Poezia e Skënder Rusit ligjërim poetik për dashurinë

18 Maj, 2022 - 10:17 pm

     Përmbledhja poetike “Ti më ke dashur pakëz”, e Skënderi Rusit, paraqet poezitë e tij me tema të ndryshme përmes të cilave autori shfaq ndjenjën e thellë të dashurisë dhe vuajtjet e vetmisë në njerën anë dhe të gjitha shqetësimet e tjera të njeriut përballë jetës, në anën tjetër, duke e cilësuar dhimbjen si pjesë të saj të domosodshme. Përkundër të gjitha vuajtjeve, autori prapë na del optimist dhe i dhënë pas jetës për të na treguar se jeta nuk ka vetëm momente të mira dhe të lumtura por edhe sprovon me dhimbje e vuajtje, e për këtë Rusi këshillon që këto të merren si pjesë e jetës. Ndërlidhja e botës së brendshme të njeriut me botën e jashtme përkatësisht natyrën, e që përmes saj i shfaq edhe fazat jetësore i bën poezitë e tij të veçanta.

     Figuracioni stilistik që Rusi jep në tërë veprën përmes elementeve natyrore, përkatësisht vendosjen e njeriut përballë natyrës bën që figurat e tij ta shfaqin dhembjen e autorit karshi vashës, shoqërisë dhe jetës në përgjithësi. Ndërsa përmes elementeve natyrore autori paraqet lidhjen e brendshme të tij me botën e jashtme. Figurat stilistike përmes të cilave autori krijon poezitë e tij janë: metafora, metonimia, simboli, personifikimi, refreni. Të gjitha këto figura ndërlidhen me elemente natyrore, ku poezia shfaqet e veçantë. Poezitë e tij për nga metrika kryesisht janë të rimuara dhe kanë bukurtingëllim, kurse në disa poezi të tjera autori përdor metrikën moderne, ku bën përzirje të strofave dhe të vargjeve. Skënderi, një lirik i pastër e ndërton poezinë e tij mbi ndjenjat dhe përjetimet e  thella duke i përjetësuar ato kujtime dashurie që  nga rinia e tij. Lirizmi i tij është vazhdimisht në kërkim të shërimit të dhimbjes, dhimbje kjo që  del si në rrafshin personal në raport me të dashurën, ashtu edhe në rrafshin shoqëror në raport me njeriun si një njeri që i kishte përjetuar gjithë dhimbjet, ku sipas tij jeta duhet kërkuar përtej këtyre dhimbjeve qoftë madje edhe vetëm përmes kujtimeve. Ndërlidhja e këtyre dy rrafsheve; ku dhimbjen e arsyeton me mendimet jetësore, bënë që pakënaqësitë me të cilat përballet ai në jetë t’i kthejë në frymëzim për poezitë e tij.

  • Subjekti lirik në relacion me natyrën

     Bota e brendshme e autorit bëhet frymëzim për krijimin e poezisë së tij, autori nuk shfaqet asnjëherë i revoltuar me fatin e jetës por e pranon atë ashtu siç i është caktuar, duke paraqitur pastaj ndjenjat e tij ndaj këtij fati gjithmonë në relacion me natyrën. Ky paralelizim i ndjenjave me natyrën bën që poezia e tij  t’i jap frymë natyrës në njerën anë, kurse vjershave të tij të i jap përjetësi në anën tjetër. Për të krijuar këtë relacion autori merr elemente më të bukura nga natyra, sepse vetëm këto elemente mund të  shfaqin bukurinë  e penës, konkretisht ndjenjën e autorit. Lumi, pylli, dëbora, dielli, dita, pema, shiu, era, qielli janë elementet tipike përmes të cilave autori shfaq ndjenjën e thellë  të dashurisë që nga fillimi e deri në përfundim të saj, e që kjo dhimbje e dashuri njëkohësisht iu kishte bërë frymëzim.

