe filozof.
Me veprat e tij Gëtja është bërë një nga shkrimtarët më të dashur e më të preferuar në Gjermani. Emri i tij la gjurmë të pashlyeshme, jo vetëm në letërsinë gjermane, por edhe në analet e letërsive të tjera evropiane. Si njeri me dije enciklopedike, si mendimtar origjinal, dijetar i shquar dhe njohës i hollë i artit u bë një nga figurat më të mëdha të kulturës gjermane, që do të rrezatojë një humanizëm të thellë deri në ditët tona. Kuptimin e jetës e gjente tek dashuria e madhe për punë e dituri, veçmas në krijimtarinë artistike. Kështu mëson edhe veprat e tij letrare, e cila mbi të gjitha ngërthen ide që frymëzojnë për respektimin e kultit të punës, te aktit krijues dhe të dashurisë. Si personalitet kompleks dhe i gjithanshëm ai mbetet përherë pikë reference në historinë e kulturës gjermane dhe asaj evropiane.
Në tragjedinë “Fausti”, që është vepra e jetës së Gëtes dhe një nga kryeveprat e letërsisë botërore, pasqyrohet karakteri shumëformësh i jetës në natyrë dhe në shoqërinë njerëzore. Tërë njerëzit mishërohen në një njeri të vetëm, në personin e Faustit. Tërë kohët përshihen në një jetë të vetme, në jetën e Faustit. Krijimtaria letrare e Gëtes përmban një numër të konsiderueshëm me poezi, drama, reagimet e novela. Përveç tyre ai ka publikuar dhe një numër të shumtë dorëshkrimesh autobiografike, estetike, artistiko-letrare, si dhe shkrime me përmbajtje nga fusha e shkencave natyrore. Një rëndësi të konsiderueshme për letërsinë kanë dhe korrespondencat apo shkëmbimet e letrave, gjë të cilën ai e bënte me shumë pasion. Në krijimtaritë fillestare letrare spikasin idetë e tij demokratike të iluminizmit.
Vlerat e tij si shkrimtar i talentuar u thelluan tek romani i shumëlexuar “Stuhi e vrull”, për shkrimin e të cilit Gëte dha kontributin kryesor. Kurse si talent i romantizmit ai u bë gjerësisht i njohur në mbarë Evropën në vitin 1774 me romanin “Vuajtjet e djaloshit Verter”. Më vonë Gëte ndryshoi stilin e shkrimeve të tij duke iu referuar idealeve të antikes. Pas viteve 1790 së bashku me Friedrich Schiller ata u bënë përfaqësuesit më të denjë të epokës klasike të Weimarit. Gëte njihet edhe sot si një nga figurat më të shquara të letërsisë gjermane dhe asaj botërore.
LETËRSIA
Gëte pati që në fëmijëri mundësinë të njihet nga afër me letërsinë. Në moshën katër vjeçare, nëna e tij, përpara se të flinte, i lexonte tekste të marra jo vetëm nga libra për fëmijë, por si besimtare e kishës luteriko-protestante që ishte edhe nga bibla. Në fundin e vitit 1753 gjyshja i dhuron Gëtes për Festën e Krishtlindjeve një teatër kukullash. I apasionuar pas kësaj ai e mësoi pjesën teatrale në një kohë shumë të shkurtër përmendësh. Ai ndjente një kënaqësi të veçantë kur e shfaqte këtë pjese teatrale para shokëve të tij bashkëmoshatarë.
Sipas thënieve të vogëlushit Gëte, shenjat e para tipike dalluese të fantazisë së tij letrare dëshmohen në talentin që vetë ai kishte, për të sajuar përralla të mrekullueshme, pas dëgjimit të të cilave shokët e tij mbeteshin me gojë hapur. Në shtëpinë e Gëtes ishin krijuar kushtet dhe mundësia që të lexohej shumë, kjo falë bibliotekës së babait të tij, e cila numëronte rreth dy mijë libra e vëllime të tematikave të shumta. Kështu, midis të tjerave, Gëte qysh në moshë të vogël u njoh me përmbajtjen e librit popullor të Dr. Faust. Në periudhën e luftës shtatë vjeçare, që zgjati nga 1759 deri në 1761, në shtëpinë e Gëtes ishte strehuar një oficer francez.
Është pikërisht njohja me këtë oficer e më pas edhe me trupën e aktorëve që kishin bashkudhëtuar me të, që bënë të mundur përballjen fillestare të Gëtes me literaturën franceze të dramës. Ndërkohë që Frankfurti në atë kohë ndodhej nën pushtimin francez, ai vizitonte rregullisht shfaqjet teatrale.
STUDIMET
Në moshën 16 vjeçe Gëte nisi studimet e drejtësisë në Leipzig, qytet ky që, përkundrejt Frankfurtit të atëhershëm konservativ, dallohej për botën më të hapur dhe më elegante të kulturës njerëzore. Përkrah studimeve universitare të juridikut, ai vizitoi me zell e pasion të dukshëm edhe ligjëratat e mbajtura mbi poezinë nga të shumënjohurit Johann Christof Gottsched dhe Christian Fuerchtegott Gellert, i cili prej krijimeve të para poetike të Gëtes nuk mbeti kushedi se sa i kënaqur. Tre vitet studimore në Leipzig ishin nga njëra anë pak emocionale për poetin e ardhshëm, mirëpo nga ana tjetër ato ishin frymëzuese, pasi ai u njoh me piktorin Adam Friedrich Oeser, tek i cili Gëte vazhdoi mësimin e vizatimit të filluar dikur në Frankfurt. Oeser bëri më pas të mundur njohjen e Gëtes me nxënësin e tij të apasionuar pas artit klasik Johann Joachim Winkelmann.
Përveç kësaj Oeser inkurajoi tek Gëte dëshirën për njohjen dhe konceptimin e artit. Gëte mësoi tek një bakërshpues teknikën e prerjes së drurit. I ndodhur larg prindërve të tij, Gëte në moshë adoleshente e shijonte jetën pasi e ndjente veten më të lirë. Ai vizitonte shpeshherë shfaqje teatrale ose i kalonte mbrëmjet e vona me shoqërinë e tij. Gjatë kohës së tij në Leipzig ai u dashurua për herë të parë në jetën e tij me të bijën e zanatçiut, zonjushën Käthchen Schönkopf. Marrëdhënia mes tyre zgjati rreth dy vjet, më pas ajo nuk do të vazhdonte më dhe u zgjidh me mirëkuptim reciprok. Pikërisht në këtë përjetim emocional bazohet dhe subjekti i dramës së tij të parë “Die Laune des Verliebten” (“Kapriçoja e të dashuruarit”).
NDIKIMI
Ndjenjat e tronditura të këtyre viteve ndikuan edhe në stilin e të shkruarit të Gëtes. Vjershat e rregullta të stilit rokoko ia lanë më pas vendin një stili më të lirë dhe të vrullshëm. Libri “Annette” u shkruajt sipas një koleksioni prej nëntëmbëdhjetë vjershash të përzgjedhura dhe të ilustruara nga shoku i tij Ernst Wolfgang Behrisch. Vepra e parë e shtypur e Gëtes ishte një koleksion vjershash i vitit 1769 me titullin “Neue Lieder” (“Këngë të reja”). Në vitin 1768 Gëte sëmuret shumë rëndë nga rrjedhje të vazhdueshme të gjakut, gjë që e detyroi të kthehej me të shpejtë tek prindërit në Frankfurt për t’u kuruar në shtëpinë e tij. Pas vizitave të bëra nga mjeku i tij i shtëpisë Dr. Johann Friedrich Metz atij iu ndez dëshira për të hulumtuar natyrën.
