Përrallë dimri – Një histori e vërtetë dhe shumë e ndjerë e autorit Ermal Mulosmani

26 Dhjetor, 2023 - 12:30 pm

Nga Ermal Mulosmani

Përrallë dimri (1)…

Në kapërcyell të viteve 84-85, unë isha 15 vjeç. I dobët, i gjatë si skërfyell por me gjoksin përplot ëndrra e ambicie. Mendimet e mia të fshehta ishin të infektuara me virusin e heroizmit, lavdisë, protagonizmit. Situatat imagjinare ku guximi dhe vetëmohimi im gjenin një publik duartrokitës, një turmë që mahnitej nga trimëritë apo le të themi zgjuarsia ime, gumëzhinin ëndrrave të mëngjesit që gdhinte prozaik, i ashpër, i pamëshirshëm.

*****************

Bora e atij dimri e kishte marrë shtruar. Në fillim askujt nuk i ra në sy, dukej si të tjerat. Pishat te kinemaja e qytetit akoma nuk ishin përkulur nga pesha e rëndë, në qendër të qytezës akoma kishte qarkullim të dendur banorësh që e ngrohnin atë kallkan me gumëzhima zhurmash nga më të ndryshmet.

Dalëngadalë kuptuam që dëbora po binte shtruar me flokë të trashë e të dendur. Rrugët filluan të boshatiseshin, shkallët të humbisnin thyerjet dhe frika të pllakosë qytezën…

“Autobusi që po vinte nga Tirana mbeti në rrugë dhe u kthye”- qarkulloi me shpejtësi një lajm. Po ashtu edhe gazi i gazetës. Po izoloheshim. Tarracat e pallateve po mbusheshin me borë dhe duhej shumë punë me lopatë për të evituar rrezikun.

Fusha e druve ndodhej rreth 2 kilometër larg qytezës dhe nuk kishte makinë që t’i sillte në rrugët e bllokuara totalisht. Shtigjet e para që u hapën filluan të ziheshin sërish nga dëbora e re. Kishte poezi ajo gjendje por duhej t’i kishe punët në rregull që ta lexoje. Shumica kishim pak dru në shpi lëre pastaj të tjerat… I kujtoj me detaje udhëtimet e mia të herëpashershme te fusha e druve ku mbushja thasë dhe i mbaja në krahët e njomë e të pafuqishëm. Më pëlqente shumë kur dikush vinte re përpëlitjet e mia me peshën e rëndë mbi supe, me malin e dëborës përpara dhe duart e nxira nga i ftohti. Isha nën ndikimin e heroizmit siç e thashë më lart. Lëre pastaj kur shihja se si e shijonin në shtëpi zjarrin bubulak që “drutë e mia” lëshonin përmes hekurishteve të vjetra të një stufe gjithashtu heroinë.

Ndërsa ditët kalonin dëbora kaloi një metër e po kapte dy. Për herë të parë po kuptoja se trashësia e dëborës mund të kalonte trupin e stërgjatë të babait tim. I cili lëshohej që në mëngjes herët në klubin e qytezës si banori më besnik i tij. Klubi ishte institucioni qendror i qytezës sonë, quhej “Bujtina e Shpirtit”. Shtigjet e krijuara me vështirësi nga kolegët e babait, miq të fërnetit, të gjitha, të çonin te ajo bujtinë. Atyre shtigjeve të ngushta ku silueta e njeriut humbiste, vazhdimisht fillëronin bujtës të paepur që mbysnin dëshpërimin në alkool. Kur ktheheshin nga “bujtina” ishin më të lumtur, më të gëzuar…

Nga mesi i Janarit u bë e qartë që reshjet e dëborës nuk do pushonin. Shtigjet po mbylleshin, njerëzia po fillonte të ndjente krizën e ushqimeve. Ishte karantinim pothuaj i plotë. Një ditë erdhën nga Tirana nja dy helikopterë me ndihma emergjente ushqimore. Në këtë situatë paniku, babai im, që gjithsesi vazhdonte ritualin heroik drejt bujtinës së vet, tha si nëpër dhëmbë: “A thua Bute Ramja si do i ketë punët në këtë tmerr”…

