Poezi me mesazhe të qarta, autori Demë Mulliqi sjell vëllimin poetik “Shikimi i fundit”

21 Mars, 2024 - 10:12 am

Autori Demë Mulliqi ka ardhur para lexuesit me vëllimin poetik “Shikimi i fundit”. Në këtë libër autori, me profesion mësimdhënës, por i njohur me veprimtarinë e tij edhe si studiues, historian, piktor, publicist etj., na shfaqet në një dimension të ri – atë të poetit.

Përmbledhja përbëhet nga 73 poezi dhe është një sprovë e suksesshme e autorit në fushën e krijimtarisë poetike. Mesazhi i poezive të Mulliqit është i qartë. Autori shpreh mllefin ndaj çoroditjeve e përçudnimeve shoqërore, përqesh pushtetarët dhe përfaqësuesit e politikës, luftëtarët e rrejshëm të lirisë, ashtu sikundër me vargjet e tij iu ngre përmendore disa figurave të shquara letrare e kombëtare. Dashuria e autorit për Ulqinin, e cila u bë vendlindja e tij e dytë, por edhe për trevat tjera shqiptare në Malin e Zi të sotëm, vërehet edhe në vargjet e këtij vëllimi poetik. 

Autori ia la përmbledhjen me poezi në dorëshkrim “amanet” mikut të tij, kritikut dhe piktorit Qazim Muja, i cili e ka përgatitur për botim me përkushtim. Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, kurse është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor i librit është poeti Ali Gjeçbritaj, recensent poeti Hajredin Kovaçi, kurse redaktor teknik Qazim Muja. Në ballinën e librit është punimi i autorit.

Demë Mulliqi u lind në fshatin Raushiq të Komunës së Pejës, më 5 janar 1946. Pas kryerjes së shkollës së mesme të mësuesisë, u punësua në arsim ku vazhdoi deri në pension, duke kaluar në detyra avancuese me rëndësi në fushën e arsimit. Ndër të tjera, në vitet 1998-1999 ishte koordinator për arsim, i caktuar nga komisioni parlamentar i Kosovës për nxënësit e përndjekur nga Kosova e të vendosur në Mal të Zi, ku bashkë me mësimdhënësit kosovarë e vendas arriti që ta realizojë vitin shkollor 1998-1999 për 2500 nxënës. Bashkëpunoi me të përjavshmen “Koha javore” dhe me revistën “Lemba”. Vdiq më 5 nëntor 2023 në Raushiq të Pejës.

Është autor i veprave: “Skënderbeu, edukator i kombit shqiptar”, “Shkollat e mesme të Pejës nën okupim (1990-1998)”, “Rrugëtimi i shkollës dhe arsimit në komunën e Pejës deri në vitin 1945”, “Shkolla fillore kosovare ‘Zilja e thyer’ në Mal të Zi 1998/1999”, “Raushiqi mbi themelet e antikitetit” (monografi), “Përtej shprese” (roman), “Rishfletim” (vështrime dhe kumtesa). Përmbledhja poetike “Shikimi i fundit” është botuar pas vdekjes së autorit. / KultPlus.com

Të ngjajshme