‘Perla dhe dreri i artë’, përralla e Elia Zaharias që sjell dritë, guxim dhe magji

22 Gusht, 2025 - 4:20 pm

Me një histori të ngrohtë, të mbushur me dashuri e shpresë, Elia Zaharia bisedon me fëmijët për  librin e saj, “Perla dhe dreri i artë”, në Qendrën për Hapje dhe Dialog.

Një përrallë që flet me gjuhën e zemrës dhe që gjen vendin e saj në Shqipëri, aty ku bjeshkët, zanat dhe nimfat shndërrohen në udhërrëfyese magjike për lexuesit e vegjël dhe të rritur.

Burim frymëzimi për këtë krijim ka qenë vajza e autores, e cila ka ndriçuar çdo fjalë e faqe, duke e bërë këtë libër një dhuratë të veçantë për të dhe për të gjithë fëmijët.

“Në librin e dytë, ndërkohë, unë u bëra me një gocë të vogël, që tani është katër vjeçe e gjysmë. E ka emrin Geraldinë, si stërgjyshja e vet. Sa herë lexonim ose shfletonim librin e parë, ku flitej për stërgjyshen e saj, ajo thoshte: ‘Mami, po mua kur do të ma bësh një libër? Dua edhe unë të jem personazh i një libri.’ Dhe kështu unë fillova të frymëzohesha nga e përditshmja jonë dhe të shkruaja pak e nga pak episodet. Sigurisht që fantazia pastaj fillon dhe udhëton…” tha znj. Zaharia.

I shoqëruar edhe me ilustrime, “Perla dhe dreri i artë” prek zemrat me mesazhin e mirësisë dhe të guximit, ndërsa përpiqet ta bëjë edhe më të prekshëm rrëfimin.

“Jam përpjekur që, edhe nëpërmjet gjuhës së ilustrimeve, ta bëj librin sa më të pranuar dhe të aksesueshëm për të gjitha moshat. Do të thotë se edhe një fëmijë që nuk ka mësuar akoma të lexojë, mund ta kuptojë nga ilustrimet, të cilat mund t’ia shpjegojnë prindërit apo edhe t’i interpretojë. Për shembull, Geraldina, vajza ime, nga ilustrimet di që ta thotë përrallën në kronologjinë e vet, sepse e kupton,” u shpreh autorja dhe aktorja e njohur.

Ky është botimi i dytë që Elia Zaharia sjell për të gjithë vogëlushët./rtsh/KultPlus.com

Të ngjajshme