Përralla me Hashimin

8 Qershor, 2020 - 5:09 pm

Nga: Arben I. Kastrati

Mirëmbrëma fëmijë të dashur

Mire se erdhët në emisionin tuaj të preferuar: “Përrallë”.

Protagonist i përrallës sonë të mbrëmjes, është Hashim Thaci. Përralla me Hashimin, është përralla juaj më e pëlqyer. Ritransmetimi i përrallës me Hashimin, vie nga kërkesat tuaja të vazhdueshme.

****

Naratori:

Na ishte njëherë një djalë. Quhej Hashim. Hashimi jetonte në Brojë. Edhe pse Broja nuk gjindet as në Google Map, është fshat i njohur në Kosovë. E Kosova është shtet i pavarur, falë djalit të quajtur – Hashim.

Kur lindi Hashimi, edhe pse ishte djalë, u habit i gjithë fshati?! Fshati u habit sepse Hashimi lindi i dobët shumë dhe i gjatë. Edhe pse i gjatë, ai nuk hecte. Përpos që nuk hecte, ai edhe nuk fliste. Prindërit, të brengosur që djali Hashim nuk po hecte dhe as nuk po fliste dhe koha që të regjistrohej në shkollë kishte ardhur, e dërguan për vizitë tek doktori i fshatit më të madh në rrethinë, i cili pasi që e kontrolloi, konstatoi që Hashimi nuk kishte asnjë parregullësi në zhvillim. Përkundrazi, ai kishte një organ më të zhvilluar nga të tjerët: e kishte trurin të madh, edhe pse e kishte kokën të vockël. Prindërit nuk kishin pse të shqetësoheshin, sepse ai ishte plotësisht i shëndoshë. I tillë kishte qenë dhe i madhi Lenin, që nuk kishte hecur deri në moshën pesëvjecare, sepse truri i kishte rënduar shumë se shtati, duke ia mundur barazpeshën…

Doktori, u sygjeroi prindërve, ta dërgonin fenomenin Hashim për egzaminim të mëtejmë në Prishtinë. Por, Prishtina ishte larg, shumë larg, shumë, shumë larg…   

Vitet kalonin dhe Hashimi nuk fliste. I ati, e mori Hashimin dhe e dërgoi për vizitë tek hoxha i fshatit. Hoxha, sapo e pa Hashimin, shau mjekun që s’kishte dijeni, dhe konstatoi që djali ishte shumë mirë. Djali Hashim fliste, por nuk arrinin t’a dëgjonin. Pas vizitës, hoxha e bekoi Hashimin dhe e veshi me aftësi të vecanta. Kur po dilte, e uroi të bëhej President. Urimi i hoxhës do ta zinte si tutkall.

Pas bekimit të Hoxhës së fshatit, Hashimi mori fuqi të pazakonta. Kaluan vite. Hashimi u rrit, u zgjat shumë, u bë i fortë si celik, nxirrte flakë nga goja dhe tym nga hundët. Kohën e kalonte në shkollë dhe në arë duke ruajtur lopët. Një pasdite me lopët, u sulmua nga një ujk gjigand. Hashimi e kapi ujkun për fyti, i shau t’ëmën, e shtrëngoi fort dhe e cau në mes. Britmën e ujkut e dëgjoi i gjithë Ballkani. Trimëria e tij, e shndërroi në mit. E gjithë bota, fliste vetëm për veprën e Hashimit.

Një ditë prej ditësh, teksa Hashimi po ruante lopët, intuita i tha që kishte një libër nën një shkëmb të madh. I fortë sic ishte, e ngriti shkëmbin lartë në ajër, e nxorri librin, ndërsa kur shkëmbi ra në vend, e dridhi gjithë globin duke shkaktuan ca tërmete dhe cunami të frikshëm…

Hashimi i lexoi të dy vëllimet e “Historia e Popullit Shqiptarë” me një frymë, se kishte veti të pazakonta. Qau. Dhe qau shumë kur kuptoi se c’po hiqte populli shqiptarë nga armiqtë. Sepse në Brojë, nuk kishte parë asnjë armik. Armiqtë, e kishin të ndaluar të hynin në Brojë.

I bekuar nga hoxha i fshatit sic ishte dhe i paisur me aftësi të pazakonta, i vetëm, i luftoi pushtuesit deri në clirim.

Armiqtë shtien në drejtim të Hashimit me vite dhe pa ndalë. Ai, i vecantë sic ishte, i kapte plumbat e pushkëve me dhëmbë dhe gjylet e topave me pëllëmbë, ndërsa helikopterët dhe avionët i rrëzonte me grushta. Ndërsa i shtypte armiqtë me shkëmbinjë, të cilët ua hidhte me pëllëmbët e duarve. Edhe pse i vetëm, e fitoi cdo betejë.