     Në poezitë në fillim autori  njofton me këto relacione, dhe bënë të mendojmë se cilën ndjenjë e karakterizon ai element, dhe vetëm më vonë përmes simbolikës së  poezisë  ai e zbulon atë, pra Rusi nuk ka për qëllim ta fshehë  ndjenjën e tij të dashurisë dhe ndjenjën e pakënaqësisë përballë jetës, por e bën atë të dukshme përmes figurativitetit. Hapat e dashurisë që nga fillimi e deri në fund të saj i paraqet në  poezinë Ne s’bëjmë asgjë të keqe;  ku thotë  ne duhemi, vështrohemi, puthemi dhe gënjehemi por s’bëjmë asgjë të keqe, shohim se ai ndjenjën e dashurisë  e ngreh në  piedestal duke e parë si ndjenjën e vetme kuptimplote, si në  botën reale ashtu edhe në  botën e përtejme. Ai relacionin me të dashurën e vendosë  në  qendër të botës së  tij prandaj në  momentin kur ai e sheh të dashurën humbë  në  jetë  përkatësisht në  lojën me shah. Dashuria për autorin është  si lumi që  të rrëmben përkundër rrjedhshmërisë së jetës, në anën tjetër, lumi si figurë e rrjedhshmërisë së jetës, autori e kërkon lumin e jetës, për të vazhduar jetën, sepse për të ishte ndalur me ikjen e vashës.  Kujtimet e mbajnë  gjallë  autorin, dhe pothuajse gjithë poezitë e tij ndërtohen mbi ato kujtime, ai ditët me të bukura i konsideron takimet me vashën, të cilat i cilëson si dhuratë  të jetës kurse përjetësinë  e dashurisë  ai do ta përshkruajë  edhe përkundër plakjes së  saj edhe përkundër çdo pengese tjetër. Kujtimet më të bukura të dashurisë autori i lidh me stinën e dimrit ku ai bashkohet me vashën, këtë ndjenjë e shfaq tek poezia Nuk e mbaj mend, ku përpos ndjenjës së dashurisë poezia shfaq edhe një dimension tjetër: Nuk e mbaj mend ç’shekull ka qenë, autori e lidh me periudhën e Mesjetës, Veç një kambanë atje te kisha/Nuk mundem dot ta harroj unë, kambana një karakteristik tjetër e kësaj periudhe, ku simbolika e saj është thirrje e shenjët për diçka të shenjët si bashkimi me vashën. Kurse me bardhësinë e borës nënkuptojmë ndjenjën e tij të pastër karshi vashës. E fuqishme këtu na paraqitet edhe figura e personifikimit; ku autori personifikohet me erën, qiellin për të treguar ndjenjat e tij të thella të dashurisë, dhe më vonë personifikohet me mollën, ku përmes kësaj figure ai paraqet shkakun e ndarjes nga e dashura e tij.

Dashuria si mungesë  dhe prani

     Përkrah theksimit të ndjenjës së  dashurisë, autori do të përshkruajë  dashurinë  si mungesë  në  raport me realizimin e ndjenjës. Autori gjithmonë  do të jetë  vetëmohues në  raport me vashën dhe njëkohësisht i vetëdijshëm për fuqinë  e dashurisë . Prandaj disa poezi i shkruan i nxitur nga pakënaqësia e realizimit të ndjenjës, por kurrë  nuk e shfaqë  pakënaqësin e tij, kështu autori do të shprehet: Ti nuk më  do / S’ka gjë  /  Të dua unë , shohim dashurinë  e tij pavërësisht asaj. Ndonjëherë praninë  e vashës e vë  në  dyshim, duke e konsideruar vetëm si rezultat të imagjinatës së  tij kur thotë : Unë  ende se marr vesh në se jemi vërtetë / apo gjithë  kjo nga truri im ka dalë / apo ne të dy jemi surrealë . Kjo lind si pasojë  e mungesës së  kontaktit, bashkimit shpirtëror e fizik, prandaj veten autori e konsideron si murg e vashën si murgeshë. Mbi të gjitha shohim dëshirën e madhe të autorit për ta pasur afër të dashurën tashmë të humbur. Përmes këtyre poezive, sikur autori e kërkon mëshirën e së  dashurës, për shkak që gjithmonë e shikojmë një lloj vetëfajësie dhe vetëgjykimi, ku ai shprehet i vetëdijshëm për tradhëtinë  e bërë  ndaj saj. Kjo vetëdije, kthehet më  pas në  një  ndërgjegje e cila i jep frymëzim, kjo i bëhet edhe një  lloj fuqie nëpërmjet së  cilës autori gjen guximin dhe kërkon kthimin e së  dashurës. Duke vetëfajësuar veten, ai duket sikur sado pak shlirohet nga ndjenja e fajit, ky shlirim i bëhet edhe si një  lloj shprese, për kthimin e saj.

