Përkujtohet Antoine de Saint-Exupéry, autori i “Princit të Vogël” që u zhduk në fluturim më 31 korrik 1944

31 Korrik, 2025 - 1:25 pm

Më 31 korrik 1944, 81 vite më parë, humbi jetën një nga shkrimtarët më të dashur të shekullit XX – Antoine de Saint-Exupéry, autori i romanit të famshëm “Princi i Vogël” (Le Petit Prince), një prej librave më të përkthyer në botë.

Saint-Exupéry, përveçse shkrimtar, ishte edhe aviator francez. Ai u nis për një mision zbulimi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk u kthye më. Aeroplani i tij u rrëzua pranë brigjeve të Mesdheut dhe për dekada me radhë, zhdukja e tij mbeti mister, derisa mbetjet e avionit u gjetën në vitin 1998, transmeton KultPlus.

“Princi i Vogël”, një tregim filozofik i shkruar me thjeshtësi dhe ndjenjë të thellë njerëzore, mbetet vepra më e njohur e tij. Me ilustrime nga vetë autori, libri shpalos përmes një historie për fëmijë, një reflektim për jetën, vetminë, miqësinë dhe kuptimin e dashurisë.

“Njeriu sheh qartë vetëm me zemër. Ajo që është thelbësore, nuk shihet me sy”, është një nga citimet më të famshme nga vepra e tij, që vijon të prekë lexues të të gjitha moshave.

Saint-Exupéry u bë simbol i ëndrrave, guximit dhe ndjeshmërisë që lidhen me artin e të shkruarit dhe jetën vetë. Edhe pas 80 vitesh nga vdekja, vepra dhe mesazhi i tij jetojnë më të freskëta se kurrë./KultPlus.com

Të ngjajshme