‘Për të qenë i lirë, njeriu duhet të ndjekë rrugën e arsyes dhe t’i mbajë nën kontroll ndjenjat’

23 Korrik, 2022 - 12:30 pm

Ki guxim t’i shërbesh arsyes tënde! Këtë ka kërkuar Immanuel Kant (1724-1804). Filozofi i famshëm e përkufizoi Iluminizmin si “daljen e njeriut nga papjekuria e vetvetes”. Për të qenë i lirë, njeriu duhet të ndjekë rrugën e arsyes dhe t’i mbajë nën kontroll ndjenjat dhe instiktet.

Gottfried Wilhelm Leibniz

Iluministi i hershëm, Leibniz (1646-1716) konsiderohet shpesh si dijetari i fundit universal. Që para Kantit ai formuloi një maksimë të rëndësishme të iluminizmit: Çdo njeri i ka aftësitë për një jetë dinjitoze. Sipas tij, të gjitha virtytet e njeriut mund të zbeheshin, – vetëm arsyeja jo.

Johann Gottfried Herder

Filozofi dhe shkrimtari studioi në Kënigsberg, ka qenë edhe nxënës i Kantit. Herder (1744-1803) në librin “Ide mbi filozofinë e historisë së njerëzimit” ai e sheh zhvillimin e njeriut si një maturim organik drejt humanizmit. Ai kujton se parimi i tolerancës duhet të vlejë për të gjithë popujt dhe kulturat.

Gotthold Ephraim Lessing

Toleranca, Liria dhe Vetëdija e re e qytetarisë – këto mendime janë filli i kuq në dramat dhe shkrimet teorike të Lesingut (1729-1781). Në shkrimet e tij filozofike ai kritikon dogmatizmin dhe angazhohet për trajtimin e barabartë të besimeve fetare.

Nathan i Urti

Këto ide Lesingu vazhdon t’i shtjellojë edhe në dramën “Nathan, i urti”, në një kohë kur iu ndalua të publikonte teoritë e tij. Kjo pjesë teatrale ende vihet në skenë (në foto me aktorin Klaus Maria Brandauer Vjenë 2004), sepse tema e tolerancës fetare ende sot është aktuale.

Moses Mendelssohn

Drama “Nathan i urti” është njëkohësisht një homazh për mikun e ngushtë të Lesingut, Moses Mendelssohn (1729-1786). Iluministi hebre e frymëzoi Lesingun për figurën e Nathanit, dhe luftoi për tolerancën fetare.

Theodor W. Adorno

Si mundi të ndodhte, që megjithë iluminizimin, “mbiu fara e barbarisë së re” – fashizmi? Me këtë çështje merret Theodor Adorno (1902-1969) në vitet 40-të, në kohën e emigracionit në Amerikë së bashku me Max Horkheimer. Së bashku ata shkruan “Dialektika e zhvillimit.”

Adorno e Horkheimer

Morali, kultura dhe shkenca përcaktohet nga formalizmi i pastër i “arsyes së instrumentalizuar”. Sidomos Horkheimer (1895-1973 majtas) thekson se me këtë individi rrezikon vetveten. Adorno dhe Horkheimer trajtojnë rënien pre të individit ndaj ideologjive totalitare.

Jürgen Habermas

Filozofi dhe sociologu i lindur në Dyseldorf Jürgen Habermas (1929) bën pjesë tek intelektualët më të njohur të së tashmes. Ai e vazhdoi më tej Teorinë Kritike; sipas tij ndërveprimet komunikative krijojnë bazën e shoqërisë. Këto janë të orientuara drejt arsyes. /KultPlus.com

Të ngjajshme