Butja ishte njerka e babait por njëkohësisht njeri i jashtëzakonshëm dhe shumë i dashur për të gjithë ne. Burri e la të ve 42 vjet të shkuara (viti 1943) me katër vajza, gruan tjetër (nënën e babait) dhe babain tim, në një kullë majë një kodre të vetmuar të quajtur Tuçep. Atje, majë asaj kodre, ajo jetonte e vetme prej vitesh. Gjithë të tjerët, me kohën, u larguan nga kulla trekatëshe. Mbeti vetëm ajo, plakë e fortë, aso kohe ndoshta 70 vjeçe. Fillërimi i saj majë asaj kodre bëhej heroik kur mendon se shtëpia më e afërt ishte shumë larg, ndoshta 1 kilometër dhe një përrua që në dimër egërsohej e bëhej i vështirë, si një lumë pa urë. Pa kaluar atë përrua nuk mund të fillonte ngjitja e kodrës…

Kur babai pyeti për fatin e Butes (unë plot dashuri e quaja Nana Bute) u preka. Ai po e hidhte fjalën më shumë si preokupim njerëzor sesa si ndonjë mundësi për të shkuar e parë sesi ishte puna. Ishte si me thënë “ishalla i ka mbijetuar kësaj katastrofe”.

Ishte budallallëk me okë të mendoje të udhëtoje 5 kilometër në atë shkretëtirë të bardhë ku edhe qentë kërkonin strehë dhe zhdukeshin. Muzgu binte herët e kallkani ta pushtonte trup e shpirt nëse të zinte përjashta. Nuk e zgjata atë muhabet më me babin. Por fshehtas fillova të ëndërroja për udhëtimin tim heroik drejt shpëtimit të nënës (ehhh sa isha nën ndikimin e heroizmave ato kohë)…

Të nesërmen vesha një palë çizme të reja të babit me nr 44 që ishin goxha të mëdha për këmbën time. Por me çorape leshi nuk më binin keq. U armatosa me gjithfarë rrecke që gjeta në shtëpi dhe dola pa i thënë kujt asgjë. U nisa drejt rrugës kryesore të makinës, asaj që të çonte në Fierzë. Rruga ishte e mundimshme, shtegu ishte i ngushtë por ecej me pak mundim. Bëra 5 kilometër rrugë dhe mbërrita në stacionin e Bujanit, në Dezdar pas nja tre orësh të mira. Në të majtë dëgjohej uturima e Valbonës, lumit të bekuar kaltërosh që ishte bërë si Amazonë. Ishte një zhurmë shurdhuese e frikshme, madhështore, gati e mbinatyrshme. Hodha sytë drejt fshatit që dukej matanë Valbonës. Quhej Mollë e Kuqe. Për të shkuar deri atje duhej të kalohej një urë teli që lidhte brigjet. Vetëm ta shihja atë urë sipër asaj mase ujore gjigande të frikësonte. Kur e mendoje se kishte njerëz që e kalonin pastaj…

Nejse të kthehemi në udhëtimin tim “shpëtues”. Deri te shtëpia e Mic Sokolit, heroit tonë, ishte pak rrugë dhe punëtorët e Fierzës kishin hapur shteg të mirë. U shndërrova me njerëz që më panë me dyshim e keqardhje. Ata po shkonin në punë, hidrocentral, po unë ku dreqin po shkoja?! Sa më shumë habiteshin ata aq më shumë përkëdhelej sedra ime. Unë po shkoja atje ku ata as e mendonin ndonjëherë. Vazhdova rrugën kur… befas u bllokova krejtësisht. Për të shkuar te shtëpia më e afërt e gjyshes sime (edhe kjo kushërirë e jona) nuk ishte fort larg, ndonja 200 metër. Unë e shihja shtëpinë e saj dhe tymin që lëshonte oxhaku i saj. Ishte si një magnet. Por nuk kishte kurrfarë rruge dhe një mal bore 2 metroshe e paprekur përpara…

Fillova udhëtimin e ferrit. Mendoja se rrugën e dija përmendësh por pas 40-50 metër kuptova se po ecja kuturu….

********

Përrallë dimri (2)

Rruga deri te shtëpia e kushëririt (prej së cilës dilte tymi i bekuar, aspirata më e afërt e udhëtimit tim) zgjati nja një orë. Shpejt e pikasa që shtegu i dikurshëm, ai që kufizohej nga një arë në njërën anë e një vijë uji (jaz) në krahun tjetër, më humbi. Mendoja se e dija përmendësh atë shteg por dëbora i kishte mbuluar gjithë gjurmët e dikurshme…

Këmbët e mia ishin shumë mbi tokë, ndoshta 40 cm sipër saj. Pesha ime nuk e kishte rëndesën e duhur për të prekur tokën. Kuptova që kjo ishte gjë e mirë, pasi, gjithsesi, bora po më mbronte nga ndonjë e papritur ku mund të binte këmba. Mirëpo lartësia e saj dhe, për dreq, një dëborë e re që filloi të shtronte flokët e vet mbi trupin tim, më plogështoi pak.

Isha diku në mes të një ish are të punuar, jo shumë majtas shtegut që ishte i rrahur përditë nga banorët e shtëpisë së kushëririt e, për rrjedhojë shumë herë më i kalueshëm dhe e bënte udhëtimin më të lehtë. Por çdo tentativë për të kërkuar shtegun, në ato kushte, ishte marrëzi. Duhej të vazhdoja, të ecja si mbi re. Bora ishte shumë më e lartë se trupi im, gjithsesi i gjatë (182 cm). Në çdo metër që ecja ndeshesha me një mur të bardhë e bukur të ngjeshur dëbore. Rrëzohesha jo pa njëfarë qejfi mbi dëborë për të hapur rrugën ndonjë metër, pastaj ecja aq sa më lejonte. Nuk isha aq i lodhur, të ftohtin sikur nuk po e ndieja shumë. Flokët e dëborës që më binin mbi kokë nuk më bezdisnin. Por po humbja orientimin, shihja vetëm çatinë e shtëpisë që kisha koordinatë të parë dhe ecja.

Kur mbërrita afër gardhit të shtëpisë u takova me shtegun e ngushtë në të cilin kalonin kushërinjtë e mi. Ohh, çfarë gëzimi. Në verë, sa herë kaloja rreth asaj shtëpie ndalesha të haja mana të zinj, kokërrmëdhenj që binin në tokë e askush nuk i hante. Shkëmbeja ndonjë fjalë me Fatimen, të zonjën e asaj shtëpie me shumë vajza, ose Shpresën, Vjollcën. Ishte si të them stacioni im i fundit përpara mbërritjes te gjyshja ime e mirë… Isha i gëzuar që mbërrita pa ndonjë siklet të madh deri aty. Oborri ishte shkretëtirë, mani i ngrirë kallkan dhe njëfarë sheshpushimi i vogël i pastruar nga dëbora tregonte gjurmë njerëzore dhe shtigje të hapura në dy drejtime. Njëri çonte për në Vatoc e Vidricë, dy katunde të vogla të Bujanit ndërsa mundësia tjetër ishte të shkoje në stacionin e autobusit të Fierzës, pikërisht atje prej nga unë po vija por nga një drejtim tjetër… Ishte e tmerrshme të konstatoja që gjithë ai mundim imi ishte i kotë, mundej të kisha marrë drejtimin e shtëpisë së Manit dhe do vija si zotni… Nejse…

Thirra Fatimen. Bërtita nga jashtë nja dy-tri herë deri sa doli. Më pa ashtu, mes dëborës, të drobitur dhe, shumë e preokupuar, më kërkoi të futesha brenda të pushoja pak, të ngrohesha…

Do të ishte gjëja më me mend në kokë që do bëja. Por ora po ecte dhe unë kisha në plan edhe të kthehesha në qytet atë natë. Ndoshta ishte 12 a 1. Ishte vakt dreke. I thashë jo, më duhet të shkoj patjetër të shoh si është nana Bute. Më tha që vetë nuk e kishte parë por kishte folë me disa të sektorit dhe i kishin thënë se është mirë, e kishin takuar vetë…

E shkreta Fatime… Këmbënguli si mushka që mos të merrja atë aventurë që mund të më kushtonte shumë. Para meje kisha nja dyqint metra rrugë deri te “Përroi i Haxhi Jakupit”, kështu quhej (Haxhiu ishte burri i vdekur i Fatimes). Përroi mban emrin e tij edhe sot e kësaj dite… U ndava me Fatimen duke i premtuar se do të provoja pak e nëse do e shihja të pamundur do kthehesha. Gjë që as nëpër mend nuk e çoja…

Nisa kështu udhëtimin më të paharruar të jetës sime. Në atë mal dëbore nuk kishte asnjë shteg të rrahur qysh para se bora të zinte! Metoda e shtrirjes dhe hapjes së shtegut më funksionoi mirë nja 100 metër. Sigurisht ecja kuturu, pa asnjë përpjekje për të kërkuar rrugën e dikurshme. Për hir të së vërtetës ishte e pamundur ta bëja edhe sikur të doja. Por edhe po më shijonte pak ai udhëtim “heroik”, vetmitar e kuturu. Njëfarë “fillrojtësi Dedë” i vockël. Mbërrita te përroi pas nja një ore. Një re e zezë në atë stepë të bardhë sikur më solli para kohe muzgun. Kthej kokën mbrapa të shoh shtëpinë e Fatimes…Ohh, nuk kisha asnjë gjurmë të rrugës sime dhe shtëpia dukej aq larg…

Përroi ishte egërsuar si asnjëherë. Sa herë e kam kaluar atë përrua më vonë më dilte përpara ajo ditë. Shkulme uji përplaseshin me gurë, shelgje apo pemë me një tërbim vrastar në një gjerësi mbi tre metër. Matanë përroit, si të mos mjaftonte heroizmi për ta kapërcyer atë përbindësh, priste mali i dëborës së paprekur! Zot kur e kujtoj! Në gjithë atë udhëtim ky ishte i pari moment që thashë :“Ohh, çfarë i bëra vetes”!

Më duhej ta kaloja gjithsesi. Më shkoi nëpër mend se çfarë mund të ndodhte me mua nëse përroi idiot më merrte me vete… Pas 500 metrash ai përrua përfundonte në Valbonë e deri atje nuk kishte shanse të mbesje gjallë. U drodha nga frika! Nuk dija se çtë bëja! Reja e zezë sterronte sipër, zhurma egërshane e ujit të përroit të tmerronte…Po ngrysej…

Nuk di se si dola matanë atij përroi. Si u hodha nëpër nja dy gurë të vegjël që, ohhh, nuk më tradhëtuan dhe u kapa nëpër ca shelgje që vetëm një shpresëhumbur mund tu sulej… Di që dola matanë atij përroi i sakatuar, gërvishtur, lagur, qullur dhe me pantallona të grisura. Nuk di pse e mbaj mend këtë detaj…Këmbët më ishin mbushur me ujë…Isha rreth 50 metër më poshtë se vendi ku përroi kalohej në kohë normale…

Përpara kisha gjithë kodrën e Tuçepit, një kodër me pjerrësi të lartë, ndoshta në nivel 70 gradë, që, edhe në kohë të zakonshme bëhej me pushime…Ajo kodër ishte me shkurre të larta, ndonja një metër e gjysmë deri afër shtëpisë ku shkurret rralloheshin.

Aventura e përroit, në vetvete, mund të ishte e mjaftueshme për të gjitha mburrjet që kisha në plan të bëja. Por sapo u ndodha përballë dëborës në maloren e kodrës, frika mundi gjithçka.

U bëra pulë, fillova të këndoja. Bërtisja, lëvizja kot, shtrëngoja grushtat i thoja vetes “bravo Ermal, kjo ishte, mbaroi”… Ehh, nuk ishte kollaj ta gënjeja veten. E dija se ku isha dhe se shanset për të shpëtuar gjallë ishin jo të mëdha. Që nga ajo ditë i kam urryer heronjtë. Budallenj!

