Përkujtohet poeti Azem Shkreli, Demaku: Nuk ka magji që mund ta fisnikërojë më shumë shpirtin e njeriut se vargjet e tij

3 Nëntor, 2021 - 5:30 pm

Era Berisha

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, u përkujtua figura e poetit e kritikut letrar shqiptar, Azem Shkreli, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës, siç është projekti “Ora e Shkrimtarit 2”. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të krijimtarisë shqipe, të ftuar në panel ishin ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Avni Spahiu, poetja Naime Beqiraj, nën udhëheqjen e shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berishës, të cilët me analizat e kujtimet personale të tyre, shpalosën figurën e paharrueshme të një shkrimtari të mirënjohur siç është Azem Shkreli, shkruan KultPlus.

Për Shkrelin, i cili dikur ishte kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit, diskutimin e nisi moderatori Ibrahim Berisha i cili fillimisht foli për jetën e autorit e më pas edhe për nderin e krenarinë që ky shkrimtar ia dhuron shqiptarëve.

“Zgjedhja e Azemit si një nga personalitetet më të njohura të letërsisë shqipe dhe më të angazhuar në proceset kulturore dhe artistike në Kosovë, na nderon dhe na obligon që përherë të kemi në vëmendje Azemin. Ai gjithmonë ka lënë shenja të dallueshme në krijimtarinë e tij e veçmas edhe në kulturën e filmit ”, thotë Berisha.

Sipas tij, Azemi ka qenë shumë i lidhur me Kosovë, Rugovën dhe botën shqiptare në përgjithësi.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e krijimtarisë së Shkrelit, foli ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Avni Spahiu.

“Adhuruesit e Azem Shkrelit, në gjurmimin e kujtimeve për të, patjetër do ta kujtojnë si një poet që kërkonte lirinë e popullit të vet, rebelueshëm në jetë dhe në letërsi. E kam njohur Azem Shkrelin për shumë vite dhe në dekadën e nëntëdhjetë të shekullit njëzet kemi kaluar momente të shumta së bashku të rënduar me ndjenjën e persekutimit dhe të pasigurisë të kohës së dramës së madhe të Kosovës. Azem Shkreli shprehte poezinë e tij të angazhuar dhe thellësisht personale që zinte fill që nga fëmijëria e tij e hershme dhe vetmitare”, thotë Spahiu.

Sipas tij, poezitë e tij të fundit dukeshin shumë profetike, parë në dritën e perspektivës nga e sotmja, poezitë që lartësonin Kosovën, ankthin e poetit kundruall atdheut të shkelur, ndërkohë që Shkreli vetë i ngjante një metafore të tokës, gjithnjë më fytyrëzbehur, gjithnjë më i goditur nga koha, gjithnjë më i ligështuar fizikisht, me skeptik dhe më i dëshpëruar, derisa kur arriti në aeroport dhe shkeli në tokën e Kosovës nuk qëndroi më dot dhe përftoi.

“Vdekja e hershme dhe e papritur e poetit dhe intelektualit, Azem Shkreli, vente para nesh një pyetje të rëndë, atë të përballimit të testit të kohës. Sfida e kohës ishte, pa dyshim, gjithëpërfshirëse dhe nuk ishte assesi e kufizuar vetëm në politikë. Ajo kalonte përtej kufijve të mbretërisë së politikës dhe të gjendjes aktuale të çastit. Ajo që zbulonim atëherë ishte çështja se a do të mundte një komb, që kishte provuar të gjitha llojet e pezmit dhe pasojat e tij, edhe mbi intelektualët dhe inteligjencien, të ndeshej me agresivitetin e kohës dhe prapë të ruante qartësinë e mendjes dhe të shpirtit, si dhe vazhdimësinë e jetës. Kjo, në radhë të parë, kishte të bënte me intelektualin”, thotë ai.

Për Spahiun, vdekja e intelektualit, nuk kuptohej më vetëm si përmbyllje e qenësisë së tij të natyrshme, por si një pasojë, si një perëndim alegorik viktimizues i rrethanave që përshpejtonin tragjiken e tundimit të padurueshëm.

