POLIP shpalosi ndikimet politike që sjellin varfërimin gjuhësor

20 Maj, 2018 - 3:30 pm

Alberina Haxhijaj

Diskutimi i radhës që solli edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë POLIP, solli në qendër gjuhën. Në këtë drejtim, pyetja kryesore e këtij paneli ishte se në çfarë mënyre ndikon gjuha në shkëputje apo si ndikojnë politikat gjuhësore në rrugët e shkëputjes, shkruan KultPlus.

Diskutim i moderuar nga Lura Limani bëri së bashku shkrimtarët: Gonza Özmen, Bashkim Shehu, Alida Bremer, Ardian Vehbiu dhe Shkumbin Brestovci. Shkrimtarët që ishin pjesëmarrës në këtë diskutim u munduan që përmes praktikave në vendet ku ata jetojnë të sjellin shembuj të ndryshëm.

Fjalën së pari e mori shkrimtarja Gonza Özmen nga Turqia e cila tregoi se politikat shtetërore kanë ndikim shumë të madh në gjuhë. Sipas saj kjo më së shumti vërehet edhe në përkthimet që u bëhen teksteve. Kështu ajo solli rastin sesi “Liza në Botën e Çudirave”, ishte shndërrua në mashkull duke marrë emrin Ali. Gjithë kjo pasi që konteksti kulturor nuk lejonte që një vajzë të bredhë vendeve të panjohura vetëm, qoftë kjo edhe ëndërr.

Kështu shkrimtarja Gonza Özmen , has në vështirësi që të blejë libra për vogëlushen gjersa edhe shkrimet e saj censurohen për shkak të përkthimit jo të duhur. Ajo tregoi rastin sesi shkrimi i saj që fliste për abuzimet me fëmijët ishte ndryshuar kur ishte përkthyer në gjermanishte, duke e bërë atë një shkrim që fliste për një dashur të sinqertë dhe pa asnjë pretendim prapa saj. Ndërsa vazhdoi të flasë tutje për spastrimin që po i ndodhë gjuhës në Turqi.

“Shumicën e kohës jam duke lexuar tekste krahasimtare ku vërehen këto ndryshime në gjuhë. Ata mendojnë ta bëjnë pastrimin e gjuhën duke larguar fjalët arabike dhe otomane mirëpo këto fjalë kanë identitetin dhe jetën e tyre edhe zëri i tyre është ndryshme dhe përdorimi i fjalëve të tjera ndryshojnë edhe kuptimin e tekstit”, tha ajo.

Një spastrim të tillë ka përjetuar edhe gjuha shqipe është shprehur shkrimtari Ardian Vehbiu. Sipas tij njëjtë ka ndodhur edhe më gjuhën shqipe, gjatë lëvizjes që ishte kundër Perandorisë Osmane, ku fjalët që konsideroheshin si fjalë turke u larguan mirëpo ato nuk ishin fjalë turke por arabe dhe persiane.

“Edhe në Shqipëri e kemi pasur këtë në regjimin komunistë. Ky spastrim gjuhësor është i njëjtë sikur spastrimi etnik. Spastrimi etnik i largon njerëzit ndërsa me gjuhë i largon fjalët. Kjo lëvizje edhe sot e kësaj ditë vazhdon të ndodhë edhe në Shqipëri pasi që është duke u bërë prej njerëzve që nuk janë ekspert të gjuhës dhe thonë se kjo është fjalë turke, apo çfarëdo dhe duhet ta largojmë. Kjo është qesharake, budallaki dhe e varfërojnë gjuhën dhe shkrimtarët nuk mund të japin më të mirën e tyre, të asaj që dëshirojnë që të shprehin”, tha ai.

Tutje Bashkim Shehu diskutoi për situatën gjuhësore në Spanjë dhe Katalonjë, gjersa Alida Bremer bisedoi për gjuhën serbe dhe atë kroate. Për tendencat për ti paraqitur ato si një të vetme, serbo-kroate gjersa theksoi se kjo ka ardhur si pasojë e propagandës së madhe që është bërë më parë pikërisht për shkak të përfitimeve politike. Tutje shkrimtari Shkumbin Brestovci bisedoi për dëmin që i ka shkaktuar gjuhës shqipe diskutimi për dialektin gegë dhe toskë, duke mos diskutuar për çështjen kryesore, e që sipas tij është kufizimi i mënyrës sesi flasim.

“Jemi munduar që të spastrojmë gjuhën shqipe dhe i kemi larguar fjalët e huaja kurse tani nuk i kemi fjalorë që i përbënë këto fjalë, që na i sqaron. Pra, ne duhet ti kërkojmë fjalët e caktuar në fjalorë të gjuhëve të tjera edhe pse vet i përdorim”, tha ai duke shtuar se tani për të rinjtë standardi dhe dallimet në mes të dialekteve nuk po kanë shumë rëndësi.

Diskutimi përfundoi duke shtuar se çdo kufizim i cili i bëhet gjuhës është i dëmshëm dhe kjo dëmton sidomos shkrimtarët të cilët nuk mund të japim maksimumin e tyre në shkrime nëse fjalë të caktuar ju ndalohen. Këtë e theksoi edhe shkrimtari Ardian Vehbiu, i cili tha se si shembull i tillë mund të shërbejë edhe lidhorja dhe rasti i saj në Kosovë.

“Lidhoren unë nuk mundem ta përdorë pasi që nuk është pjesë e shprehjeve të mia mirëpo njoh shumë njerëz, shkrimtarë të cilët kanë nevojë që ta përdorin, prandaj bëjeni këtë. E di që ka shtëpi botuese të cilat mbase nuk dëshirojnë që të publikojnë veprat e juaja mirëpo këmbëngulni, le të shërbeje kjo si eksperiment dhe të shohim sesi do të ecën”, tha ai.

Sot në kuadër të POLIP do të mbahet diskutimi i radhës “The Birth of Fascism From the Spirit of Poetry” me panelistët: Antoine Jaccoud , Zora Del Buono, Matteo Colombi, Manjola Nasi dhe Clemens Meyer. Në ora 16:00 në Qendrën Multimedia në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme