Poeti Agim Gjakova pranon çmimin “Beqir Musliu” nga Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri

14 Qershor, 2020 - 9:25 pm

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në shënim të ditëve të lirisë, sot ka bërë ndarjen e cmimit “Beqir Musliu”, për laureatin e sivjetmë Agim Gjakova.

Lutfi Haziri, kryetari Gjilanit, ka thënë se ky çmim sot po jepet nën masa të kufizuara për shkak të gjendjes që jemi duke u përballur ende me pandeminë globale.

“Ditën e çlirimit ne e fillojmë me shkrimtarët dhe e përfundojmë me heronjtë dhe dëshmorët që na kanë dhënë lirinë. Emri i Beqir Musliut është shënuar me shkronja të arta dhe është plasuar në nivelet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare. Urime ditët e lirisë, që i shënojmë me aktivitete të ndryshme dhe me një shënim ndryshe për shkak të Covid-19. Urime për vlerësimin që keni marrë z. Gjakova nga një komision i respektuar në Komunën e Gjilanit”, ka thënë kryetari Haziri.

Poeti Agim Gjakova, e ka falënderuar ekipin nismëtar për ta bërë cmimin “Beqir Musliu” dhe vlerësoi se ai ishte i pari poet i modernes në letërsi dhe publicistikë.

“Ai ka tejkaluar kufijtë e Gjilanit dhe Kosovës me dorëshkrimet e tij dhe sot është një ikonë e fuqishme e vendosmërisë dhe përmbledhjes që ka prezantuar me nivelin e tij të lartë intelektual”, tha Gjakova.

Në prezantimin e tij, Sabit Rrustemi, kryetar i ars klubit “Beqir Musliu”, ka thënë se komisioni i themeluar për ndarjen e këtij cmimi më 11 qershor, në ditëlindjen e Beqir Musliut, ka publikuar vendimin dhe kështu ka thënë se kemi nderuar jetën dhe veprën e Beqir Musliut dhe laureatit Agim Gjakova.

“Gjilani ka një format të fuqishëm në fushën e letërsisë që ka krijuar dhe po e zhvillon edhe më tutje emrin e letrarit të shquar nga kjo anë”, ka thënë ai.

Në emër të familjes, djali i Beqir Musliut, Iliriku, ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komunën e Gjilanit, duke bërë thirrje për botimin e dorshkrimeve të mbetura të babait dhe më vonë në mesin e propozimeve për emërtimin e bibliotekës të trajtohet edhe emri i Beqir Musliut. /KultPlus.com

Të ngjajshme