“Azem Shkreli ishte si një zjarr që vlon, një harmoni midis formës dhe shpirtit poetik, një intelektual i preokupuar me fatin e njeriut dhe të atdheut të tij. Si intelektual nuk besonte në varësinë esenciale të botës materiale ndaj mendimit dhe ndjenjës dhe çonte një jetë si gjithë të tjerët, në shoqëri me intelektualët e kohës që përpëliteshin në përpjekjet e saj. Edhe ai si poet ishte i detyruar të kënaqej me mënyrën civile dhe të konformuar dhe të shkruante poezi në një ekuidistancë të sigurt me përvojën e vet jetësore”, përfundon Spahiu.

Tutje, poetja Naime Beqiraj foli rreth poezisë së Shkrelit, duke e cilësuar atë si një liri pa hijezime.

“Azemi u takon autorëve të rrallë që e stërholloi fjalën deri në finesa të imta pa kaluar në rregullat e ngurta e të rrepta të ligjërimit libror e lakonik të cilat poezinë dinë ta bëjnë edhe të pashpirt. Ai mbetet ekzemplar i poetit që e thelloi urtinë e mendimit – në gjuhë të zgjedhur. E heshtura e tij, nuk mbërthehet as zbërthehet”, thotë Beqirja.

Sipas saj, poezia e Shkrelit është liri, e liria nuk ka hijezime.

“Mendim i tërhequr me pak fjalë e thellësi, ai ndërton skele të fuqishme të fjalës që e mbajnë në tokë dhe e mbajnë pezull një shkëmb të tërë. Poezia e tij ka ndjesi, ka edhe spontanitet. Te Azemi, shpërthimet emocionale janë të rralla, të thella; të zbërthyera e të strukturuara poetikisht me gjuhë që ngritet nga libri në libër. Shqipja e sofistikuar në verbin poetik të Shkrelit, është metaforike, metaforike foljore”, përfundon Beqiraj.

Ndërkohë, në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga paneli, tutje nga të pranishmit u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që poezia e Shkrelit të jehojë në muret e KultPlus Caffe Gallery, e njëkohësisht duke hyrë thellë brenda shpirtit të pranishëm e kapluar vëmendjen e tyre me magjinë e poezive të papërsëritshme.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari, Daut Demaku, i cili foli para pjesëmarrësve për vargjet poetike të Shkrelit, të cilat me magjinë e tyre e kaplojnë shpirtin njerëzor.

“Është interesante dhe e çuditshme se si një Kosovë nuk di ta lexojë magjinë e mençurisë së një shkrimtari. Azem Shkreli ka qenë një njeri që oqeanin e ka bërë pikë vese, studiuesit e tij pikën e vesës mund ta bëjnë oqean të fjalëve. Unë jetoj në dy vargje të tij dhe në ato vargje shihet mënyra se si oqeani shndërrohet në pikë vese: ‘Kur përmallimet në këtë mall, m’harro bukur dhe thuaj u takuan n’prrallë’. Nuk ka magji e mençuri që mund ta fisnikërojë më shumë shpirtin e njeriut se këto vargje”, thotë ai.

Sipas tij, vargu ‘Kur t’vish, rrugën merre me veti që të mos ketë kthim’, krejt ajo që quhet pendim, pikëllim, dridhje e shpirtit, është shndërruar në atë varg.

“Azem Shkreli është margaritar në përmasa botërore që nuk e njohim as ne. Ne e kemi për detyrë, jo që ta shpjegojmë e interpretojmë por thjesht e shkurt; ta përjetojmë poezinë e Shkrelit”, përfundon Demaku.

Pastaj, nën atmosferën e ngrohtë e poetike, të pranishmit vazhdonin të ndanin kujtime të veçanta e krejtësisht origjinale nga jeta e Shkrelit, poeti i cili do të qëndrojë gjatë në zemrat e tona e ndoshta do të na shoqërojë neve edhe deri në momentet e fundit të jetës njerëzore.

Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com

Të ngjajshme