I vetëm, i mundi të tërë armiqtë e shqiptarëve dhe e shkëputi Kosovën nga kthetrat e ujqërve. I la gojëhapur jo vetëm armiqtë, por edhe miqtë.

Erdhi në Prishtinën e cliruar dhe për një periudhë fare të shkurtër kohore; studioi, diplomoi, magjistroi, doktoroi, specializoi, instaloi parajsën dhe fitimtarë u kthye në Brojë, vendlindjen e tij. Mori lopët dhe doli në arë, duke e lënë Kosovën e cliruar në duart e askushëve, që ishte gabimi i tij i parë dhe i vetëm. Prishtina, brenda dy muajve pa Hashimin, humbi cdo gjë, përfshi dhe asfaltin. Nuk ishte cilësia e dobët e asfaltit, por aciditeti që përmbanin pështymat e të ardhurve. E tretën asfaltin me pështyma acidike. Prishtina mbeti kryeqyteti i vetëm në botë, pa asfalt.

Ndërkohë, një betejë e re u hap nga pështyesit. Ishte betejë politike. Sa më i suksesshëm që bëhej Hashimi, aq më shumë armiqë krijonte. Filluan ta fyejnë armiqtë duke e quajtur intrigant, katundar, filozof i Brojës etj…Hashimi nuk merrej me kundërshtarët politikë, ca partizanë këmbëpërmbikëmbës, që e kishin lënë Prishtinën pa asfalt. Ai po e shijonte kurorën, edhe pse e rëndë ishte kurora.

Një ditë, teksa po shëtiste në arë dhe po e përgatiste kundërsulmin ndaj oponentëve politikë, intuita i tha të nxirrte një libër nga shkëmbi. Që të mos e dridhte globin sërish, e ngriti shkëmbin me njërën dorë, dhe me tjetrën dorë e nxorri librin, katërqind e tetëdhjetë e katër faqet e të cilit, i lexoi për katërmbëdhjetë minuta, sepse Hashimi ishte bekuar nga hoxha i fshatit dhe kishte veti të pazakonta. Nga ai libër mësoi shumë. U edukua, u arsimua, u vetëdijësua. Mësoi të ishte i sinqertë, të mos bënte intriga, të mos i shante kundërshtarët, të mos punonte pas shpinës së tjerëve, të mos pështynte në asfalt. Ai, iu përmbajt këtyre parimeve, në vazhdim.

U kthye në Prishtinë, dhe për një kohë të shkurtër, Hashim Thaci u bë Kryeministër. Ai mbante të drejtën e bërjes së shtetit. Kosova mund të ishte vetëm: Thaciste ose e vdekur. Kur konstatoi që Kosovën e cliruar po e humbisnin, mori vendime në dëm të vetes, për t’i ndihmuar vendit. E dezinfektoi nga tanët dhe udhëhoqi gjithë proceset deri në pavarësi.

Pas pavarësisë, vendosi të merrte një pushim të gjatë, dhe t’ia plotësonte dëshirën hoxhës, dhe u bë President. Nga mirëqenia që solli, gjysma e populates u bënë këngëtarë. Vetëm aty ku ka mirësi këndohet.

Tani, fëmijë të dashur, pas njëzetë vjetësh, djaloshi i dikurshëm Hashim, ka vendosur ta heq barrën nga supet dhe të na lë jetim. Pas udhëheqjes së të gjitha proceseve, ka vendosur të rroj i lumtur, duke hequr dorë me vetëdëshirë nga dija.

Ne, do të na mungojë Hashimi dhe bëmat e tij heroike dhe historike. Por, ne duhet ta pranojmë vendimin e tij. Kolektivisht të pikëlluar, do ta përcjellim për në Brojë, duke mbyllur një kapitull, sa madhështor aq edhe të dhimbshëm.

Shpresojmë të mos ngrejë ndonjë shkëmbë dhe të gjejë ndonjë libër tjetër, sepse do ta privonte nga pensionimi. Edhe pse rikthimi i tij eventual, për ne, do të ishte domethënës.

****

Fëmijë të dashur

Këtu i erdhi fundi, ritransmetimit të përrallës tonë për sonte.

Natën e mirë, të dashur fëmijë. Gjumë të ëmbël. Flini të qetë. Gjithmonë, ju mbronë djaloshi – Hashim. /KultPlus.com

Të ngjajshme