Poetja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin e Presidentit të Jurisë në Itali

6 Maj, 2021 - 7:00 pm

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti nderohet me një tjetër çmim në Itali, atë të Presidentit të Jurisë në Edicionin e IX të Konkursit Kombëtar të poezisë “Arti në vargje” (L’arte in versi) për përmbledhjen poetike “Le pantofole della solitudine” (Pantoflat e vetmisë) botuar nën siglën e Shtëpisë Botuese Besa,  Nardò, në vitin 2018.

Në motivacionin e dhënies së çmimit nga Presidentja e Jurisë, Michela Zanarella, shkruhet: “Kjo përmbledhje është e strukturuar më së miri, çdo poezi përshkruan emocione në të cilat çdo lexues e gjen veten. Autorja ndërton një dialog të ndërsjelltë dhe arrin të vizatojë ndjenja ndonjëherë në kontrast me njëra-tjetrën. Në vargje gjen vetmi, dhembje, po edhe shpresë. Me një stil të thjeshtë por të fuqishëm, poetja arrin të na shoqërojë drejt një ishulli paqeje, një vendi ideal ku mund të gjehet vetvetja dhe ekuilibri. Janë interesante gjithashtu metaforat dhe imazhet e përdorura.”

Kurse nga parathënia e librit “Pantoflat e vetmisë” veçojmë: “Delikate dhe emocionuese në të njëjtën kohë, ‘Pantoflat e vetmisë’ është një përmbledhje me poezi që rrëfen për shpirtin njerëzor, për lidhje të pamundura për t’u këputur, për ndjenja dhe kujtime që i japin formë dhe kuptim jetës sonë. Pjesa e parë e librit, titulluar ‘E kaluara është një fantazmë’, përmbledh një seri poezish të ndërtuara në fillin e nostalgjisë, midis dhimbjes për largësinë nga vendi i origjinës dhe dëshirës për t’u strehuar në një vend larg nga kaosi i jetës së përditshme. Ndërsa pjesa e dytë: “Në borxh me dashurinë”, është një udhëtim nëpër sfumaturat e panumërta të ndjenjave, që mbi të gjitha të trondit, ashtu i vendosur midis gëzimit dhe trishtimit, midis magjisë së një çasti dhe lotëve që koha nuk mundet t’i thajë.”

Irma Kurti është nderuar me 60 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali dhe në Zvicër, ndër të cilat me tepër se gjysma janë çmime të para, të dyta dhe të treta. Së fundi, ajo u shpall si një nga poetet më të mira bashkëkohore nga Enciklopedia Poetike si dhe u vlerësua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali./ KultPlus.com

Të ngjajshme