Poezitë e Arbër Selmanit botohen në The Global Youth Review

25 Korrik, 2022 - 10:47 am

Shkrimtari Arbër Selmani, një ndër personat më aktiv të qytetit të Prishtinës sa i përket jetës kulturore, vazhdon ta rifreskoj faqen e tij në facebook me lajme fantastik të sukseseve të tij të njëpasnjëshme, shkruan KultPlus.

Pas lajmit se është përzgjedhur nga Departamenti i Shtetit Amerikan si njëri nga përfituesit e “IVL Impact Awards” – Çmimet për Reagim IVLP 2022, me projektin ‘Një copë e jetës sime gjysmake’, Selmani ka njoftuar për një tjetër përzgjedhje.

Kësaj radhe dy poezi nga poeti kosovar, janë përzgjedhur në mesin e njëzet shkrimtarëve nga pesë kontinente të botës, për tu botuar në numrin e katërt të The Global Youth Review, duke konsideruar që dy poezitë e tij, ‘Russian Deception’ (Mashtrimi rus) edhe ‘I am the main prostitute of this city’ (Unë jam prostituta kryesore e këtij qyteti), përputhen me temën e këtij numri – “Pasqyra e Shoqërisë”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Arbëri, duke u shprehu se ky është një lajm që mezi ka pritur ta ndaj me publikun.

“Një lajm që kom pritë me e nda me juve tash e disa javë. Te ky link e gjeni revistën: https://bit.ly/3zu4eI8 e cila e ka dizajnin fantastik por edhe përmbajtjen që përgatitet prej 20 redaktorëve të revistës. Tre kryeredaktorët e revistës së printuar vijnë nga Japonia, Banglladeshi dhe Amerika”, ka shkruar Selmani.

Kujtojmë që në muajin qershor, shkrimtari ka promovuar librin e tij ‘48 piano’, libër ky që përmban poezi dhe prozë poetike të cilat autori i ka shkruar në një periudhë 12 vjeçare. Njëherit, ky është libri i katërt i autorit. / KultPlus.com

Të ngjajshme