Për ata që s’janë

27 Prill, 2020 - 5:50 pm

Shkruan: Edona Reshitaj

Ende jetoj me të kaluarën
Humbem në kohën që lam pas
Mendimet më fluturojnë atje, dhe aty më ngecin.
E tashmja është verbuese për mua. Nuk e shoh. Nuk e ndjej… sepse nuk të përket Ty.
Kam ndaluar së jetuari, qysh prej asaj dite kur shkove. Më shtrengove fort, më njome faqen me lotin tënd, më buzëqeshe lehtë… dhe shkove.. për t’mos u kthyer më kurrë.
Koha ime ndaloi aty. Jeta ime ndaloi aty. Aty, në atë rrugicë qorre, mbuluar me gjethe vjeshte dhe me pak dritë. Mëngjeset u ngrysën. Pranvera nuk qeli më. Jeta ndaloi bashkë me ty.
Tash kur po e ndjej plakjen, kur rrudhat furishëm po zënë vend në fytyrën time, kur floket shtresë të bardhë kanë marrë, e kuptoj sa kohë e gjatë kaloi. Jetoja në një Botë imagjinare, aty ku perkisje edhe Ti.
Nuk ka të tashme për mua, sepse tash, nuk je më Ti

Edona Reshitaj
Tetor 2015

Të ngjajshme