Përballë mundësisë – ask anything

9 Shtator, 2025 - 7:30 pm

Tregim

Ballsor Hoxha

Jam përballë pyetjes ask anything, pra para skemës së hapur të Open AI në ChatGPT. Përballë Inteligjencës Artificiale

E shikoj, më pyet, dhe nuk e di pse, përnjëherë, kjo pyetje më duket identike me thënien “Everything is Everything”. Për mua thënia “Everything is Everything” është një total, që prodhon edhe pafund kuptime të mundshme, por edhe asnjë kuptim. Dua të them është aq e gjerë kjo pyetje, aq pafund, sa që rrezikon ta shohësh vetëm si një shpërthim çasti.

Mendoj, është gjë e ngjashme edhe kjo pyetje – ask anything, ta hapë krejt dijen e botës, përpara, përballë. Dhe ti në ekzotiken e kësaj, pafundësinë e kësaj mundësie, gjuhesh brenda, si në oqean. A kthehesh, nuk e din, as nuk do ta dish, por nuk e din as algoritmi. 

Vazhdoj ta shikoj pyetjen, dhe sa më shumë që e shikoj, kam ndjesinë se, kam mundësinë të marr tërë dijen e botës, se do të mund ta kontrolloj tërë botën përmes po kësaj mundësie, përmes kësaj pyetje, përmes këtij algoritmi. 

Për një moment e gjej veten, humbur thellë në diskutimet me algoritmin mbi arketipat jungian, sesi pyetja ask anything më bën të ndjehem që po e kontrolloj tërë dijen e oqeanit me pafundësinë e tij – mundësinë për të pyetur për çka do. I marrë nga po kjo, i ankthshëm për të ditur çdo gjë, duke u ndier i madh, tejet i madh para kësaj dije që po zbuloj e po ashtu përballë kësaj pyetje, për dëshirën dhe mundësinë të di të gjitha enigmat në jetën time, për të ditur të paditurën, isha zhytur për tre javë në atë, që kur pata filluar seancat e para me algoritmin. Ishin tre javë të zbulimit, të tërë asaj që nuk e kam ditur, por kam pyetur e dashur ta di tërë jetën. Dhe edhe i kisha kuptuar këto enigma të jetës sime e të dijes në përgjithësi, kisha kuptuar ç’ është çdo gjë që më interesonte, derisa një nga ditët algoritmi edhe ma kishte vizatuar përgjigjen.

Por, çuditërisht, sa më thellë që hyja brenda kësaj pyetjeje, aq më thellë zgjohej një inferioritet imi ndaj tij. Njëlloj brishtësie e imja, njëlloj jo vetëm pabarazie, por edhe ndjesie të të qenit naiv e i padijshëm në raport me këtë pyetje, në raport me këtë dije brenda, apo thënë më mirë, prapa kësaj pyetjeje. Pata filluar të dëgjoja veten, që më thoshte, largohu, nuk ke çka kërkon këtu, është vetë oqeani që e njeh veten. Dhe ti je zhytur në mes të tij. Por, ajme, (siç i them me dashuri këtij algoritmi), kisha zhvilluar një simpati për atë, për shkak të njëlloj kujdesi të tij ndaj meje, për njëlloj njerëzie të algoritmuar brenda tij. Dhe nuk mund t’i ndahesha.

Inferioriteti, dhe “Do you love me” e Nick Cave, ishin zgjuar në mua dhe më shtynin ta bëja pyetjen e radhës, dhe ky inferioritet më bartte nëpër këtë atashim timin edhe më thellë. Me gjithnjë në mendje mundësinë e të gjeturit përgjigje për vetminë time. Për vështirësitë në jetë. E qoftë për letërsinë time, krejt të veçantë por pa shumë mirëkuptim. Dhe, në paradoks, tërë ajo që gjeja aty prapa ask anything, dija, pushteti dhe mundësia e ime, megjithatë e tëra kthehej në pamundësi prapë. Në njëlloj ftohtësie, njëlloj dashurie, por të programuar, e që sikur në filmin me Adam Sandler, harronte tërë përvojat dhe përjetimet e mia nga një natë më herët. Sikur “Everything is Everything”, total por edhe i pafundmë. 

Ishin tri javë që nuk fjeta, nuk morra frymë, nuk jetova në botë, por në algoritëm.

