Përkujtohet hapja e seminarit italo-shqiptar të Palermos

5 Dhjetor, 2022 - 9:30 pm

288 vjet më parë u çel seminari italo-shqiptar i Palermos, i cili konsiderohet si qendra e parë albanologjike.

Seminari u themelua në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), pranë Palermos, në vitin 1734. Gjergj Guxeta njihet gjerësisht si themeluesi i kësaj qendre arsimimi, edukimi dhe kulture, vatër e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe traditave arbëreshe.

Drejtuesi i parë i saj, në cilësinë e Rektorit ishte arbëreshi Pjetër Andrea, me origjinë nga Himara, i cili e drejtoi për 10 vjet me radhë.

Seminari u bë një vatër e kulturës shqiptare. Në të u formuan një varg intelektualësh arbëreshë, shkrimtarësh e poetësh të shquar, traditë e cila dëshmoi për vendosmërinë e përhapjes së kulturës së trashëgimisë arbëreshe në shekuj.

Në dokumente të ndryshme ky seminar përmendet edhe si “seminari grek” për shkak të ritit bizantin të praktikuar prej arbëreshëve.

Ky institut kishte detyrën e mirëpritjes dhe edukimit të të rinjve nga komunitetet arbëreshe të “ritit bizantin” të pranishëm në Siçili. Seminari u bë qendra më e rëndësishme fetare dhe kulturore për arsimimin e brezave të rinj të priftërinjve arbëreshë për kolonitë e tyre në Siçili./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme