“Persepolis” i Marjane Satrapit, përtej Iranit, për fjalën në vend të britmës

1 Nëntor, 2019 - 12:30 pm

“Të njohim të kaluarën që të kuptojmë të tashmen”, – me këto fjalë përkthyesit Mirela Kumbaro dhe Edmond Tupja sollën në COD diskutimin për romanin “Persepolis”.

Në takimin e katërt të Klubit të Librit nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” ngritën pyetje të rëndësishme rreth autores Marjane Satrapi, regjimit diktatorial në Iran, ekstremizmit fetar dhe historisë mbresëlënëse me grafika të shkëlqyera dhe të pazakonta.

Vetë Kumbaro, përmes një “shënimi në ditën e fundit të tetorit”, tha se u kënaq me “qemalsat” që takoi në Klubin e Librit të COD ku bashkë me Edmond Tupen ishin të ftuar për lexuar e diskutuar për një roman shumë të veçantë që kanë përkthyer bashkë, një roman vizatimor, të një autoreje rebele si Marjane Satrapi, Botime Pegi. Sipas saj, më e pakta që mund të thuhet është se këta gjimnazistë befasuan me kulturën dhe analizën e thellë dhe sidomos dhanë shpresë se ata janë më të mirë se ne.

“Por natyrisht, është fare pak një grup nxënësish të mirë të gjimnazit në qendër të Tiranës për t’u entuziazmuar. Ka mbi 5 vjet që flas e shqetësohem për atë që është harta e vërtetë dhe e plotë sociale e nivelit të edukimit kulturor me Fjalën. Me fjalën që mëson, me fjalën që ushqen, me fjalën që qetëson, me fjalën që tregon, me fjalën që zëvendëson britmën, me fjalën që shpjegon dhimbjen, me fjalën që zbulon tjetrin të ndryshëm nga ne, me fjalën që vë gishtin në plagë për ta shëruar, me fjalën që të rrit, me fjalën që zbut varfërinë”, shkruan Kumbaro.

Ajo thekson se “nuk do lodhem së përsërituri se kjo fillon në ditën 0 të jetës, se këtë duhet ta bëjmë së pari me ata qindra mijëra që nuk kanë fatin t’ua bëjë familja, me ata që nuk e kanë shtëpinë afër gjimnazit ‘Qemal Stafa’, me ata që nuk kanë librari në qytetin e tyre dhe që sot më shumë se kurrë bashkia duhet t’u sigurojë bibliotekë, me ata dhjetëra mijëra që janë në shkollën e vogël të fshatit dhe ëndërrojnë t’i afrohen periferisë së Tiranës, me ata që jetojnë në periferi të Tiranës, por që nuk e frekuentojnë rregullisht shkollën dhe që rrezikojnë të parët të bëhen gjah për krimin, me ata që shkojnë në shkollë por që kjo s’mjafton, me ata që mbase kanë edhe celularë dhe profil në rrjete sociale, por kjo asesi nuk mjafton, me ata që prindërit u sigurojnë çdo gjë por nuk u bie ndërmend t’u edukojnë çdo ditë fjalën”. Sipas përkthyeses, kjo listë njerëzish e brezash në nevojë, (madje dhe pa e ditur që janë në nevojë,) për fjalën, është edhe më e gjatë se kaq. “Për fjalën ka nevojë të punohet çdo ditë.

Për fjalën ka nevojë të luftohet në 365 ditët e vitit. Nga të gjithë. Duke nisur nga periferitë. Është luftë e gjatë. Është luftë për emancipim. Dhe sërish, është emergjencë kombëtare që kërkon mobilizim të të gjithë shoqërisë”, përfundon postimi i Kumbaros. COD ka nisur klubet e leximit që në shtator e prej atëherë të pranishëm kanë qenë Saimir Muzhaka, Zija Çela, Aida Baro, Kumbaro dhe Tupja. Ideja është të frymojnë klubet e librit duke nxitur debatin, përballjen dhe hulumtimin për autorin dhe letërsinë. /KultPlus.com

Të ngjajshme