Personaliteti krijues i Teki Dervishit dhe kujtimet e kolegëve erdhën sonte në KultPlus Caffe Gallery

13 Shkurt, 2020 - 8:33 pm

Arbër Selmani

Në një maratonë të ngjarjeve për të risjellë në vëmendjen e publikut shqiptar disa pena të letërsisë shqipe, PEN Qendra e Kosovës sonte mbajti një takim për Teki Dërvishin.

Haqif Mulliqi, Ibrahim Kadriu, Qibrije Demiri dhe Flamur Maloku ishin të pranishëm në KultPlus Caffe Gallery në kryeqytet para publikut që erdhi ta kujtonte jetën e veprën e Dervishit, një shkrimtar e publicist i njohur shqiptar që duket se la peng shumë prej krijimtarisë së tij.

‘Pirgu i Lartë’, ‘Padrona’,’Skedarët’, ‘Nimfa’ janë vetëm disa prej veprave që i la në bagazhin e letërsisë e dramës shqipe, Teki Dervishi.

Qibrije Demiri tregoi se Teki Dervishi ishte i veçantë edhe si njeri në jetën e përditshme, duke qenë i përkryer si poet, prozator, një artist i shkapërderdhur në shumë zhanre por i suksesshëm në të gjitha.

“E quajta edhe si epror të letërsisë, për shumë gjëra ka mundur dhe mund të jetë sod model dhe epror në shkrimin e tij. Tekiu sidomos më vjen më i fortë tek “Shtëpia e sëmurë”, që është një kompozitë me konotacione kuptimore sociologjike, politike e letrare, më asocon me kuptimin e vendit ku ka jetuar, si një vend i kontaminuar ideologjikisht, vend i helmuar në kuptimin ideologjik, sepse herë vjen si një shtëpi e sëmurë, herë si një kështjellë e sëmurë, e herë si një dhomë e sëmurë, ose së paku kështu e dekodova unë këtë pjesë” tregoi Demiri.

Haqif Mulliqi para të pranishmëve, mes kujtimeve për Teki Dervishin dhe mes emocioneve që i jep rikthimi në tablotë e tabullarasë së bardhë e herë të mbushur të mendjes, lexoi një poezi të cilën Teki Dervishi e kishte shkruar dikur në vitin 1993, bashkë me Mulliqin po pinin kafe në një kafene të Prishtinës.

Mulliqi foli sidomos për “Bregun e Pikëllimit” të Dervishit, duke mos harruar ta potencojë se Tekiu ka qenë edhe një kritik shumë i mirë i teatrit, shkruan KultPlus.

“Poezinë që e shkroi në vitin 1993 në praninë time unë kam dëshirë që dikush të ma lexojë atë poezi kur të vdes, kur të ndodhë akti mortor” tha Mulliqi. Në doktorratën e tij, ku janë përfshirë Rexhep Qosja, Anton Pashku, Beqir Musliu, Milazim Krasniqi, Ymer Shkreli, padyshim nuk mbetet jashtë edhe Dervishi dhe “Bregu i Pikëllimit”.

‘Bregu i Pikëllimit’ është një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat e Teatrit, sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, me regjisorin Vladimir Milçin, Bregu i Pikëllimit, jo vetëm që po e freskonte tempullin e Talisë me një prurje tepër të komplekse e të guximshme, por po i jepte Teatrit shqiptar një ritëm të ri zhvillimi, një dinamikë që kishte filluar ta humbë në kohën kur kjo  dramë u vu në skenën e Prishtinës në fillim të nëntëdhjetave.

Përmes veprës, Teki Dervishi bëri konfigurimin skenik të një udhëtimi të dyzuar mitik e real të njeriut, i cili , siç ndodhte edhe me Itakën e Odisës, ashtu Suka e Cërmjanit ishte për Udhësin Lojëtar sizmologjia e gjendjeve shpirtërore, që duhej të kalonte nëpër nëntë rrathë, që ishin nëntë shtresa të sprovës njerëzore, por edhe nëntë hallka të vetëpërcaktimit moral të individit në kontekst të xhunglës sociale e psikologjike që e rrethonte.

Flamur Maloku kujtoi në fund se dikur e kishte mësuar përmendësh librin ‘Nimfa’, në të cilin ishte dashuruar qysh në leximin e parë. Maloku thotë se edhe sot i kujtohen të gjitha pjesët e librit, një libër i munguar deri atë kohë në formatin e tij.

“E mësova çdo ditë nga një pjesë, për katërmbëdhjetë ditë. ‘Nimfa’ është një prej teksteve që e dua shumë, që vazhdoj me e lexu por kurrë me e shkru. Më ndodhë kjo tek autorët tjerë që unë i du shumë. Vuaj me tekstin e jetoj me tekstin, vuaj me figurën e jetoj për figurën, vuaj me dashurinë e Tekiut dhe e jetësoj atë. Përmes këtij libri, Tekiu arrin të krijojë atë që vazhdoj ta krijojë toposin gjeografik të dashurisë. Është tekst që asnjë prej brezit tonë nuk e ka shkru, e kanë injoru dhe vazhdojnë me e injoru. Ky është turp për studiuesit e rinj të letërsisë shqipe” tha mes tjerash studiuesi Flamur Maloku.

Të pranishmit ndanë kujtimet e tyre tjera me Dervishin. Dervishi është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama.

Kjo ishte nata e fundit e këtij organizimi nga PEN Qendra e Kosovës dhe KultPlus, ndërsa PEN Qendra premtoi se organizime të tjera kulturore do të mbahen në të ardhmen duke sjellë në vëmendje edhe të tjera figura që i dhanë shumë gjuhës e letërsisë shqipe në dekadat e fundit dhe ato të shekullit të kaluar. / KultPlus.com

Të ngjajshme