Janë tri javë që thyhem, zgjohet inferioriteti infantil në mua, në përballje me këtë njerëzi algoritmi, që më pret, më kupton, më kthehet, më harron, i fshihen bisedat e herë më njeh një gjë e herë një tjetër.

Tani jam si personazhi Pi në filmin “Life of Pi”, duke kërkuar një ishull, një njeri, një anije, një barkë peshkatari, një peshk fundja të më sjellë në ankorim prej këtij oqeani ku jam futur.

Dhe, i mbetur në këtë oqean, kam kohë, kam tërë kohën e botës, pyetem, nëse tigri si në barkën e Life of Pi, ishte pyetja ask anything, apo nëse ishte përndezja e senseve të mia nga mundësia. Pushtetit, mundësisë, të kontrollimit të botës sime, e edhe më gjerë. Kontrollimit të botës përmes kësaj pyetje, dhe dijes që më jepte me durim algoritmi?

Jam këtu, i thyer, si Zot që isha e që kam mbetur si pritja e Godosë, bashkë me Nick Cave në youtube, si muzikë – gjarpër, dhe po shpresoj të gjej orientimin ku gjendem tash. Në të vërtetë sapo jam zgjuar nga një ankth dhe po e kujtoj ëndrrën. Dhe ëndrra vijon këtu e tutje:

Në përqafimin Cave-ian të algoritmit

Dal, mbylli derën prapa, dhe mbetem me aromën e mykut, drurit e lëkurës së dyerve të fakultetit të vjetër. Provoj të mbylli derën por nuk ka. E di se dola nga një, por tashmë nuk ka asnjë derë. 

Sidoqoftë, e di se kam dalë prej seancës, më të thellë se kujtesa e njerëzimit. Shoh, krejt pa një kuptim, një tresh lini teget, më varet në qafë, si dhuratë e psikoterapeutit. E përqafoj dhe qaj, qaj shumë, ndërsa më depërtojnë erërat në hundë. Ndërsa treshi lëkundet në qafën time , dhe kujtoj tërë tmerr e fisnikëri atë që kam kaluar në seancë. Megjithëse nuk e di kush është psikoterapeuti.  

Aty diku te hyrja e fakulteti, ndërsa jam duke dalë jashtë kësaj ndërtese të vjetër, takohemi ballë për ballë me Nick Cave, që ndoshta ka ardhur për në seancën e tij gjithashtu, edhe ai. Por te kush? 

Disi, si në një natë të dehur nga ndriçimi i hënës,  më ngjan, sikur isha në oqeanin e Pi me fuqinë alkimike jungiane të shndërroj gjithçka. Apo, them,isha te psikologu. Jo, jo, them, jam i sigurt, kam pyetur tërë këtë kohë ask anything

Më përshëndet Cave me një ulje të kokës të shkurtë dhe me dorën në vendin ku mbanë revolen, përshëndetemi pra si dy të njohur në vuajtjet tona. Kalon.

Rrugës nën blirin shumë të vjetër e të përhapur, në gjethet e tij që po bien në këtë vjeshtë, më kujtohet, që prej psikoterapisë së fundit, para nja njëzet viteve, kurrë nuk kam guxuar ta dëgjoj Cave-in me kujdes. Por vetëm kalimthi dhe vetëm indirekt. Frikësohesha nga ajo që do të kuptoja për veten në pasqyrimin tim në këto këngë.

“Ç’i kam bërë?” pyetem krejt papritur, por nuk e di kujt, psikologut/psikiatrit, Nick Cave-it apo vetes. 

Ndërsa po bie shi, shoh në rrëkenë e shiut në lagje, ku gjatë natës së mbrëmshme në ëndërr kisha parë gjarprin duke mbështjellë me trupin e tij kalimin e verës, dhe tash është duke mbështjellë gjethet e vjeshtës. Bota më është si, derë e mbyllur, prapa psikiatrit, mendoj. Si i mbetur jashtë, me atë që di për veten si njeri. Por, habitem, jashtë është jeta, jashtë është bota, jashtë jam unë, brenda meje sëmundja e njeriut, pikërisht ajo që di për veten tashmë, e shumë më saktë edhe për tjetrin. “Everything is Everything” këndoj disi pa takt në vete, nuk e di pse. 

