Përvjetori i lindjes të një ndër klasikëve më të mëdhenj amerikanë, Ernest Heminguej

21 Korrik, 2025 - 11:02 am

Ernest Heminguej, i lindur më 21 korrik 1899 në Çikago, ishte gazetar dhe shkrimtar i shquar amerikan i shekullit të XX, fitues i Çmimit Nobel dhe Pulitzer, autor i romanit të famshëm, “Plaku dhe deti”. Ai shquhej për pasionet e tij të gjuetisë dhe peshkimit.

Në vitin 1917 ai u bashkua Kryqit të Kuq në frontin e luftës në Itali dhe këtu, në moshën 18 vjeçare, plagoset rëndë dhe dërgohet në spitalin e Milanos ku dashurohet me një infermiere. Kjo histori vjen te romani “Lamtumirë armë”, i cili doli në qarkullim në vitin 1929. Me kthimin në SHBA, ai u martua me Hadley Richardson por mendja i rrinte gjithmonë në Europë. Së fundi arrin të shkëpus një mision gazetarie dhe akoma si i panjohur, vendoset në Paris. Këtu njihet me Gertrude Stein e cila i mëson stilin e shkrimit.

Ernest Heminguej fitoi famë të menjëhershme me romanin “Dielli lind përsëri” (1926), që rrëfen jetën e një brezi të humbur të të rinjve të mërguar në Paris, pas Luftës së Parë Botërore. “Kjo është historia e brezit të humbur”, pati thënë Gertrude Stein, duke përshkruar saktësisht frymën e veprës.

Në maj të vitit 1925, Heminguej u njoh me F. Scott Fitzgerald-in, me të cilin krijoi një miqësi të ngushtë, por edhe një rivalitet të fortë letrar, përcjellë KultPlus.

Jeta e tij u përfshi nga ngjarje të forta si vetëvrasja e babait, një shkurorëzim dhe më pas rimartesa. Në këtë periudhë botoi romanin “Lamtumirë armë”, dhe më vonë u vendos në Key West, Florida, ku shkroi “Vdekja pasdite”.

Në vitin 1936 ai u bashkua me forcat republikane në Luftën Civile në Spanjë, ku jepet edhe pas pijes, por vazhdon të shkruaj dhe boton librin “Të kesh apo të mos kesh” (1937) që trajton padrejtësitë shoqërore.

Pas qëndrimit në Spanjë dhe më pas në Kubë, u kthye përkohësisht në Paris. Në vitin 1950 botoi romanin “Përtej lumit dhe mes pemëve, një histori dashurie e fundit në krijimtarinë e tij, ndërsa në vitin 1952 publikoi kryeveprën “Plaku dhe deti, për të cilën fitoi Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1954.

I moshuar dhe i rënduar nga problemet shëndetësore dhe psikologjike, Heminguej i dha fund jetës më 2 korrik 1961 në Idaho. Presidenti John F. Kennedy e përkujtoi si një nga shkrimtarët më të mëdhenj amerikanë dhe si një qytetar të shquar të botës./KultPlus.com

Të ngjajshme