Duhej të mbijetoja me patjetër. Një si tis i errët po mbulonte gjithçka…Ky ishte më i keq se çdo makth mëngjesi! Kur thashë, diku më lart, që “kallkani të pushtonte trup e shpirt” kisha parasysh bash këtë moment. Kur isha në gjysmë të kodrës, duke kënduar nga frika, fillova të lutesha. Kisha frikë, shumë frikë. Fuqitë po më linin, muzgu më tmerronte. Nuk dëgjohej asgjë përveç një melodie të lehtë dëbore. Nuk kishte as qen, as zogj… Vetëm ndonjë sorrë krrokakte përzishëm. Ëndërroja një njeri por e dija se ishte e pamundur. Pothuaj isha dorëzuar. Mendova se do rrija ashtu i ngrirë dhe askush nuk do më gjente për ditë të tëra. Jeta kurrë nuk mori kuptim sesa në ato çaste. Mendova se e nesërmja mund të vinte pa mua dhe bota do vazhdonte njëlloj rutinën. U revoltova nga ky fakt i tmerrshëm. I dhashë kurajo vetes….

Pas dy a tri orësh, asnjëherë nuk e di se sa zgjati, mbërrita afër shtëpisë. Tymi që dilte më ngjalli. Bërtita e bërtita por askush nuk dëgjoi. Ishte e tmerrshme të vdisja aty, në prag të shtëpisë…

Nana Bute doli për të ushqyer pulat. Ua kishte përgatitur ushqimin brenda dhe po zbriste poshtë shkallëve të katit të dytë… Kur e pashë mu duk se erdhi Zoti vetë, ishin lutjet e mia.

“Oj Nana Bute” – mezi më doli prej thellësisë së shpirtit një zë i mekur…

Ehhh, erdhi ajo plakë e mirë, ai ëngjëll, erdhi me vrap… Më përqafonte e më puthte, qante e më mbulonte me çtë mundte…

Shpëtova gjallë!

Ohh, sa shumë paskam shkruar dhe sa kam lënë pa thënë… Por do ta mbyll këtu. Fundja të gjitha përrallat kanë fund të lumtur :)…

****

Përrallë Dimri (3)

Gjithë historia “heroike” e udhëtimit tim të Janarit të vitit ’85 nuk do ta ishte bërë kurrë publike nëse nuk do ishte për pjesën më interesante të tij, atë komike. Unë qesh me vete sa herë e kujtoj. Do jetë më e shkurtër se e para ndaj do ma falni këtë zgjatje të fundit…

Gjyshja ime më gjeti pothuaj të asfiksuar nja 50-60 metër larg gardhit të shtëpisë. Unë sigurisht do të mbërrija gjallë te shtëpia pasi e kisha kryer pjesën e vështirë por isha tejet i lodhur dhe dalja e gjyshes në krye të shkallëve ishte bekim. Por, pasi erdhi te unë e filloi të më përqafonte e mbështillte me çtë mundte, duke shoqëruar veprimet me fjalët “E mjera unë moj nanë po ç’dreqi të solli në kët kiamet” e të tjera si këto, unë fillova të mërzitesha pak. “Pse dreqin e dhashë veten në finish?!” Kjo nuk shkonte fort me historinë e ëndërruar ku unë e gjeja gjyshen të strukur të mërdhirë e në pritje të shpëtimtarit që Zoti ia solli aty në trajtën e nipit. Ëndërroja që pasi ta gjeja ta merrja ndoshta në shpinë a për krahësh e ta hiqja nga ajo “shpellë bore”…

Por në realitet ajo ishte shëndoshë si molla, e fortë, e gjallë, trime si gjithmonë. Ajo ishte heroina, unë isha viktima që u shpëtua. Situata ishte kthyer në të kundërt…Kjo e kishte prishur skenarin kryekëput…:)

I mërzitur nga ky fakt mora një farë qëndrimi sikur nuk kisha asgjë. Me gjasme kjo ishte një vogëlsirë që as ia vlente ta përmendte. Gjithçka fliste për të kundërtën, gjendja ime, këmbët e ngrira pothuaj, çjerrja e fytyrës, grisja e pantallonave, rrobat e bëra si llamarina nga ngrirja. Nuk kishte gjendje më qesharake se patetizmi im kur i thashë : “A je mirë, a ke pasë dru, ushqime”?