Gjatë Festave të Pashkëve në prill të vitit 1770, Gëte ndryshon për të dytën herë vendbanimin e tij, për të vazhduar studimet e mëtejshme në Strasburg të Francës. Ky qytet ishte për të një fillim krejtësisht i ri. Ai i la mbresa të thella për arkitekturën gotike e cila kishte filluar t’i rrënjosej në shpirt. Ai, këtu, krahas studimeve të juridikut ndoqi edhe ato të mjekësisë dhe të shkencave të natyrës. Në Strasburg ai u njoh me njerëz shumë të rëndësishëm për zhvillimin e tij të mëtejshëm. Takimi i tij më i rëndësishëm ishte ai me teologun dhe teoricienin e artit dhe të letërsisë Johann Gottfried Herder. Ishte Herder ai që nxiti te Gëte dëshirën për t’u njohur sa më afër me potencialin e pashtershëm letrar të autorëve më në zë të kohës si Homeri, Shekspiri dhe Ossiani. Ai zgjoi tek Gëte kureshtjen për estetikën e poezisë popullore, duke ndriçuar kështu rrugën e mëtejshme letrare të poetit të ri Gëte. Kohë më vonë Gëte ndërhyri që Herder të thirrej me shërbim në oborrin mbretëror në Ëeimar. Në Strasburg Gëte u njoh edhe me mjekun dhe shkrimtarin Johann Heinrich Jung-Stilling, si dhe me dramaturgun Jakob Michael Reinhold Lenz.
PAVENDOSMËRIA
Gjatë një kalërimi në zonat përreth Gëte njihet me vajzën e priftit Frederike Brion, nga Sasenheim dhe pastaj dashurohet me të. Me largimin e Gëtes nga Strasburgu, ngaqë ai ishte i pavendosur për një lidhje të qëndrueshme, merr fund edhe kjo marrëdhënie. Poezitë e thurura enkas për Frederiken janë Abschied (“Lamtumirë”), Mailied (“Këngë maji”) dhe Heidenroslein (“Gonxhja e lëndinave”). Ato më vonë u njohën si “Sesenheimer Lieder” (“Këngët e Sezenheimit”), që për nga forca e shprehjes paralajmëruan “fillimin e një epoke të re lirike”. Në verën e vitit 1771 Gëte dorëzon disertacionin e tij për drejtësi, i cili iu refuzua për shkak të disa shprehjeve herezike që në atë kohë binin në kundërshtim me pikëpamjet dhe qëndrimin e kishës. E megjithatë universiteti i ofroi atij mundësinë e marrjes së lejes së mësimdhënies. Më 6 gusht 1771 Gëte mbrojti diplomën në fushën e drejtësisë pas një retorike të shkëlqyer, baza e së cilave ishin pesëdhjetë e gjashtë teza në gjuhën latine.
KTHIMI
Pas kthimit të Gëtes në qytetin e lindjes në Frankfurt, ai i pajisur ndërkohë dhe me diplomën përkatëse, hap një zyrë avokatie. Por Gëte nuk i kushtoi rëndësinë e duhur këtij profesioni, kështu që pas katër vitesh ai do ta mbyllte aktivitetin e tij si jurist, për t’u nisur menjëherë pas kësaj për në Weimar. Ai e kishte përqendruar vëmendjen e tij më shumë tek letërsia. Në fundin e vitit 1771 ai shkroi brenda një kohe të shkurtër gjashtë javore “Geschichte Gottfriedens von Berlichingen mit der eisernen Hand” (“Historia e Gotfridens nga Berlihingeni me dorë të hekurt”). Pas një përpunimi në vitin 1773 u publikua nga shtypshkronja e tij drama “Götz von Berlichingen” (“Gëtz nga Berlihingeni”), e cila ishte konform normave dhe rregullave të dramaturgjisë. Drama, e cila u prit me shumë ngazëllim nga artëdashësit vlejti si dokument bazë tek “Stuhi dhe vrull”.
