Pikëllimi në sytë e Nënë Terezës kur u nda me familjen për të udhëtuar drejt Indisë

6 Shtator, 2019 - 2:15 pm

Udhëtimi i vajzës së vogël me sytë e kaftë të thellë, nga Shkupi drejt Indisë, për tu kthyer në një simbol të bamirësisë në botë, mund të lexohet në shënimet e të afërmeve dhe bashkëkohësve.

Lorenc Antoni do të ruante me dashuri të madhe deri vonë, shënimet e hedhura në ditar mbi kohët e kaluara me kushërirën Ganxhe, ashtu siç i thërrisnin Goxhe Bojaxhiut (Nënë Terezës).

“Në mbrëmjen e 25 shtatorit 1928 në të gjithë u tubuam në shtëpinë e Ganxhes për ti dhënë lamtumirën. Secili i kishte blerë ndonjë dhuratë: ndonjë laps, libër, etj. Ndonjë kujtim në shenjë të mirënjohjes. Unë i dhashë një stilograf të artë, të cilën ajo e ruajti dhe e përdori për një kohë të gjatë më pas. Të nesërmen më 26 shtator ishte dita e largimit të saj. Shumë kishin dalë për ta përcjellë, fëmijë, të rinj, pothuajse mbarë famullia, madje edhe shokët e shkollës. Të gjithë i kishin mbërthyer sytë në të, të mbushur me pyetje të pathëna:cila do të ishte e ardhmja e kësaj vajze në Indi, një vend i huaj e aq i largët?

Unë u zgjova herët. Së pari vajta në kishë dhe pastaj në stacion. Kisha blerë tri buleta për Zagreb (për Dranen Agen dhe Ganxhen). Në stacion të gjithë qanin edhe ajo vetë po qante ndonëse pak kohë më parë kishte thënë se nuk do ta bënte këtë. Edhe unë vetë kisha buzën në vaj sapo mendoja që do humbisja një kushërirë, një mike të mirë.

Në çastin e nisjes ajo ma shtrëngoi fort dorën. Reagimi im ishte gati i ftohtë që të mos lejoja të pushtohej nga pikëllimi i nisjes. Treni u nis. Ne të gjithë valëvitnim faculetatt derisa treni nuk u tret. Dielli ia kishte hedhur rrezet, duke e ndriçuar të tërën; ajo i ngjante një hënë që dalëngadalë humbet në lindjen e diellit. Ajo bëhej gjithnjë e më e vogël duke bërë me dorë dhe duke u tretur në largësi. Më në fund ajo u zhduk fare. Ne nuk e shihnim më, porsi një yll që zhduket në dritën e bardhë të diellit…” /KultPlus.com

Të ngjajshme