Me siguri edhe nëna Bute e mirë qeshte me vete kur më dëgjonte. Ajo ishte aq mirë e aq e zonja sa mund të jetonte edhe në Arktik. Më ndezi një zjarr të madh, më bëri një kryelanë me bukë çerepi e më mbajti larg zjarrit.

Më tha që duhet të ndërrohëm. Si të ndërrohesha?! Unë “heroi” të vishja rroba plakash?! Refuzova prerë por ndërkohë ajo nuk dëgjonte nga ai vesh. Më kishte bërë gati një set dhe më tha “Shko në qyler e ndërrohu”!

U ndërrova plot dëshpërim por edhe me një kënaqësi të fshehur. Rrobat e thara ishin parajsë. Edhe të plakës. “Fundja kush po më sheh” – i thashë vetes. Rri rehat.

Oda e ndenjes pas pak u bë valë. Unë po shkrija gradualisht, larg oxhakut. Nana e mirë më shihte me sytë e mbushur me lot e më përqafonte çdo tre minuta. Më bëri një kryelanë (përshesh me ajkë qumështi dhe gjalpë) që e hëngra si i babëzitur.

Pasi hëngra mirë iu ktheva avazit: “Nanë, a të mundoi kjo borë, a ke pasë me hangër, a po vjen në qytet me mua”?

Nana e mirë më shihte me një shikim që ishte një miksim i dashurisë, dhëmbshurisë, keqardhjes por kryesisht mëshirimit. Mëshirimi i kushtohej krejtësisht budallallëkut tim me okë, dëshirës sime për “heroizëm”. Nuk më kthente përgjigje por shikimi i saj fliste më shumë se çdo fjalë e mundshme. E ndjeva deri në kockë kotësinë e udhëtimit tim. Aty u ndjeva i dërrmuar fare. Sa herë më përqafonte ndjehesha më i vogël, si një fëmijë që do të bëjë veprime të rriturish dhe nuk ia del mbanë…

Por kulmi i gjithë aksionit tim absurd ishte kur gjyshja më tregoi se shtegu nga kulla jonë në Tuçep ishte i hapur nga drejtimi që të çonte në Gri (një nga tre mundësitë për të mbërritë aty). Disa griçorë (banorë të fshatit Gri) kishin hapur shteg dhe nëna Bute shkonte e vinte çdo ditë pa asnjë problem!!!

Çfarë?! Kaq gomar isha treguar?! Domethënë këtu gjendja ishte krejt normale dhe absurdi më kishte sjellë në një aventurë donkishoteske që mund të më kishte kushtuar jetën?!

Aty më kapi një maraz i madh me veten! Nuk do e tregoja kurrë këtë idiotësi. Mora vendim të kthehesha qysh atë natë në qytet. Fundja qenka kollaj. Deri në Gri qenka hapur shtegu. Aty pastaj ishte rruga e hapur e makinës. Ia thashë nënës Bute këtë mendim. Desha të paktën të shpalos edhe njëherë dimensionin tim “heroik”. Ora ishte rreth 7 e darkës… Fundja e meritoja atë ndëshkim për idiotësinë.

Por për të më bërë edhe më qesharak mendoi Nana Bute. Mu drejtua: “Të dëgjova edhe një herë të flasësh budallalliqe dy sytë shplakë t’i mshova. Ulu aty e mos bëj numra…Edhe nesër do të përcjell unë deri në qytet”…

U ndjeva si mut. Jo hero që s’isha por po rrezikoja të kthehesha në qesharak. Këtë nuk mund ta lejoja. Iu luta që të më linte të kthehesha vetëm. “Dakort, nesër i thashë por kthehem vetëm”…

Por nana nuk ma vinte veshin fort. Ndezi radion. E mbante gjithmonë te radio Kukësi. Ishte orari kur fillonte një program i bazuar në kërkesat e dëgjuesve. Sapo filloi dikush kërkoi këngën e Halil Gashit. I kushtohej një katundari nga Vuçiterna e Kosovës që kishte vrarë për nderin e së motrës. Gjyshja e donte shumë atë këngë. Nuk më ktheu përgjigje por nën zë fillojë të shoqërojë këngëtarin e famshëm epik….

Fund. / KultPlus.com

Të ngjajshme