PEN Qendra e Kosovës mbrëmë mbajti mbrëmjen e parë, në fokus veprimtaria e Martin Camajt

12 Shkurt, 2020 - 2:24 pm

Në vazhdën e aktiviteteve, në kuadër të projektit të saj kulturor, PEN Qendra Kulturore e Kosovës në bashkëpunim me KultPlus-in, mbrëmë ka mbajtur aktivitetin e radhës në promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe, shkruan KultPlus.

Përveç netëve tjera në të cilat do të prezantohet krijimtaria letrare  e autorëve të njohur si: Ali Podrimja e Teki Dervishi, mbrëmjen e shkuar u prezantua dhe u fol për krijimtarinë letrare të  Martin Camajt.

Studiuesit, kritikët letrarë dhe shkrimtarë të njohur si Milazim Krasniqi, Osman Gashi, Blerina Rogova Gaxha dhe Anton Berishaj, prezantuan kontributet e tyre studimore, sa i përket veprimtarisë së Camajt.

Milazim Krasniqi para të pranishmëve prezantoi kumtesën titulluar “Një mbresë për Martin Camajn”.

Profesor Krasniqi rikujtoi njohjen me poetin dhe idenë se si përthyhej personaliteti dhe përvoja e tij në realitetin tonë letrar në vitet tetëdhjetë dhe rolin që ka sot, për t’i ndihmuar procesit të rekonvaleshencës letrare e kulturore.

Krasniqi rrëfeu për Camajn se si ishte arratisur nga Shqipëria enveriste dhe kishte qëndruar në Jugosllavinë titiste, ku më pas kishte botuar dy vëllime me poezi, të cilat i vlerësoi konfuze siç qe konfuze edhe veta jonë nga një botëvështrim ideologjik totalitar dhe johuman që kishte detyruar shkrimtarë si Camaj të arratiseshin nga atdheu mëmë, për të qëndruar në një shtet armiqësor, siç atëbotë qe Jugosllavia.

“Në procesin e dekomntaminimit të letërsisë sonë nga terrori dhe nga dogma ideologjike, ku Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, e drejtuar nga Ibrahim Rugova, ka dhënë një kontribut të madh në vitet 1988-1999, e njohëm Martinin në vitin 1990.“

Ndonëse Krasniqi e përshkruan atë takim si një tribunë të zhurmshme, entuziaste e folklorike, dhe të huaj për shijen e rafinuar të Camajt, megjithatë ai tregon se Camaj mbajti fjalën e tij mbresëlënëse, në të cilën kishte shpalosur se ky qe takimi i tij i parë me bashkatdhetarët, të cilët nuk kishte dashur t’i ekspozonte para se të binte diktatura komuniste. Më tutje ai tregon për takimet e radhës pas asaj njohjeje.

“Pas asaj njohjeje ne e patëm ftuar në Prishtinë dhe e patëm pranuar si anëtar nderi të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Mesazhet e tij gjatë qëndrimit në Prishtinë qenë pajtuese, integruese, vëllazërore, që në klimën e polarizimeve të reja që po shfaqeshin, ishin si mehlem për varrë.”

Më pas ai foli për dhimbjen kur Camaj u nda nga jeta, dhimbje kjo për humbjen e një shkrimtari dhe dijetari unik. Ai përmendi gjithashtu botuesit e parë të krijimtarisë së tij, të cilët ishin: Shtëpia Botuese “Buzuku’’ me tregimet ‘’Pishtarët e natës’’ (1991) dhe romanin ‘’Diella’’ (1994), ndërsa ‘’Jeta e Re’’, në vitin 1991 botoi vëllimin “Nën hijen e gjarprit’’.

Krasniqi, hapjen e këtij debati në kuadër të PEN Qendrës së Kosovës e vlerësoi si një xixë shprese për të dalur nga shtjella e dekolturimit dhe e deshqiptarizimit, duke e vlerësuar Camajn si frymëzim edhe sot.

Tutje u lexua kumtesa e Blerina Rogova Gaxhës me titull “Martin Camaj, udhëtimi nëpër jetë”.

Blerina Rogova Gaxha, udhëtimin e Camajt e cilësoi si një udhëtim jo për përmbushjen e jetës, por imponim i braktisjes së një jete të cilën ai e ndjeu se do të qe e egër.  Ajo përmendi largimin e tij nga origjina dhe realitetin  e një të mërguari të hedhur në shkrim.

‘’Letërsia e Martin Camajt është letërsi e krijuar jashtë kufijve shqiptarë – në mërgatë. Camaj apo letërsia e mërguar! Kjo është letërsia e dukagjinasit që u përndjek që herët nga regjimi komunist dhe iku në Itali e Gjermani, ku gjeti strehë të studionte e të shkruante letërsi, për ta bërë veprën e tij krejt të veçantë për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai është zë i vendit që shtegton nëpër botë dhe kthehet si jehonë nga bota – si zë i mërguar.’’

Rogova Gaxha përmendi se si Camaj ishte i edukuar si një frymë lirie e vetëdije refuzuese, me ç’rast refuzoi ta humbte lirinë shpirtërore, duke e refuzuar terrorin ideologjik, për ç ‘shkak iu desh të braktiste vendin. Poezinë  e Camajt ajo e cilësoi si ‘’mall për një kujtim e jetë të jetuar e të pajetuar’’. Në udhëtimin e Camajt, ajo vlerëson se poeti mbështetet në lirinë që i jep poezia si krijim, porse kjo liri si çdo tjetër ka sakrificën e vet, siç ligjëron te poezia ‘’Vrasja e poetit”:

Liria e fshehun mbas vargjeve

Të poezisë

Nuk ishte vetëm:

Para tyne rrishin galue roje

Shpend mishngranës

Me fytyrë njerëzore.

