PEN Qendra e Kosovës  dhe PEN Qendra e Shqipërisë me aktivitete të përbashkëta në Tiranë e Lezhë 

17 Dhjetor, 2021 - 11:44 am

Në kuadër të bashkëpunimit kulturor Shqipëri –Kosovë, PEN Qendra e Shqipërisë dhe PEN Qendra e Kosovës , më 18 dhe 19 dhjetor organizojnë  aktivitete dhe veprimtari kulturore të përbashkët për të shënuar 100- vjetorin e  themelimit të PEN International, anëtarë të të cilit janë të dy PEN Qendrat.

Dy PEN-et sivjet kanë marrë pjesë aktive në Kongresin zgjedhor që ka mbajtur PEN International gjatë shtatorit në Londër, aty ku edhe e ka selinë.    

Në këto aktivitete në Shqipëri  nga PEN Qendra e Kosovës marrin pjesë shkrimtarët Binak Kelmendi, Ibrahim Kadriu, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Sali Bashota, Osman Gashi  dhe Naim Kryeziu.

Nga PEN Qendra e Shqipërisë marrin pjesë: Besnik Mustafaj, Entela Kasi, Sadik Bejko, Ahmet Prençi, Ben Andoni, Flamur Shala, Liridon Mulaj, Arbër Çejku, Çerçiz Loloci, Tom Kuka, Mal Berisha, Alma Jaku, Kleida Plangarica, Luljeta Leshanaku.

Gjatë këtyre takimeve e veprimtarive, do të nënshkruhet edhe Akti i Marrëveshjes ndërmjet PEN Qendrës së Kosovës dhe PEN Qendrës së Shqipërisë për themelimin e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “PEN” (Kosovë-Shqipëri), i cili parashihet të mbahet një vit në Prishtinë e një vit në Tiranë.      

Anëtarët e dy PEN Qendrave do të flasin edhe për bashkëpunimin letrar dhe format e tij ndërmjet dy vendeve, për përkthimet letrare si dhe për sfidat tjera që vijnë e janë me interes për këtë fushë në të dy vendet.

Në Tirane e Lezhë do të bëhet edhe promovimi i revistë letrare PEN Kosova.

Nga të dy PEN Qendrat do të përkujtohen dy poetët e ndjerë, Fatos Arapi  e Basri Çapriqi.

PEN Kosova dhe PEN Shqipëria nga sivjet do të ndajnë edhe Çmimin e përbashkët për arritje kulminante vjetore në letërsi – Çmimin PEN Shqipëria dhe PEN Kosova, i cili do të jetë tradicional, si dhe do të jepen Çertifikata mirënjohjeje për kontribute të larta në kulturën kombëtare. / KultPlus.com

Të ngjajshme