Poezia meditative në relacion me jetën

    Në  mesin e ndjenjave, ku autori e shfaqë  dashurinë  herë  si dhimbje e herë  si lumturi ai bëhet edhe poet meditativ. Lirikën meditative e shohim më  shumë  në  momentet kur largohet dashuria, autori e vuan largimin e saj, por në  anën tjetër i kthehet vetes konkretisht jetës dhe fenomeneve të saj, siç është  kalimi i shpejtë  i kohës. Edhe pse koha kalon edhe pse trupi mund të plaket, flokët mund të zbardhohen, dashuria asnjë herë  nuk vjetrohet ajo vjen dhe zmadhohet, madje arrin në  kulm, e që  vërehet sidomos të poezia “Ardhka një  moshë”, e që e nënkupton rinimin shpirtëror përkundër plakjes fizike. Në një kontekst tjetër, autori kalimin e kohës dhe plakjen e paraqet si një proces natyror që ndodh tek të gjithë njerëzit. Figura e akrepave të orës na del si metonimi e kohës, autori gjatë gjithë përmbledhjes e paraqet kalimin e kohës, e që e nënkupton edhe kalimin e dhimbjes, lumturisë, gëzimit, për të treguar kështu se jeta nuk na shfaqet gjithmonë e njëjtë, koha nuk kthehet andaj duhet harruar edhe dhimbjet dhe të jetohet e tashmja.

     Poezia e tij merr motivin social, kur shkruan për shoqëri, për tradhtinë në shoqëri, ku autori përballë kësaj tradhtie ka një qëndrim inferior, pothuajse normal dhe duket sikur e priste këtë nga tre shokët e tij, andaj nuk na shfaqet i mërzitur.

     Pjesë e poezive të tij bëhet edhe bota metafizike, ku autori flet për procesin e jetës që nga lindja e deri në vdekje, tek poezia “Ikje pa kthim”. Me këtë poezi autori kërkon që ta shijojmë jetn sepse ajo nuk është gjithmonë, e sidomos ta shijojnë pa arrit pleqërinë dhe pa ardhur vdekja; Të jetosh në barin e tyre sidomos pa ardhur dimri/Por sidomos pa ardhur vjeshta, stina e vjeshtës na del në figuracion me pleqërinë dhe dimri me vdekjen; të njeriut dhe të natyrës. Tek poezia “Ndonjëherë”,autori vdekjen e sheh si një lloj çlirimi; Le të thonë që vdekja/ S’është e bukur pastaj, çlirim nga ndjenja e fajit, dhe e cila zhduket në momentin kur ky e përfytyron vdekjen.

    I veçantë del edhe frymëzimi i autorit, si krijues i këtyre poezive, ku thotë se një autor ndjen dhimbjet më shumë se gjithë njerëzit, gëzon më shumë se gjithë njerëzit, dhe se jetën nuk e sheh vetëm në dimension të drejtpërdrejtë, dhe se nuk është e thënë që një autor të shkruaë vetëm për dhimbje, por edhe për lumturi; Do gjej ndonjë diell ta vë në zemër, pra nga jeta mund të gjesh edhe çaste të bukura e të lumtura.

     Poezia e Skënder Rusit karakterizohet nga ndjeshmëria e veçantë poetike, e lidhur me meditimin mbi dashurinë  dhe jetën në  përgjithësi. Dashuria në  poezitë  e tij del si ndjenjë  mbi të gjitha ndjenjat e tjera madje edhe mbi vetë jetën. Autori nuk e humb shpresën dhe optimizmin për dashurinë  të cilën e shndërron në  kult edhe në  momentet me të vështira të relacionit me vashën. Ai përmes paralelizmit figurativ e sidomos përmes simbolizmit arrin të na paraqesë  ndjenjat dhe përceptimin e tij mbi dashurinë dhe jetën në përgjithësi. Poezia e tij merr edhe trajtë meditative. Poeti shqetësohet për jetën, kohën që kalon, dhimbjet e jetës, pastaj vdekjen, si procese jetësor të pashmangshme. Të gjitha këto i lidhë dashuria, që del herë në shkëmbim e herë edhe si dashuri e njërës anë, që më pas kthehet në vuajtje. Çelësi i kësaj vepre gjendet qysh në titullin “Ti më ke dashur pakëz”, ku autori i drejtohet gjithmonë asaj dhe dashurisë që ia ka dhënë ajo, por edhe në kontekst me jetën, nga përjetimet që jeta ia sjell atij.

    Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Laura Ferizi Haradinaj./ KultPlus.com

Të ngjajshme