Për ta përmbyllur fjalën  e saj, Gaxha Rogova, e quan udhëtimin poetik të Camajt si “udhën e tij për të mbetur gjallë, në letra dhe në jetë.”

 “Kënga popullore si pikënisje dhe frymëzim ”ishte kumtesa e radhës të cilën e prezantoi profesori Osman Gashi.

Në fjalinë e tij mbi krijimtarinë letrare të Camajt, ai e vlerësoi si një ndër poetët më të veçantë të letërsisë shqipe.

“Temat e motivet më të shpeshta në poezinë dhe prozën e tij ishin: vendlindja, rrafshet, luginat e bjeshkët ku mrizonin zanat, mitet e legjendat, trolli i shpisë, votra, oborri, arat, Drini, pyjet, kullotat, pastaj simbolet si gjarpri, breshka, buelli, shiu, nana…”, tha Gashi.

Ai bëri gjetjen e lidhjeve mbi trashëgiminë letrare të paraardhësve të tij, me poetët shkodranë si Mjedën, Gurakuqin, Fishtën, madje edhe me Migjenin. Midis veprave të tij poetike, ai veçoi vëllimin poetik ‘’Legjenda’’, i botuar në Romë, në vitin 1964.

“E shkruar gjatë viteve të para të qëndrimit të Camajt në Itali, ‘’Legjenda’’ shënon jo vetëm një evolucion të natyrshëm, po edhe një ngritje të ndjeshme cilësore të shprehjes së tij poetike.” Këtij libri i prin parafjala e autorit, i cili vë në dukje lidhjen e pashkëputshme të letërsisë sonë të shkruar me atë popullore…

Ndër tjerash, Gashi foli për disa nga poezitë më karakteristike nga krijimtaria e tij, e që janë ‘’Ai që i bjen fyellit n’hanë” dhe “Beka i verbët”, “Për kaun e mbytun  në kohë të ujës” , “Buelli”, “Dranja” etj.

“Vështruar përgjithësisht Martin Camajn pa dyshim mund ta quajmë poet të gjuhës, për shkak të përdorimit brilant të saj. Po kështu Camaj nuk u përputh në asnjë element me letërsinë e realizmit socialist, por siç theksonte studiuesi Shaban Sinani “refuzimi i tij nuk mbaron vetëm në kontekstin e refuzimit teorik, estetik e ideologjik. Ai i ikën rregullisht llojeve të pastra letrare dhe i vetëpërkufizon veprat e tij me terma të huajtura nga muzika (madrigal), nga paleografia dhe arti kishtar, nga shkrimet e shenjta apo nga folklori… dukuri këto që e inkuadrojnë veprën e tij përbrenda kufijve të modernitetit letrar.”

Krejt për fund, fjalën e mori profesori Anton Berishaj i cili shpalosi kumtesën e tij me titull “Mimesisi dhe metafiksioni – Proza e Martin Camajt”.

Në fjalën studimore të tij Berishaj iu qas kësaj problematike, “duke pasur parasysh perspektivën teorike bashkëkohore lidhur me mimesisin dhe metafiksionin, po gjithnjë duke i mbajtur në horizont edhe fundamentet teorike të relacionit letërsia/bota, teksti/realiteti, fiksioni/fakti që nga paradigma aristoteliane e mimezës gjer te paradigma bashkëkohore  e botërave të mundshme/fiksionale/alternative/virtuale, të cilat përcaktojnë jo vetëm idenë filozofike të ontosit letrat, por edhe implikimet në afiliacionin poetik e zhanror te teksteve letrare.”

Mes krijimtarisë së Camajt, ai shkëputi veprën “Djella”, duke e përmbyllur me:

“Metafiksioni i Camajt te romani Djella shtron edhe probleme fundamentale të etikës diskursive letrare. Poezia – kjo rregulluese e kohës – (për Camajn e ka vlerën e nocionit Dichtung nga poetika gjermane) te Djella, në planin diskursiv gjithmonë e ka burimin te pasionet dhe ëndërrimet – tek ajo hapësira frojdiste  e lirisë dhe e mungesës së kontrollit diskursiv e kulturor. Pra, poezia sipas tij është gjithnjë në eksplorim të hapësirave të reja të lirisë – të hapësirave të reja performative dhe vetë-modeluese. Këtu duhet parë etikën diskursive të Camajt, e cila shkon edhe përtej parodisë (së zhanrit, të letërsisë së realizmit socialist, të letërsisë si të tillë) dhe vetë-parodisë. Me anë tjetër, duke ia nënshtruar procesin kreativ shqyrtimit racional kritik e vetë-reflektues, metanarracioni/metafiksioni i Camajt sikur do të tejkalojë/neutralizojë mallkimin platonist/sokratik të mimesisit, i cili sipas tyre sjell vetëm vuajtje në jetën e njeriut. Edhe ne këtë kontekst, metafiksioni i tij bart me vete një etikë diskursive të re në relacion me forma të tjera të fiksionalitetit narrativ.”

Gjithashtu, sonte dhe nesër, në orën 18:00 në KultPlus Caffe Gallery, aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës do të vazhdojnë me prezantimin e krijimtarisë letrare të Ali Podrimës dhe Teki Dervishit. /KultPlus.com

Të ngjajshme