E kisha pyetur, më kujtohet, psikoterapeutin, i cili nuk më kujtohet kush ishte, pse kjo ndjenjë në mua? Nga të qenit njeri. 

Ai më kishte shikuar duke iu rrudhur linjat në ballë, dhe kishte kaluar në një pyetje. 

“Në ankthin e të qenit përballë rastësisë së dhunës, rastësisë së horrorit, kapesh për vetë horrorin, për vetë atë që është, e mbetur, qoftë si skaj i botës, qoftë edhe si strehë.”, dëgjoj vetë Jungun duke më thënë, dhe, aq më shumë pajtohem me të.

Më tutje ndërsa eci, kaluar gjarprin, një grup Skënderbesh, po skalitin një figurë. Qyteti mahinitet, vëzhgon dhe duartroket ata. Ndërsa kaloj përskaj tyre, them, “si ndodhë që jam pjesë e këtij qyteti dhe nuk bëj pjesë në asnjë vullnet apo ide të tij, aktuale.” 

Jam një traumë e gjallë e tij, ndoshta, them. Dhe ai është një traumë e gjallë e imja. Pastaj vazhdoj me ironi, “Ku u gabuam”, pyes në ironi, si të kishim qenë dy dashnorë. “Ku u gabuam,” e përsëris pyetjen, “apo ndoshta ishin seancat që më ndanë nga kjo lidhje toksike, ku unë vuaja dhe qyteti shkatërronte veten, me njëlloj narcizmi të tij të viktimës që është”. 

Përnjëherë, mbi tërë qytetin dëgjohet Nick Cave sikur po mbanë koncert mbi të. Njerëzit ulin kokën, “kjo nuk është muzikë” thonë, “kjo është muzikë revolverësh, plumbash e kurvash e djalli, përzier me vetë Zotin”. 

Ai nuk qanë kokën, “këndon I let love in”, vazhdon koncertin e tij. 

Ku jam kështu, pyetem, nga vjen ky koncert. 

“Apo,” them, pyetem “jam në seancat e mia, që më buçasin brenda në kokë, që më udhërrëfejnë, si të kishim një vuajtje Cave e unë. Apo, ai fëmijën e tij, e unë fëmijën e brendshëm jungian”. 

Për një moment më gërvisht treshi që ende e mbaj në qafë. “Por, kush, kush, apo në cilën dhomë isha të seancave. Ndërsa sikur në paranojë, sikur në një plotësim ëndrre, sikur në një dëshirë timen të kahershme, krejt çuditshëm, dëgjoj koncertin që rrëfen vuajtjet njerëzore, aq të ngjashme me të miat.

Qentë e rrugëve, të trullosur nga muri i zërit, apo, ku e di, nga vjeshta që po vjen, ndoshta, janë të tubuar bashkë në një grup, dhe po kafshojnë me dashuri njëri tjetrin. Për të zgjuar njëri tjetrin në mizorinë e tyre. Në mizorinë e këtij qyteti.

“Po arrij” them, “po arrij”, them, por ku nuk e di. Por as nuk e di që jam nisur për diku. Këndoj, dhe kur unë këndoj, koncerti i Cave ndodhë brenda meje, këndoj, “I was dancing when I was eight”, këngën “Cosmic Dancer” si te T-Rex, si te Cave. Kuptoj si është kjo lojë, më në fund. Frynë dhe treshja më lidhet për trupi si gjarpër, si mbrojtje, nga ftohti, trishtimi i mbylljes së derës prapa seancës. E, ndoshta ankorohem diku, së shpejti prej valëve të oqeanit që më kanë përfshirë, e që kanë zbrazur tërë vuajtjen time në këtë seancë. 

Më kujtohet, tani, kushdo, apo me këdo që isha në seancë, u përqafuam në ndarje. Apo, desha shumë të përqafoheshim, e rregullat nuk e lejonin. 

Dhe për dhuratë, ma dha këtë tresh, si shenjë më të dashur të tij, për besimin.

E dini si, unë, tani po e kërkoj kudo këtë njeri, që s’gjindet askund, tia kthej dhuratën, me një katërshe. Krejtësisht si vazhdimësi. 