Në majin e vitit 1792, i nxitur dhe më shumë nga babai i tij, Gëte filloi punë si praktikant në gjykatën e dhomës perandorake në Vetzlar. Kolegu i tij i punës Johann Christian Kestner në përshkrimet e tij për Gëten e çmonte atë si një gjeni me një forcë të jashtëzakonshme të mënyrës së të menduarit dhe si një njeri me karakter, që vepronte sipas asaj që i pëlqente atij pa marrë parasysh gjykimet e të tjerëve. Kestner e vlerësonte Gëten si një njeri që i pëlqente jeta e lirë dhe që urrente detyrimet që impononte moda dhe mënyra e atëhershme e të jetuarit. Edhe në Vetzlar Gëte i kushtoi pak vëmendje studimeve, pasi në këtë kohë ai dashurohet me Charlotte Buff, të fejuarën e kolegut të tij të punës Kestner. Kur gjendja shpirtërore pas kësaj situate filloi të ndërlikohej nga dita në ditë ai merr një vendim të prerë dhe e braktis menjëherë qytetin Vetzlar. Përvoja e dhimbshme e një dashurie të paqenë si dhe ngjarje të tjera të përjetuara u bënë më pas dhe subjekti për veprën e tij të dytë me vlera tepër emocionale Vuajtjet e djaloshit Verter, vepër kjo që doli nga shtypi në fillim të vitit 1774 dhe që e bëri Gëten brenda një kohe të shkurtër shumë të njohur në gjithë Evropën.
Takimi me Charlotte von Stein ishte një nga sprovat më të rëndësishme për zhvillimin e personalitetit të Gëtes. Të dhënat poetike janë në dramën Iphigenie auf Tauris, shkruar në shkurt dhe mars të vitit 1779 – gjegjësisht ishte e vetmja vepër madhore e krijuar gjatë kohës fillestare në Weimer. Më pas, si ndër veprat e tjera të rëndësishme, me radhë vijnë drama Die Geschëister si dhe Hymne Harzreise të shkruar në dimër. Po ashtu edhe vjershat si An den Mond dhe Wanderes Nachtlied, gjithashtu, i takojnë kësaj kohe. Njëherësh edhe studimet shkencore e natyrore të Gëtes morën një formë serioze dhe në vitin 1784 zbuloi ashtin ndërmjetësor të fuqisë së njeriut. Por shpesh e zinin krizat shpirtërore, ndoshta ngase Gëte e ndjente, se si forcat e tij po kalonin ndërmjet punës dhe jetës sipërfaqësore. Po ashtu edhe mosprania e zonjës von Stein bënte që qëndrimi i tij të ishte i padurueshëm në oborr. Kështu që e luti Hercogun t`i jepte një pushim për një kohë të pacaktuar dhe shkoi, pa ia besuar Charlottes asnjë fjalë lidhur me planet e tij, më 3 shtator 1786 tinëzisht nisi udhëtimin e tij të gjatë për në Itali.
ARKITEKTURA
Në Itali, ku edhe ai vetë shprehet se – për herë të parë dhe vetëm një herë në gjithë jetën e tij është ndjerë vërtet sikur të ishte në shtëpi, para se gjithash e tërhiqte Antika; Kurse arti dhe arkitektura e renesancës dhe e barokut nuk i bënte aq përshtypje. Si antike e ndjente edhe të dashurën romake të tij, e që më vonë e shkruan në elegjinë Römischen Elegien, ku e këndon si ‘Faustina’ – takimin me të e përshkruan si një barazim erotik në jetën e tij, asaj kohe ka qenë diku në fund të të tridhjetave. Në ‘Faustina’ romake, Gëte gjeti për herë të parë në lidhjen e tij një harmoni shpirtërore dhe mendore.
Një harmoni e cila më vonë ishte dhe si një rrugë për estetikën e re klasike të tij. Gëte në Itali vizatonte shumë si dhe kujdesej intensivisht për piktorët gjermanë që jetonin atje, ndër ta ishin edhe Johann Heinrich Wilhelm Tischbein dhe shumë e njohura e asaj kohe, Angelika Kauffmann. Por studimet shkencore dhe natyrore, si dhe letërsinë, nuk i anashkaloi. Në Palermo mendonte të kishte zbuluar një bimë shumë të vjetër, dhe ndërkohë shkruante një përmbledhje të re të Iphigenie in Jamben, përfundoi me Egmont dhe punonte në Tasso, ku dhe i shprehu në mënyrë artistike përjetimet e tija me Charloten von Stein./ KultPlus.com