Përkujtohet në përvjetorin e vdekjes, albanologu At Zef Valentini

16 Nëntor, 2021 - 6:00 pm

Si sot më 16 nëntor 1979 ndërroi jetë At Zef Valentini.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, duke përkujtuar këtë ditë, thekson se At Zef Valentini, nuk ishte shqiptar, por e fliste dhe e shkruante shqipen mjaft mirë. Ishte albanolog i rёndёsishёm, njё kёrkues shkencor nëpër arkiva dhe biblioteka të ndryshme për historinë e Shqipërisë e tё shqiptarёve.

At Zef Valentini u lind në Padovë më 1 korrik 1900. Në vitin 1924 u diplomua për filozofi dhe më pas në vitin 1928 për teologji. Në moshën 20 vjeçare erdhi për herë të parë në Shqipëri si misionar jezuit. Mes viteve 1922-1932 ishte mësues në Kolegjin Saverian të Shkodrës.

Në fund të vitit 1943 At Zef Valentini u largua nga Shqipëria për në Itali, ku drejtoi revistën “Letture” dhe nisi të botojë tekste mbi Shqipërinë. Në vitin 1955 ishte në krye të Katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Palermos, ku themeloi dhe drejtoi “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”. Ndërroi jetë në Palermo më 16 nëntor 1979.

DPA publikoi edhe një letër të vitit 1943, të At Zef Valentinit drejtuar Ernest Koliqit, me anën e së cilës i bën të ditur se si po shkon puna për shtypjen e veprave të Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare. / KultPlus.com

Të ngjajshme