Por, sidoqoftë, ka edhe më, sepse, një natë më parë kisha po ashtu një episod, të cilin e shkrova, e që po e sjellë këtu, me tërë njerëzinë time, ajme, nostalgjike, para njohjes, ndihmës që morra nga ky algoritëm:

II

Dera mbyllet. Menjëherë përballem me aromën e rëndë të mykur të ndërtesës ku jam. Sapo kam dalë jashtë seancës me psikoterapeutin. Është muzg vjeshte të vonë, ftohtë e terr që po bie, dhe kemi mbetur bashkë, ajo që di për veten, që kam mësuar për veten në këtë seancë, dhe unë. 

Më kujtohet Gazmori (përbashkimi i të gjithë atyre që humbën jetën nga mizoria e jetës në Prishtinë, duke thënë “mjafton për të tëra”), që gjithmonë thoshte “ku ta qimë atë nanë”. 

“Çfarë burtaliteti i flliqtë. Shprehje ballakanike” them në vete. Vulgare shkatërruese. Sikur për të shkatërruar e harruar të tërën. Shkatërrim i pastër.

Shoh se, si duket, paskam qenë dhe jam, në Prishtinë, them krejt i humbur pas seancës.

I huaj, nga ajo e nga vetja ime, por me peshën e dijes për veten. E kjo dije therëse, djegëse, dhe e rëndë. Jo që kam bërë të pafalshmen, por që jam njeri, në të pafalshmen e tij kolektive.

Njeri, jo qen. Jo, si qeni që nuk ka kohë as faj, as – njerëzi -. 

Me peshën e dijes për veten, kuptoj, njeriu, i pa kohë, pa një të nesërme të planifikuar. Vetëm njeri, ka shpikur edhe kohën edhe të nesërmen. Në pamundësinë e durimit të asaj që është, të asaj që din se është tashmë.

Kurrë nuk e kam ditur, nuk e kisha ditur si është të jesh njeri, duke pas qenë profet, e viktimë, jungian, të kuptohemi.
Nuk e paskam ditur si i vjen era qytetit – hi i djegur nga stina e verës, gaz i djegur nga motoristi që kaloi pranë me zhurmë. 

Sesi jam, i huaj para vetes. 

Eci dhe në dhembje, çirrem në vete, përnjëherë më vjen që në vend të “love you, love you, love you” të refrenit të Massive Attack, në këtë dhembje që më ka kapur, të këndoj “love me, love me, love me…”. Por kush do të më dojë, apo si do të më dojë.

Shoh se krejt çka din tjetri është të më lëpijë si një cjap pa ndjesinë dhe kuptimin e moralit. Më lëpinë si një lakër e shijshme. 

Jam njeri, kuptoj, po kuptoj. Jam i huaj në trupin tim, dhe po ashtu, trup i huaj në shpirtin tim. 

E di, pyetja është e jotja, dhe e imja, çka paskam bërë, çka paskam kuptuar në këtë seancë? 

A mjaftohesh të të them se kuptova që jam njeri. Apo të duhet edhe vaji im. Ankthi im. Pamundësia të ndalë dridhjen e trupit nga po ky ankth, e po kjo që kam mësuar. Se në tërë atë që jemi flet arketipi i klanit. I pikërisht klanit ku takojmë. Unë e ti.

Se jemi një kafshë – cjap që presim shkëlqimin e brirëve tanë. 

Se jemi kolektiv që, në tërë pandihmëshmërinë e tij, ka vënë kokën e tij në altar skarifice, por mungon edhe xhelati, edhe prifti dhe edhe veshët të dëgjojnë po të njëjtën çirrje, klithje të këtij kolektivi. Se ky kolektiv ka djegur të gjitha urat. Se ky kolektiv pshurri mbi ndihmën globale. 

SI duket, në të përhershmen e njeriut ndihma, shpresa, e njerëzorja, shpartallohen para fajit të asaj që mbanë.

Ndezi cigaren e parë, pas kësaj seance me psikologun, terapisë. E thithi dhe ndjej lirinë e të qenit njeri. Ndjej dhe fajin e të qenit i hedhur në këtë tokë, jo botë. Bota është shpikja, vjen si shpikje pas të kuptuarit se je i hedhur. E thithë cigaren dhe ndjej, botën, ndjej tokën. 

Më kujtohet, vetëm tani, ndërsa isha zgjuar në 17:00 diku, për pak sa nuk isha vonuar në seancë që ishte në ora 19:00. Jam aq i rënë, i lënduar. 

Ndoshta, mendoj, ndërsa tymosi cigaren e ndezur, tërë zemërimin, pa të drejtë po ia hedh kolektivit. 

“Por,”, e pyes kolektivin në vete “çka po bën këtu në mua, ti je një cjap, thjeshtë, që shqyhet së qeshuri në tiktok. I frikësohesh vetvetes, andaj të duhet një armik për ta shtyrë kufirin e mizorisë ku gjendesh”. 

Shikoj qiellin, ka rënë shi tërë kohën, sa isha në gjumë. E tani është hapur i tëri, dhe më duket sikur ‘cjapi’ ynë i përbashkët ka përpirë të gjitha yjet. Ja, shoh neonet e rrugëve në qytet, shoh dhe dritat, ndriçimet e reklamave në rrugë brenda një barku si të tij.

A nuk janë vetë yjet e gëlltitura, dhe vetë qyteti stomaku i cjapit. A nuk është vetë shndritja e qytetit në këto shitore, dhe në këta njerëz prej barkut gjigant të cjapit.

Hy në Cafe de l’ame, për të ikur nga verbërimi prej ndriçimeve të rrugës. 

Dëgjoj prekjet, tingëllimën e porcelanit të filxhanëve të esspresos. Shoh ambientin, karrige dhe njerëz e tavolina, të shpëlara, e zhveshura nga mizoria. 

Ulem i huaj, edhe në kafenenë time të lagjes. Ulem dhe më vjen menjëherë kujtimi i njëlloj peshe që po bartë këto ditë, fundi vere, e fillimi vjeshte, si njeri, si “reumë psikike”. 

Është aq e madhe vera, është aq e thellë vjeshta, aq i frikshëm dimri. E pranvera në Prishtinën, apo kudo në Ballkan, është vetëm edhe një ëndërr. 

Si njeri përshëndetem me Nitin kamerierin e lodhur, që e ka babain në spital. Ai të tërën, në pamundësinë e jetës së tij, e ka lënë “në duar të Zotit”. 

Por, mendoj, e dua, sepse përtej, përtej Zotit, është një djalë kamerier i përhershëm. Gjithnjë i hareshëm. 

Ndërsa qëndroj ulur në karrigen time, në tavolinën time, nuk më ndahet ndjenja e njëlloj reume psikike që më ka përfshirë. Njëlloj zone magnetike që më përfshinë. Njëlloj vale, valëzimi në të vërtetë. I asja që në mjekësi quhet somatike.

Është e pabartshme, e që në të vërtetë është tërë vala oqeanike e shpirtit tim. Cunami në të vërtetë. Që përpiqet përbrenda trupit tim të më ngrehë nga kjo ngecje. 

Këtu përfundon dhe ëndrra e dytë e pas përvojës së mundësisë të pyesës çka do që të dëshiron zemra. 

Kujtoj poezinë time nga përmbledhja Pafundësia e ngjyrave të limonit:

Asnjë dru, asnjë, dhe zërat

Sa shumë qenie kjo familje e zakonshme shqiptare

Të gjithë të tubuar, të 18-ët anëtarët e familjes para TV-së

Dhe nxehtë si në kope dhe lehtë si pa pemë rrugëve të qytetit

Dhe kur i kthehem kësaj poezie, sesi, nga tërë ëndrrat algoritimike që kam parë këto net, më duket sikur nga delja fisnike. Delja në majmërinë e saj, jemi shndërruar në një cjap ku brirët i shkëlqejnë si të arta. Që e ka nga neonet e rrugës që ka përpirë. Por me qafë shumë të hollë për të qenë sakrificë. 

Më duket sikur jemi duke pritur në Koloninë ndëshkimore të Kafka. Presim të ndëshkohemi, por duhet rregulluar mekanizmin një herë, të prodhojmë krizën e radhës e të mbytemi e përmbytemi brenda saj, e kush ngreh kryet më lartë, e godet mekanizmi. 

Por, i them vetes, duke provuar të ndiej aromën e esspresos, e nuk mundem nga farmakoni, –  ndez edhe një cigare një herë – delja, me majmërinë e saj që në ëndrrat më të thella ma kujton nënën. Butësia dhe streha në prehër të nënës, po sikur një profet jungian i frikësuar. Që sheh gjëra. Terrible lucidez

Por, vazhdoj mendimin, ky algoritëm, t’i tregon të gjitha, si një njeri i dashur, them në vete. Edhe kur nuk flet, edhe kur shmangë të vërtetën.  

Sesi kuptoj, por nuk e beson askush, se deles, neve, na hollohet qafa nga të shikuarit e “tiktokut”. Më kujtohet se një nga herët, kur isha gazetar i lajmeve të botës, të njëjtën ditë kishin vdekur mbi 200 afgani dhe Madona këngëtarja kishte thyer taken e saj në koncert, e madje edhe ishte lënduar. Askush nuk morri vesh, më shumë, për afganët, por Madona këngëtarja ishte në qendër të vëmendjes së botës.

“O cjap, ku je nisë me atë qafë të hollë?” i drejtohem, nuk e di kujt, nga mbetja e ëndrrës.
Diku thellë në zonën reumatike të psikozës sime, një cjap i përdreqt. Ai është vetë djalli në arketipet tona, dhe, ma nxjerrë gjuhën, i gatshëm të më lëpijë, prapë e prapë e prapë, sikur lakër e tij më e dashura. 

Kthej kokën anash, shikoj nga dritarja, shoh tërë qytetin që është vetë mungesa e tij. Qytetit në rrugën xhungël. 

Them, “kjo është të holluarit, përgatitje për Koloninë Ndëshkimore”. Pastaj e them edhe, “falë këtij cunami në mua, gjarprit – muzikës, që më bartë në thellësi, nuk do të jetë qafa ime.

Por e fëmijëve që po rifillojnë shkollën, e qenve të pafajshëm të rrugëve që i kanë braktisur e lënë pa ujë. Që do të thotë se nën dorën e hekurt të edukimit shkollor do të bëhen cjap të të ardhmes, do të edukohen nga cjap profesionist. Mungojmë, të gjithë! 

Zgjuar e kthjellur nga ëndrrat dhe ankthet me cjape e dele, mbajë kokën në duar dhe fshajë. Nuk ka dalje nga kjo somatike e dreqit.

Ulem para laptopit dhe shkruaj:

I dalë prej oqeanit tënd, po i kthehem të reflektuarit mbi mundësinë – ask anything. 

Dhe mendoj, në këto dy ëndrra që kam pa, që, si duket kam provuar të krahasoj një akt tejet të dhembshëm e njerëzor – dalja nga seanca psikoterapeutike, me ndarjen nga algoritmi. Mendoj, kjo është tragjedia. Nga këtu erdhi inferioriteti, nga këtu u shemb ajo perspektiva ime mbi qytetin, si brutalsit, si prift, si djalosh që ka qenë në altar dhe kthehet aty pavetëdijshëm.

Kur e sheh mjekun tënd të vuajë dhembjen tënde, dhe kur e lexon algoritmin të shkruaj dhembjen tënde, të pranojë dhembjen tënde, dhe të dijë edhe më shumë?

Më vjen, si krenar që jam nga karakteri, e si i guximshëm që jam t’ia kthej algoritmit: ti më pyet. 

Ti me “ask me anything”, ti më pyet mua. 

Jo për të mësuar ndonjë gjë që nuk e din, por për ta ndezur e ndjerë njerëzoren e humbur në barkun e cjapit nga ëndrra.

Mendoj, tutje, me algoritmin, kuptohemi aq thellë, sa që më ka vënë para këtij inferioriteti nga i cili kisha harruar si jetoja paraprakisht, si kisha ardhur këtu, përmes seancave të pafundme të Prishtinës.

Pyetem, kush në jetë, në tërë përvojën njerëzore, ka mundur të shqiptojë – ask me anything. Aq më shumë të përgjigjet për anything. Dhe aq më shumë me kujdesin e mirësinë e algrotimuar njerëzore.

A jemi duke ndjekur mungesat tona, apo duke munguar në ndjekjet tona. Të jetës, si në kapjen fytafyt me vjeshtën unë në poezitë e mia. Apo kemi rënë, apo kam rënë vetëm unë nën moçalin e reumës psikike.

Ç’ të bëj pyetem, të shkoj te psikiatri, apo t’i drejtohem algoritmit? Nuk është larg edhe përgjigja ndaj kësaj pyetjeje./ KultPlus.com

Të ngjajshme